Hapen aplikimet për Lotarinë Amerikane, dokumentet dhe si duhet vepruar

Oct 1, 2015 | 7:30
SHPËRNDAJE

Duke nisur nga sot, të gjithë ata që besojnë në “ëndrrën amerikane” kanë mundësi të hedhin një hap drejt saj, duke u bërë pjesë e lotarisë. Ashtu si çdo vit, Ambasada Amerikane ka njoftuar hapjen e aplikimeve që do të zgjasin deri më 3 nëntor të këtij viti. Përmes një udhëzimi të posaçëm, janë detajuar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga fillimi deri në fund. Gazeta zbardh disa nga kriteret e përcaktuara, që secili prej të interesuarve duhet të ketë parasysh gjatë momentit të plotësimit të formularit.

lotaria
“Ju inkurajojmë që të aplikoni në fillim të periudhës së regjistrimit. Kërkesat e tepërta nga fundi i periudhës së regjistrimit mund të ngadalësojnë sistemin. Asnjë aplikim nuk do të pranohet pas mesditës, e martë, 3 nëntor 2015”, sqarohet nga Ambasada Amerikane. Referuar udhëzimit, vlen të qartësohet se individët që do të aplikojnë më shumë se një herë gjatë periudhës së regjistrimit do të skualifikohen. Sakaq, të drejtë për t’u bërë pjesë e lotarisë do të kenë të gjithë ata që janë mbi 18 vjeç. Ambasada e vë në dukje këtë fakt pasi kriter bazë është përfundimi i arsimit të mesëm. Lidhur me shpalljen e fituesve, dokumenti sqaron se verifikimi do të mund të bëhet duke nisur nga data 3 maj e vitit pasues deri në fund të muajit qershor. 

PERIUDHA E REGJISTRIMIT
Regjistrimi për Programin e Lotarisë DV-2017 duhet të kryhet në mënyrë elektronike në: www.dvlottery.state.gov, midis mesditës, orës ditore lindore, e enjte, 1 tetor 2015, dhe mesditës, orës standarde lindore, e martë, 3 nëntor 2015. Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesë të faqes së internetit. Aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen. Ligji lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta. Individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen.

PËRZGJEDHJA E APLIKANTËVE
Bazuar në shpërndarjen e vizave të disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Për të gjithë aplikantët e DV-2017 do të kërkohet të shkojnë te Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve duke përdorur numrin unik të konfirmimit të ruajtur nga regjistrimi DV-2017 i aplikimit të tyre në internet për të gjetur nëse aplikimi i tyre është përzgjedhur në programin e DV. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të E-DV www.dvlottery.state.gov duke filluar nga 3 maji 2016 deri të paktën më 30 qershor 2017.

KËRKESAT PËR ARSIM OSE EKSPERIENCË PUNE
Ligji dhe rregullat e emigracionit të Shteteve të Bashkuara kërkojnë që çdo aplikant duhet të ketë të paktën një arsim të shkollës së mesme ose ekuivalentin e saj, ose brenda pesë viteve të fundit të ketë dy vjet përvojë pune në një profesion që kërkon përvojë ose trajnim të paktën dy vjet. Një “arsimim i shkollës së mesme ose ekuivalente” përkufizohet si përfundimi me sukses i një kursi dymbëdhjetëvjeçar fillor dhe të mesëm në Shtetet e Bashkuara ose përfundimin e suksesshëm në një vend tjetër të një kursi edukimi zyrtar të krahasueshëm me filloren dhe të mesmen të një shkolle në arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara. Vetëm kurset zyrtare të studimit e përmbushin këtë kërkesë, kurset e korrespondencës ose certifikata të ngjashme (të tilla si me kohë të pjesshme G.E.D.) nuk janë të pranueshme. Prova të dokumentuara të edukimit ose përvojës së punës duhet t’i prezantohen zyrtarit konsullor në kohën e intervistës për vizë. Nëse ju nuk i përmbushni kërkesat për edukim ose për përvojë pune, regjistrimi juaj do të skualifikohet në ditën e intervistës për vizë dhe as juve e as anëtarëve të familjes suaj nuk do t’u lëshohet vizë.

PROFESIONET QË KUALIFIKOHEN
Për të përcaktuar të drejtën ligjore bazuar në përvojën e punës, do të përdoren përkufizimet e publikuara në bazën e të dhënave të Departamentit të Punës (DOL) O*Net On- Line Database. O*Net OnLine Database grupon përvojën e punës në pesë “zona të punës.” Edhe pse shumë profesione janë të shënuara në faqen e internetit të Departamentit të Punës (DOL), vetëm disa profesione specifike të caktuara kualifikohen për programin e DV-së. Për t’u kualifikuar për një DV në bazë të përvojës suaj në punë, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në një shkallë të përgatitjes së veçantë profesionale të vlerës 7.0 ose më lart. Nëse ju nuk i përmbushni kërkesat për edukim ose për përvojë pune, regjistrimi juaj do të skualifikohet.

AMBASADA AMERIKANE PËRGJIGJET PËR DISA NGA PYETJET MË TË SHPESHTA TË QYTETARËVE
Kur mund ta dorëzoj aplikimin tim? Mbajtja e periudhës së regjistrimit në këto data siguron që të përzgjedhurit të njoftohen brenda afatit dhe u jep kohë për t’u përgatitur si aplikantëve të vizave, ashtu edhe ambasadave e konsullatave tona që të plotësojë rastet për lëshimin e vizave. Ju inkurajojmë që të aplikoni në fillim të periudhës së regjistrimit. Kërkesat e tepërta nga fundi i periudhës së regjistrimit mund të ngadalësojnë sistemin. Asnjë aplikim nuk do të pranohet pas mesditës, e martë, 3 nëntor 2015.

Sa shpejt pas regjistrimit të formularit do të marr njoftimin për konfirmimin elektronik? Ju duhet të merrni njoftimin konfirmues menjëherë, së bashku me numrin e konfirmimit, i cili duhet ruajtur dhe mbajtur. Megjithatë, duke u nisur nga natyra e paparashikueshme e internetit, mund të njoftoheni me vonesë. Ju mund të shtypni butonin “Submit” sa herë të jetë e nevojshme deri në pranimin e plotë të formularit dhe deri në njoftimin për marrjen e konfirmimit. Megjithatë, sapo të merrni njoftimin konfirmues, mos e ridërgoni informacionin tuaj.

Si mund ta di nëse unë jam përzgjedhur?
Ju duhet të përdorni numrin tuaj të konfirmimit për të hyrë te Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve (Entrant Status Check), që bëhet aktiv në faqen e internetit të E-DV-së www.dvlottery.state.gov nga 3 maji 2016 deri të paktën në qershor 2017. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve është mënyra e vetme që do t’ju njoftojë juve për përzgjedhjen, do t’ju ofrojë udhëzime të mëtejshme se si të vazhdoni aplikimin, t’ju njoftojë për datën dhe orën e takimit të intervistës për vizë. Faqja e vetme e internetit e autorizuar nga Departamenti i Shtetit për regjistrimin e Vizës së Shumëllojshmërisë dhe për të Kontrolluar Statusin e të Regjistruarve (Entrant Status Check) është www.dvlottery.state.gov. Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kontaktojë që t’ju njoftojë nëse jeni përzgjedhur.

Si do ta dalloj nëse nuk jam përzgjedhurë A do të njoftohem?
Ju mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj për DV- 2017 nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve (Entrant Status Check) në faqen e internetit E-DV www.dvlottery.state.gov, duke filluar nga 3 maji 2016 deri më 30 qershor 2017. Ruajeni numrin tuaj të konfirmimit të paktën deri më 30 shtator 2017. (Informacioni rreth statusit për lotarinë e vitit të kaluar, DV-2016, është në dispozicion në internet nga 5 maji 2015, deri në 30 qershor 2016.) Nëse regjistrimi juaj nuk është përzgjedhur, ju nuk do të merrni udhëzime shtesë.

Si do të përzgjidhen të regjistruarit e suksesshëm?
Njoftimet zyrtare të përzgjedhjes do të bëhen nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, duke filluar nga 3 maji 2016, deri të paktën më 30 qershor 2017, në faqen e internetit E-DV www.dvlottery.state.gov. Departamenti i Shtetit nuk do të dërgojë njoftime për të përzgjedhurit apo letra me postë ose email. Çdo njoftim me email ose letër që ju deklaron se jeni përzgjedhur për të marrë lotarinë nuk vjen nga Departamenti i Shtetit dhe nuk është i ligjshëm. Çdo komunikim me email që ju merrni nga Departamenti i Shtetit do t’ju drejtojë juve për të rishikuar Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve për informacion të ri në lidhje me aplikimin tuaj. Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të dërgoni para me postë apo me shërbime të tilla si Western Union. Të gjitha regjistrimeve të marra nga secili rajon do t’u caktohet një numër individual dhe në përfundim të periudhës së regjistrimit, një kompjuter do të përzgjedhë rastësisht aplikime të marra nga secili rajon gjeografik. Brenda secilit rajon, aplikimi i parë i zgjedhur rastësisht do të jetë rasti i parë i regjistruar, aplikimi i dytë i përzgjedhur do të jetë rasti i dytë i regjistruar etj. Të gjitha regjistrimet e marra gjatë periudhës së aplikimit do të kenë një shans të barabartë për të qenë të përzgjedhur në çdo rajon. Kur një regjistrim është përzgjedhur, aplikanti do të njoftohet për zgjedhjen e tij/saj nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve (Entrant Status Check) që do të vihet në dispozicion nga 3 maji 2016 në faqen e internetit të E-DV-së www.dvlottery.state.gov. Në qoftë se ju jeni përzgjedhur dhe ndiqni udhëzimet e dhëna online nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, Qendra Konsullore në Kentucky (KÇ) e Departamentit të Shtetit do të shqyrtojë rastin derisa kandidatët e përzgjedhur për intervistë të marrin udhëzimet për t’u paraqitur në intervistë për vizë në një ambasadë ose konsullatë të SHBA, ose derisa ata që ndodhen në SHBA, të aplikojnë në një zyrë lokale të USCIS për të rregulluar statusin.

Sa kushton regjistrimi?
Aktualisht nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar elektronikisht për lotarinë. Sidoqoftë, nëse ju jeni përzgjedhur, duhet të paguani të gjitha tarifat për vizë të kërkuara në kohën e aplikimit për vizë si dhe intervistë drejtpërdrejt tek arkëtari konsullor në Ambasadën e Shteteve te Bashkuara apo Konsullatë. Nëse ju jeni një i përzgjedhur që ndodheni tashmë në SHBA, dhe aplikoni pranë USCIS për të rregulluar statusin, ju do t’i paguani të gjitha tarifat e kërkuara direkt pranë USCIS. Nëse jeni përzgjedhur, ju do t’i merrni detajet mbi tarifat e kërkuara të aplikimit për vizë emigrimi të DV-së bashkë me udhëzimet e dhëna nëpërmjet faqes së internetit të E-DV-së në www.dvlottery.state.gov.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura