Hapen aplikimet për Master/ Kuotat e pranimeve dhe kostoja për një diplomë të Nivelit të Dytë në Universitetin e Tiranës! Ja kategoritë që kanë prioritet

Sep 14, 2021 | 16:07
SHPËRNDAJE

universitetiitiranes

Ata që kanë një diplomë Bachelor dhe duan të specializohen më tej në studime të nivelit shkencor a profesional, duke nisur nga kjo javë kanë mundësitë aplikojnë në sekretarinë e fakultetit që zgjedhin për të fituar mundësinë e shkollimit.

Njësitë e Universitetit më të madh, atij të Tiranës kanë hapur thirrjet për pranimin e dokumenteve (paketa e plotë në tabelën përbri shkrimit). Pjesë e aplikimeve mund të bëhet çdo person që ka përfunduar me sukses studimet e ciklit të parë në Shqipëri a jashtë vendit, me kusht që diploma të jetë njehsuar, por shansin më të madh për t’u pranuar e kanë disa kategori.

KANË PRIORITET

Studentët që kërkojnë të kryejnë një Master, qoftë Profesional a Shkencor në të njëjtin fakultet ku përfunduan studimet Bachelor shikohen me përparësi në radhën e pranimeve për ciklin e dytë të studimeve. Profili i njëjtë ose i ngjashëm me të dy ciklet gjithashtu përbën prioritet. E vetëm pasi t’u jetë bërë vend më të mirëve të këtyre dy kategorive, shqyrtohen aplikimet për studentët e diplomuara jashtë vendit në universitet me programe me lëndë të njëjta ose të përafërta dhe sigurisht të akredituara. Renditja finale e fituesve që pritet të shpallet në fillim të muajit tetor, përpara se të hapen auditorët për vitin e ri akademik, bëhet sipas radhës së mësipërme, duke respektuar notën mesatare.

KUOTAT

Në muajin prill të 2021, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka caktuar numrin e pranimeve për të dy ciklet e studimeve, përkatësisht për Master shkencor, 3223 kuota dhe për Master Profesional, 2131. Ky numër i referohet vetëm kandidatëve brenda vendit, pasi për kategori të tjera ka kuota të veçanta. Më konkretisht, ato për studentë nga trojet, shtetas të huaj, ata që vijnë nga shtresa të margjinalizuara. Kuota të posaçme ka edhe për transferime apo ata që kërkojnë të bëjnë një program të dytë. Totali është miratuar si numër nga Ministria e Arsimit, pasi duhet të përshtatet me hapësirën apo kapacitetet që ka shkolla, si dhe raportin pedagog/studentë.

TARIFAT

Ata që kryejnë studimet Master në Universitetin e Tiranës këtë vit i kushton po aq sa atij që ka kryer të njëjtat studime përgjatë viteve të fundit, pasi fatura ka mbetur e pa lëvizur në vite. Shumica e profileve ofrohen kundrejt një tarife vjetore prej 60 mijë lekësh, siç janë Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në nivelin Master Profesional, ndërsa më i shtrenjti është Masteri Shkencor pranë Fakultetit të Ekonomisë që kushton 105 mijë lekë në vit. Veç kësaj shume, për të vënë këmbën në fakultet nevojitet një tarifë regjistrimi që është 2 mijë lekë për ata që janë për herë të parë dhe 3 mijë për ata që duan një program të dytë apo transferohen nga një universitet tjetër. Ashtu si niveli Bachelor, edhe ekselentët që përfundojnë vitin e parë me mesatare 10.00 përjashtohen nga tarifa e shkollimit në vitin e dytë.

dokumenteteaplikimitmaster

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura