“Hapësira zero”, projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias

Apr 23, 2018 | 14:52
SHPËRNDAJE

Në 26 Maj, Tirana hap dyert e saj plot ngjyra dhe histori në Bienalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Në prani të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetarit të Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj, u prezantua sot projekti fitues, “Hapësira zero”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias, i cili paraqet një pjesë të mjedisit urban, historisë dhe traditës së Tiranës përmes portave të vjetra të marra nga banesat e kryeqytetit, si element për të shpjeguar hapësirën ku bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.Veliaj gjate konferences per BIenalen e Venecias  (1) (1)

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që në këtë event ndërkombëtar vendi ynë do përfaqësohet me Tiranën, ndërsa vlerësoi idenë e prezantuar dhe pritshmëritë e larta për pavionin shqiptar. “Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia, është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar, ndaj jemi të lumtur që po shkojmë ta tregojmë falë këtij grupi historik, i cili do na bëjnë shumë krenar”, tha ai. Veliaj u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë.Veliaj gjate konferences per BIenalen e Venecias  (2)

Ai shtoi se Tirana është një nga qytetet më me jetë, i mbushur me plot sfida, ku ia vlen të jetosh. “Në punën time qëllon që takoj shpesh shumë kryetarë bashkie të qyteteve më të zhvilluara, të cilët kanë infrastrukturën, pra tramin, metrotë, ndërtesat luksoze, rrugët me infrastrukturë shumë moderne, por s’kanë njerëz, s’kanë jetë. Nëse do të bëja një zgjedhje midis Tiranës me shumë sfida në infrastrukturë dhe një qyteti me infrastrukturë perfekte, por pa jetë, ku çdo gjë mbyllet në orën 5, padyshim do të zgjidhja Tiranën. Për ne që kemi zgjedhur Tiranën si vendin ku jetojmë, ku kemi familjet tona, kjo vepër është konfirmimi i kësaj zgjedhje që kemi bërë, pra të jetojmë me shumë sfida në infrastrukturë, por me jetë kudo”, tha kreu i bashkisë. Më tej, Veliaj theksoi se një investim në art apo kulturë sjell më shumë përfitime për qytetin, jo vetëm në aspektin ekonomik.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale jo vetëm sjell një ide, por mbi të gjitha qytetari. “Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki dhe Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. “Kati zero”, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, deklaroi Kumbaro.

‘Freespace’ interpretohet si çlirimi i hapësirës në nivelin zero, për të krijuar qytetin ku të gjithë i shërbejnë diçka dikujt. Pasuria e ritualeve dhe metodologjive të traditave shpirtërore, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, i atribuon “portës” një simbologji të gjerë dhe të pasur me domethënie. Në kultura të ndryshme, akti i “kalimit të pragut”, ka pra domethënien e bashkimit me një botë të re, dhe njëkohësisht porta përfaqëson ndarjen dhe komunikimin e dy ambienteve, jo thjesht si mjet identifikues i kufijve të hapësirës ndërmjet një ambienti të brendshëm apo të jashtëm dhe anasjelltas, por edhe si kalim mes dy nivelesh: e njohura dhe e panjohura, hyjnorja dhe njerëzorja.

Është edhe për këtë arsye që janë zgjedhur portat si element për të shpjeguar Tiranën; atë të vjetër dhe atë moderne. Seria e dyerve e instaluar në ‘Hapësirën Zero’ linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prezenca e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishëm kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura