Hapen listat e kandidateve 100 %!/ Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin e ndarjes së mandateve sipas “herësit”!

Jun 30, 2021 | 15:47
SHPËRNDAJE

GJykata KushtetueseGjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë si papajtueshme më Kushtetutën nenin e Kodit Zgjedhor, që parashikon ndarjen e mandateve me thyerjen e herësit.

Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare, e Myslim Murrizit, të cilët kanë kërkuar heqjen e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Elektoral.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësinë që listat e kandidateve të partive politike do të jetë të hapura 100%. Me këtë vendim të Kushtetueses nuk do të ketë më përparësi renditja e kandidatëve në listë sipas pëlqimeve të kryetarëve të partive, por renditja do të bëhet sipas mbështetjes që do të kenë kandidatët në garë.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thekson Gjykata Kushtetuese.

Çfarë parashikon neni 163/3

3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi.
Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

Neni 163

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

(shfuqizuar pika 6 dhe ndryshuar pika 7 me ligjin nr. 101/2020, datë 23.7.2020, ndryshuar me ligjin nr. 118/2020, datë 5.10.2020)

1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt.

2. Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të renditjes së tyre në listën e dorëzuar sipas nenit 67 të këtij Kodi, duke filluar nga numri rendor një, si dhe numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.

3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

4.  Kandidatët me numrin më të lartë të votave parapëlqyese se herësi, sipas pikës 5 të këtij neni, zëvendësojnë me radhë kandidatët në listë, që mund të kishin përfituar mandate, të cilët kanë numrin më të vogël të votave parapëlqyese.

5.  Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar. Në këtë rast zëvendësimi kalon te kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart me numër votash deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere. Kur kandidati me numër më të madh votash se herësi i përket të njëjtës gjini, zbatohen parashikimet e pikës 4 të këtij neni.

6.Pas shterimit të zëvendësimit të kandidatëve sipas pikës 3 dhe 4 të këtij neni, shpërndarja e mandateve vijon me kandidatët e mbetur sipas numrit rendor të listës.

7.  Kandidatët e mbetur të listës, që nuk përfitojnë mandate sipas pikave 2 deri 6 të këtij neni, rirenditen në bazë të numrit të votave parapëlqyese duke filluar nga numri më i lartë i votave. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

8. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura