Hapen aplikimet, një mijë vende pune për të rinjtë. Klosi: Punësim sezonal dhe kredite për praktikën

Jun 13, 2018 | 8:35
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka hapur aplikimet për një mijë vende, ku do të punësohen të rinj përgjatë stinës së verës. Projektin “Smile Albania” e lançoi ministri Blendi Klosi gjatë një takimi me studentë të degëve mjedisore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës.

“Përgjatë dy muajve, na duhet që të kemi 1 mijë të reja dhe të rinj në Shqipëri, që t’i kemi partnerë në përpjekjen tonë për një Shqipëri të pastër dhe në përpjekjen tonë për të ruajtur mjedisin në vend. Ne duam të ndërtojmë 1000 ambasadorë të mikpritjes shqiptare, 1000 trajnues të edukimit mjedisor shqiptar. Është një detyrim, të cilin ne e kemi në kuadër të një Shqipërie turistike”, iu drejtua ministri studentëve.

klosi usaid

PROJEKTI

“Smile Albania” angazhon një mijë të rinj për të promovuar Shqipërinë turistike. Nga sot, mjafton që ata të aplikojnë në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Tiranë dhe në 12 degët e saj në qarqe për të qenë pjesë e konkursit për një nga këto vende pune. Të përzgjedhurit duhet të kenë njohuritë bazë të ruajtjes së mjedisit, ndaj studentët e profileve mjedisore janë favoritë për të fituar këto vende pune. Përfitimi i tyre është i dyfishtë: përveçse do të paguhen, fitojnë edhe kredite për praktikat e detyrueshme mësimore.

“Me zv/rektorin, ne ramë dakord që të bëjmë një kontratë të rregullt ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Rektoratit, me qëllim për t’u bërë pjesë e krediteve mësimore kjo praktikë 2 mujore dhe për të qenë pjesë e kurrikulës së praktikës. E gjithë kjo praktikë do të jetë e paguar me një pagë pak më e lartë se paga minimale, 300 mijë lekë për çdo vajzë apo djalë që do të rrijë gjatë këtij aksioni, përfshirë edhe sigurimet që janë të mbuluara nga AKZM”, nënvizoi ministri Klosi.

Ata që do të bëhen pjese e projektit, do të stacionohen në nëntë pika hyrëse dhe 15 inforpoint si dhe në zonat më të zhvilluara turistike, ku përveçse do të promovojnë turizmin do të mbrojnë dhe mjedisin në pikat më të zhvilluara turistike. Po ashtu, gjatë gjithë sezonit të verës, do të ngrihen të paktën pesë kampe rinore në zonat e mbrojtura, në Velipojë, Divjakë, në Jalë, në Sarandë dhe në Pogradec. Përveç arsyes për të cilën janë aty, edukimit mjedisor, të rinjtë do të kenë mundësinë që të bëjnë edhe jetë sociale pranë plazheve më të mira në vend. “Smile Albania” është një praktikë që ne e zhvillojmë për herë të parë këtë vit dhe që synohet të kthehet në traditë në çdo verë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura