Hapet drita jeshile pas vetos/ Holanda bindet më në fund, mbështet konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE

Jun 17, 2021 | 9:57
SHPËRNDAJE

pjimage - 2021-06-17T095506.059

ARISTIR LUMEZI/ Holanda, një nga vendet më skeptike në Bashkimin Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, më në fund është bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli Europian.

Parlamenti holandez ra dje dakord që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë pas miratimit të kuadrit negociator. Ambasada holandeze njofton se sot do të finalizohet votimi i mocioneve, të cilat mund të ngrihen nga partitë e ndryshme ose grupet parlamentare.

Sipas njoftimit, Holanda ka pranuar dhe mbështetur progresin e Shqipërisë në disa fusha, si Reforma në Drejtësi apo dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Madje, mediat holandeze shkruajnë se politikanët, të cilët nuk e mbështetën një vit më parë Shqipërinë, këtë herë kanë dhënë nota pozitive. Sipas asaj që njofton ambasada holandeze, qeveria është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë.

KRITIKAT

Më 4 qershor, qeveria e Holandës binte dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në Parlament, por përmes një letre drejtuar Parlamentit ngre një sërë detyrash ku më të rëndësishmet janë hetimet për parregullsitë.

“Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK”, thuhej në letrën që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale të zgjedhësve nga Partia Socialiste. Në këtë pikë, Holanda kërkon që çështja të zbardhet.

“Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve, do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur”, citohet nga letra.

Një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë të adresojë është shitblerja e votës.

“ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK”, nënvizon dokumenti.

QËNDRIMI I AMBASADËS HOLANDEZE

Politika e qeverisë holandeze në lidhje me procesin e zgjerimit është strikte, e drejtë dhe mbështetëse/e angazhuar. Vendimet për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara në meritat individuale të vendeve.

Në mars 2020, Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare të 27 vendeve anëtare të BE-së me Shqipërinë, një herë që një sërë kushtesh të ishin plotësuar, kryesisht në fushën e sundimit të ligjit/shtetit të së drejtës.

Qeveria holandeze bie dakord me gjetjet e Komisionit Europian sikurse theksohet në përditësimin e raportit për Shqipërinë. Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithashtu, ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje. Qeveria holandeze mundet kësisoj të bjerë dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, sapo kuadri negociator të jetë miratuar.

Sot, shumica e Parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator.

Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare. Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë.

Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e së parës Konferencë Ndërqeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive, në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura