Hapen zarfet, zbulohet skenari i PS-së për zgjedhjen e Presidentit të ri! Emri do të dalë nga Kryesia e PS-së

Jun 1, 2022 | 13:30
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Shqiptarët do të mësojnë pasditen e së premtes emrin e pasardhësit të Ilir Metës.

Kryesia-e-PS-4

Partia Socialiste do të mbledhë të premten Kryesinë. Mbledhja do të mbahet në orën 17:00, ndërsa pritet që të bëhet publik dhe emri i kandidatit që do të propozohet nga Partia Socialiste. Opozita nuk propozoi asnjë emër në tri raundet e para kur kërkoheshin 84 vota për të zgjedhur Presidentin.

Ndërsa tashmë pritet që kandidati të propozohet nga mazhoranca, sipas Kushtetutës duhen të paktën 71 vota deputetësh për të pasur kreun e ri të Shtetit. Presidenti i ri i Republikës do të zgjidhet pasditen së shtunës, me shumë gjasë vetëm me votat e socialistëve. Por, momentit të ditës së shtunë do t’i paraprijë mbledhja e Kryesisë së PS-së sapo Kryeministri të kthehet nga vizita disa ditore në SHBA. Kurse të shtunën në orën 08:00, grupi parlamentar do të mbledhë firmat për të mbështetur kandidatin për President dhe dorëzuar emrin e atij që me shumë gjasë pasditen e po kësaj dite, do të jetë Presidenti i ri i Republikës.

Paraditen e 4 qershorit do të mblidhet grupi parlamentar socialist, i cili do të mbështesë me firma kandidatin për kreun e shtetit. Në mesditë kandidati i përzgjedhur nga mazhoranca do të zhvillojë seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Dhe pasditen e 4 qershorit, deputetët do të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tregoi dje se çfarë pritet të ndodhë në Kryesinë e PS-së të premten ku do të dilet me një emër kandidati për Presidentin e ri të vendit. Me këtë emër, kryesia e PS-së do të shkojë në grupin parlamentar për të marrë më pas firmat e deputetëve. Sipas Ballës, kreu i ri i shtetit me rëndësi është “të jetë i ndryshëm nga Ilir Meta”, teksa nuk dha detaje mbi gjininë e kandidatit që pritet të zgjedhë mazhoranca në këtë raund të katërt ku do ta zgjedhë e vetme me 71 vota Presidentin e vendit.

“Tani na takon ne. PS-ja ka institucionet e veta të vendimmarrjes. Kryesia është organi më i lartë vendimmarrës në emër të PS-së. Vendimi i Kryesisë do të bëhet publik e po ashtu duhet që vendimi t’i jepet e grupit parlamentar se nga aty deputetët do mbështesin me firma kandidatin apo kandidaten. Natyrshëm, unë dhe dy kolegët e tjerë do kemi informim të Kryesisë së PS-së për ecurinë e procesit e prisni ditën e premte, do ua themi Kryesisë një herë pastaj juve”, u shpreh z. Balla.

Ai nuk specifikoi nëse do të jetë grua apo burrë, por garantoi se: “Nuk duhet përjashtuar asnjë prej gjinive me rëndësi të kemi President që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit publik dhe ato që përcakton Kushtetuta, i ndryshëm nga Ilir Meta. Unë po ju them që dëshira jonë ishte që ta zgjidhnim bashkë me opozitën. Nuk i bën nder Partisë Demokratike drejtuar nga Alibeaj që të kthehet në format e vjetra të bojkotit.

Edhe pse nga bojkoti është dëmtuar PD-ja, nga bojkoti duhet të nxirren mësime dhe shpresoj që të shtunën në orën 18:00 mos të bëjnë të njëjtin gabim. Mazhoranca është e paevitueshme në zgjedhjen e Presidentit. Dëshira ka qenë që ta zgjidhnim bashkë. Ju keni qenë këtu, keni parë ndonjë kandidat që është depozituar aty lart, nuk ka pasur. Do jetë President i gjithë shqiptarëve”.

Braho: PS-ja do të zgjedhë një ish-ministre për Presidente

Ish-deputeti socialist, Spartak Braho, zbuloi dje se Partia Socialiste do të zgjedhë ditën e shtunë Presidentin e ri, që sipas tij do jetë femër. Ndonëse nuk përmendi emër, Braho shprehet se është një ish-ministre që ndërkombëtarët e kanë pranuar pjesë të strukturave euroatlantike.

Duket se Braho i referohet, ish-ministres demokrate, Majlinda Bregut, aktualisht sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. “Do zgjidhet në raundin e katërt, do jetë një zonjë që gjuante djathtas e priste majtas që ndërkombëtarët e kanë pranuar se pjesë të strukturave euroatlantike dhe që origjinën e ka nga Durrësi. Ish-ministre? Ish-ministre”, theksoi Braho. Ish-deputeti socialist Spartak Braho komentoi në “Report Tv” përçarjen e PD-së.

Sipas tij, Apeli nuk do t’i japë partinë Berishës. “Berisha nuk është më faktor politik, është kadavër, kufomë politike, populli i thotë xhenaze. Ai ka 5 mijë, 10 mijë, 100 mijë mbështetës i ka, një pjesë e tyre janë idealist, një pjesë patriot, ka nga ata të mashtruarit të gënjyerit. Nuk ka parti. Zyrtarisht, PD-ja është partia që është vendosur në Gjykatë, komanduar nga Alibeaj.

Apeli nuk e njeh Berishën, sepse s’ka arsye ligjore ta njohë”, deklaroi ish-deputeti i PS-së. Braho komentoi edhe kritikat ndaj Ramës për SPAK-un, se përse nuk ka goditur edhe djathtas por vetëm majtas. Sipas Brahos, kjo është një ndërhyrje në punët e drejtësisë. “Ndërhyrje në punët e SPAK-ut, s’ka punë Kryeministri apo drejtues të politikës të thonë pse arreston majtas e jo djathtas ose anasjelltas. Larg duart nga SPAK-u, ose t’i vërë para përgjegjësie penale”, tha Braho.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura