Hanes Swoboda: Rusia s’është e interesuar të zgjidhet çështja e Kosovës, Vuçiç autokrat

Oct 26, 2021 | 23:45
SHPËRNDAJE

svobodaDiplomati austriak Hanes Swoboda, teksa ka folur për rolin e Rusisë dhe Kinës në rajon, ka thënë se këto dy vende nuk kanë qëllim të mirë dhe se e gjitha që bëjnë është një farsë.

Ish-eurodeputeti në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Rusia e sidomos kryetari i saj, Vladimir Putin, janë të interesuar të krijojnë sa më shumë probleme për të penguar zgjerimin e BE-së.

Sipas tij, Rusia nuk është aspak e interesuar për të zgjidhur çështjen e Kosovës.

“Rusia po ofron ca ilaçe, disa investime aty-këtu, por nëse e shihni mirë, investimet e mëdha në rajon vijnë veçanërisht nga BE-ja në të gjitha vendet e rajonit. Rusia dhe Kina nuk janë duke investuar edhe aq për shkak se po tregohen më të interesuara në shkathtësinë e tyre për të bërë propaganda vetëm përmes deklarimeve kinse janë duke bërë diçka e natyrisht kjo metodë e tyre prek edhe çështjen e vaksinimit, ku të dyja shtetet janë treguar relativisht të suksesshme. As Rusia e as Kina nuk janë të interesuara të gjejnë zgjidhje, ide të reja apo metoda. Rusia sidomos nuk është interesuar fare që të ofrojë ndonjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, aspak”, ka thënë ai.

Swoboda vlerëson se duhet vazhduar luftimi i një shoqërie si ajo ruse, jodemokratike.

“Nuk duam të krijojmë përshtypjen e një shoqërie si ajo e ruse, kundër demokracisë e shumë autokratike. Natyrisht që kjo është në favorin e z. Vuçiç apo z. Orban (kryeministër i Hungarisë), pasi të dy janë njerëz në këtë botën tonë që e pëlqejnë qeverisjen autokratike. Por, kjo nuk është ajo për çfarë jemi duke luftuar ne, nuk është ajo për çfarë është duke luftuar Kosova. Të gjithë amerikanët dhe të gjithë evropianët që janë këtu. Mendoj se duhet të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë. Po ashtu mendoj se nuk duhet të mbrojmë vetëm etninë e një shteti, mirëpo edhe të drejtën e secilit qytetar, pa marrë parasysh a është shqiptar apo serb, secili këtu e ka të drejtën e tij elementare që ta ketë një qeverisje të barabartë dhe kjo është për çka Evropa është duke luftuar”, ka thënë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura