Hapet BiblioTech 4 në Tiranë, Veliaj: Të rinjtë nuk kanë nevojë për birra, por për mundësi të aftësohen

Oct 20, 2020 | 15:03
SHPËRNDAJE

velaijKreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

Kryebashkiaku shprehu besimin se edhe kjo nismë do të jetë një histori suksesi. “Ajo që na bashkon me UNICEF-in është investimi për dijen. Sot jam shumë krenar për këto katër pika të reja që hapim, janë vetëm 4 fara të para që mbjellim në Tiranë. Prirem të jem gjithnjë ai optimisti kronik dhe të shoh më të mirën, ndaj realisht ju uroj sukses të katër bibliotekave”, tha ai.

Veliaj u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është t’u mësojë të rinjve profesionet e së ardhmes, dhe prova më e mirë për këtë janë hapja brenda një jave e disa akademive digjitale. “Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? ‘Jep peshk’ apo mëson si peshkohet? Ka plot që ‘japin peshk’. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicja jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi se: “Unë e marr si kompliment kur njerëzit më thonë janë rritur shumë çmimet e pronës në Tiranë. A nuk do të ishte mëkat në fakt, të degjeneronte çmimi i pronës dhe mos të kishte asnjë vlerë? Pra, për një kryetar bashkie është lajm i mirë që është rritur vlera e pronës, që do të thotë infrastruktura, lehtësirat, investimet kanë bërë që prona të vlejë më shumë. Nuk besoj se ka një mënyrë më të mirë për të mbushur këto hapësira sesa me atë që është sot strategjia më e mirë për një komb, të ngarkojë të rinjtë e saj me aftësi digjitale, që munden të përkthehen në vende pune, në start-up apo në industri të reja”, theksoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura