Hap pas hapi me pikturën e Simon Rrotës: Pikturat e humbura dhe Padiglione dell`Albania

Aug 2, 2018 | 18:31
SHPËRNDAJE

Suzana Varvarica Kuka/ Në gjysmën e parë të shek. XX, Simon Rrota është pinjoll i rëndësishëm i artit figurativ në Shkodër. Shkodranët, aso kohe të tij, i kënduan këngë për dashamirësinë e tij ndaj vendlindjes dhe Shkodra në ditët e sotme e respekton, duke i trashëguar mirënjohje ndaj vlerave të veçanta të pikturës së tij. Ndërsa thesaret e saj nuk rreshtin së zbuluari, diktoj se shënimet për Simon Rrotën janë pasuruar edhe me kujtimet e djalit të tij të parë, Rafaelit. Ai si ndjekës i jetës së babait të tij, shënimet e veta i ka radhitur si disa fakte të disa kohëve. Dhe, në kapitullin III, me titull “Prejardhja e fisit tonë”, në faqen e parë shkruan se:

“Për jetën e tij ka shkrue vetë Simoni (baba). Këtu në vijim, unë Rafaeli, djali i tij, po shtoj disa gjana që ai vetë nuk i ka përmendë…në vjetin 1940, gjatë okupacionit fashist,…kundër vullnetit dhe me frikë se humbin, u detyrue me dorëzue 6 copë kuadro me bojë voji, ndër ma të bukurit që kishim në shtëpi…kuadrot Federata e Fashave në Shkodër, i nisi në Bari të Italisë në “Castello Svevo” në ekspozitën…”La Mostra Trienale d`Oltremare”… Këta kuadro u zhdukën e humbën pa lanë gjurmë e megjithë protestat dhe korrispondencën e zhvillueme për mjaft kohë nga vet Simoni, nuk u dijt kurr përfundimi i tyne…”.

41092944_967676263420730_4942347033626279936_n

Ky shënim dëshmon se fakti i humbjes së gjashtë veprave në pikturë, në vijimësi kthehet në ndjenjë dhembjeje, duke kaluar nga Simon Rrota tek i biri Rafael Rrota dhe, më tutje, tjetërsohet si shenjë edhe për studimet në historinë e artit. Dhe pas kësaj u nxita të kërkoj diçka më shumë rreth veprimtarisë dhe kështjellës, duke medituar se kanë kaluar plot 80 vite dhe misteri i gjendjes se veprave mbetet në hije.

1.

Kështjella Svevo ose Castello Svevo në Bari, Itali, ishte stacioni i parë i mbërritjes së veprave të Simon Rrotës, për t’u ekspozuar në “Mostra d`Oltremare” në Napoli, që ishte pjesë e Panairit apo “Fiera del Levante” në Bari. Castello Svevo është një kështjellë në pjesën puliane të Barit. Ajo u ndërtua rreth vitit 1132 nga mbreti norman Roger II, i quajtur Frederiku II i Perandorisë së Romës së Shenjtë. Në mjediset e kështjellës, që në ditët e sotme është restauruar dhe kthyer në një qendër multifunksionale kulturore, grumbulloheshin të gjitha produktet që vinin nga vendet e pushtuara prej Italisë, të cilat ishin koloni të saj. Vitet ‘40 janë vite të Regjencës fashiste në Itali, si dhe në Shqipëri. Në mënyrë të natyrshme, piktori Simon Rrota asaj kohe, edhe pse i rrethuar nga shqetësimi i humbjes së tyre, është ndjerë i vlerësuar, pasi gjashtë veprat e përzgjedhura, edhe pse ndërmjetës kanë qenë Fashat, tregon rreth interesit për botën e tij të artit.

40766735_413717012498138_1131789823128895488_n

Në gjurmim të veprimtarisë së këtij panairi, mëson se ishte një veprimtari e madhe dhe e rëndësishme për nderin e Italisë në sytë e botës. Qëllimi i saj ishte të tregonte zhvillimin social-ekonomik që kishin marrë vendet e kolonizuara nga Italia fashiste, nën drejtimin e saj politik dhe kulturor. Dhe kjo realizohej përmes ekspozimit të produkteve artizanale dhe artit. Afrika Veriore e Shqipëria zinin një vend kryesor në këto ekspozime. Në një veprimtari të tillë, arti dhe piktura trajtoheshin si njësi të ekspozimit muzeal dhe rrallëherë përjashtoheshin. Në vitin 1940, nga Shqipëria u vlerësuan si pjesëmarrëse edhe veprat e Simon Rrotës. Sot, pas shumë vitesh, me njohje racionale, arrijmë të themi se një përzgjedhje e tillë i përket efektit të thekshëm etnografik, që kishin pikturat e tij ndaj të huajve. Nëse Simon Rrota dashurohej pas trajtimeve ikonografike të pamjes së rrugëve të qytetit, të pamjeve të rrugicave të Pazarit të Vjetër e Bexhistenit, si dhe kostumografisë shumëngjyrëshe të modeleve të shumëllojshme nga trevat e Shkodrës dhe malësisë së saj, të huajt zbulonin te pikturat e tij ekzotiken dhe të ndryshmen. Në këtë arsye, Fashat e Shkodrës propozuan veprat e Simon Rrotës si pjesëmarrëse në panairin e vitit 1940. Asokohe, interesi i tyre mbi pikturën e Rrotës nuk i dëmtonte aspak ndjenjat e tij patriotike, pasi marrja e tyre ka qenë marrëveshje për t’u rikthyer në Shqipëri, gjë që nuk ndodhi, për arsyet e zhvillimit të luftës.

40685374_235808600439558_3881646701726924800_n

Ajo çka të ndjell t’i shkosh gjurmimit edhe më tutje është se asokohe zbulohet të jetë ndërtuar edhe Pavijoni i Shqipërisë në Napoli. Ai u projektua nga arkitektët italianë Gherardo Bosio, që e njihte mirë Shqipërinë dhe Pier Nicolo Berardi, bashkëpunëtor i tij. Në Shqipërinë e pas viteve ‘90 është folur shumë për arkitektin Bosio dhe shumë pak për Berardi-n. Bosio u diplomua në Romë në Inxhinieri dhe më pas në Firence për Arkitekturë. Përvojat e tij deri në 1941 ishin ndërmjet Italisë dhe studios McKim, Mead & White në New York. Në kohën e tij, edhe pse jetoi shumë pak, u cilësua personalitet i shquar në grupet e arkitektëve të rinj fiorentinë dhe toskanë, ku në këtë të fundit, njohu Berardi-n. Aftësitë e Bosio-s u bënë referencë në hapësirën italiane të urbanizimit kolonial në Afrikën Lindore dhe në Shqipërinë e Mesme. Konceptet e tij mbi “Qytetin e ardhshëm” i referoi në kongrese dhe i botoi në revistat më të mëdha të kohës. E gjithë koha arkitektonike e viteve ‘30 dhe ‘40 u cilësua si bashkimi i pasionit të Mesdheut me racionalizmin e rafinuar italian.

3.

Bosio me Shqipërinë u njoh gjerësisht, kur u zgjodh në prill të 1939-s drejtor i Zyrës Qendrore për Ndërtimin dhe Planifikimin Urban të Shqipërisë, përmes së cilës hartoi dhe ekzekutoi plane të mëdha rregulluese në Tiranë, Vlorë, Elbasan etj.. Realiteti është se ai punoi nën regjimin e Fashave dhe pjelloria e tij urbanistike e arkitektonike superon mendësitë antifashiste dhe shkakton rikujtesë konkrete dhe theksim mbi realitetin historik të zhvillimit të qyteteve, ku dallon mrekullisht Tirana. Punën e Bosio-s për Tiranën A. Shkreli e quan një akt heroik. Sipas të gjitha shënimeve biografike, shkruhet se Bosio u përzgjodh për rafinimin dhe qartësinë konceptuale mbi urbanizimin dhe ndërtimet e kohës. Me këtë cilësi ai bëri projekte rregullimi territorial të dhjetëra qyteteve jashtë Italisë, si dhe projektoi ndërtesa për sheshet kryesore të tyre.

40796551_228960944466686_5321944807411548160_n

Është shumë domethënës fakti se për ndërtimin e Pavionit të Shqipërisë dhe për modelin e tij, të dy arkitektët, Bosio dhe Berardi, u frymëzuan nga shtëpitë shqiptare të tipit kullë apo fortesë prej guri. Pavijoni i ndërtuar në Napoli, ku u zhvillua “Mostra d`Oltremare ose ekspozita me punime nga tokat e pushtuara përtej detit”, u cilësua zyrtarisht ngjarja më e madhe e kohës. Ajo kishte për qëllim të tregonte sukseset e zgjerimit politik kolonial dhe ekonomik të Italisë fashiste. Nën presionin e Luftës së Dytë Botërore, aktivitetet u hapën një muaj me vonesë më 9 maj 1940, pasi ishin parashikuar të hapeshin në mars. Në Bari u hap Fiera dhe në Napoli Ekspozita. Të dy veprimtaritë u përshëndetën nga avokati dhe deputeti i Partisë Fashiste Vincenzo Teçhio (1895-1953), njëkohësisht presidenti i ekspozitës, i cili udhëhoqi edhe punimet në ngritjen e Ekspozitës d`Oltramare. Për ndërtimin e Ekspozitës, më parë u prishën me urdhër të Fashave me dhjetëra e shtëpi ekzistuese të Qarkut Castellana. Përurimi u krye në prani të mbretit Vittorio Emanuele III i Savojës (1869-1947), i njohur edhe si mbret për Shqipërinë e pushtuar. Savoja është dhe emri i parë i ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, aq e përfolur këto muajt e fundit për t’u shembur nga drejtuesit administratorë të kulturës shtetërore dhe po aq e mbrojtur nga rezistenca e kulturës popullore.

40749475_1697794750330367_1402934600333787136_n

Çelja dhe përurimi i Panairit dhe Ekspozitës zgjatën vetëm një muaj, për shkak të bombardimeve. Shpërthimet luftarake goditën thuajse 60 për qind të ndërtesave në zonat e tyre. Ato pësuan dëme të mëdha. Kjo bëri që e gjithë zona të mbyllej. Ajo u la në një gjendje të mjerueshme dhe u braktis e gjitha deri në fund të luftës. Ekspozita pati katalogun e saj “Il Padiglione dell`Albania: alla prima mostra triennale delle terre d`Oltremare” realizuar nga Armando Dillon dhe Romano Romanelli, bot. Arte mediteranea, e vitit 1940. 12 Ilustrimet e katalogut u përkasin veprave të artistëve italianë të periudhës mbi Shqipërinë. Në të përfshihet dhe një fotografi e eskuestrit të Skënderbeut në Romë të Romano Romanelli-t.

4.

Gjatë këtij vëzhgimi mbetet të pranohet se gjashtë veprat e Simon Rrotës të jenë ekspozuar në Fieran e Barit, në pjesën e produkteve shqiptare. Në tekste të ndryshme të argumentimit mbi historinë e “Fiera del Levante” saktësohet se Fiera apo panairi përsëritet çdo shtator, me përjashtim të periudhës 1940-1946, për shkak të shkatërrimit të luftës që pësoi kryeqyteti i Pulias. Gjithashtu, kjo justifikon se në pjesën më të madhe prodhimet e përdorimit të përditshëm, arti, artizanati dhe kostumet e ardhura nga përtej detit, si vende të Afrikës dhe të Shqipërisë u shkatërruan, u dogjën apo u mbajtën si plaçkë lufte. Nisur nga këto dëshmi të kohës, nga situata e Luftës, natyrshëm veprat e Simon Rrotës kanë pasur fatin e keq në mjedisin e ngjarjeve të luftës, që të mos kthehen pranë autorit. Deri më tani nuk është dokumentuar qartësisht nëse janë tjetërsuar si të shkatërruara, të djegura, të ndodhura diku apo të përvetësuara si plaçkë lufte nga ndonjë familje e organizatorëve apo të tjetërkujt.

*Shkëputur nga përgatitjet e monografisë së autores me titull: “Simon Rrota, piktor i Shkodrës”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura