Hamit Boriçi, universalja dhe nobiliteti në jetën e një gazetari

| 12:09
SHPËRNDAJE
 

Besnik-DizdariNGA BESNIK DIZDARI

KUJTIM IM I PASHLYESHËM… Mund të ketë qenë ndoshta viti 1957. Asokohe, pranimi si anëtar i organizatës së rinisë (BRPSH) ishte vërtet i rëndësishëm. Deri aty saqë ndodhte që një i ri me probleme biografike mund të mos pranohej si anëtar. Tesera e anëtarit merrej me një lloj ceremonie, madje në Komitetin e Rinisë së Rrethit. Kështu, edhe unë si të tjerët shkova në Komitetin e Rinisë të Shkodrës, hyra në një zyrë kur m’u thirr emri dhe dola përpara një “komisioni” prej tre a katër personash të rritur, të cilët, të ulur përpara një tryeze, të pyesnin e mandej të dorëzonin teserën. Atë ditë, në tryezën e këtij komisioni ishte edhe Hamit Boriçi, i cili me atë butësinë e tij shembullore, kur më pa mua gjimnazistin e ri, vuri buzën në gaz, dhe tha se “Besnikun e njoh unë” e çdo gjë mori fund menjëherë. Unë dola i gëzuar me teserën e anëtarit të rinisë në dorë.

Natyrisht, Hamit Boriçi njihte fort mirë familjen e fisin tim, por sidomos babën tim, Gani Dizdarin, të cilin e kishte pas mësues. Kjo ishte njohja dhe ky ishte takimi im i parë me Hamit Boriçin. Atë ditë, as atij dhe as mua kurrsesi nuk mund të na shkonte ndërmend se mbas nja 11-12 vjetëve do të vinte një kohë dhe ky anëtar i ri i rinisë, 14-15-vjeçari i mesit të viteve ‘50 dhe njeriu që do t’i dorëzonte teserën e BRPSH-së, do të gjendeshin së bashku gazetarë të gazetës së dytë më të madhe të Shqipërisë së asokohe, së përditshmes “Bashkimit” të Frontit Demokratik të Shqipërisë komuniste. Ndoshta, mësuesit më origjinalë nuk janë ata të shkollës klasike, që të ftojnë në klasë, që të caktojnë bankën, që të bëjnë apelin, që të ngrenë para dërrasës së zezë, që të vënë notën dhe mandej që të shpjegojnë mësimin. Janë të tjerë. Janë ata që, ndoshta edhe papritmas, kur ti sapo ke dalë në jetë dhe kërkon të ushtrosh profesionin, për të cilin ke studiuar ose të cilin ke dëshirë ta përvetësosh, të ndihmojnë e të drejtojnë. Them se Hamit Boriçin, profesorin e shquar të gazetarisë, edhe pse unë kurrë nuk i thashë “profesor”, e kam pasur, pra, mësuesin tim të llojit të dytë, jo atij të klasës së shkollës klasike.

Madje, në një përcaktim më tepër se kaq, them se e kam pasur mësuesin, i cili, si të thuash, të merr për dore, të çon te “klasa” ku të tregon tashmâ jo një bankë, por tryezën e ushtrimit të profesionit. Ky qe mësuesi im, Hamit Boriçi. Dhe kur them kështu, kaloj menjëherë te fakte të tjera të këtij “tregimi”. Madje, kësaj radhe jo te ndonjë fakt BRPSH-je si më sipër. Por te fakte që përcaktojnë fatin e njeriut në jetë. Dhe ky fat, atje lart, ndoshta në qiell, e desht që dyert e apartamentit tim ku jetoja së bashku me vëllaun tim të paharrueshëm, Petrit Dizdari, të ishin jo vetëm në të njëjtin kat, por çuditërisht thuajse të ngjitura me njëratjetrën. Kjo arkitekturë unikale e pallateve të famshme “Agimi” të Tiranës, pra, do të bëhej shkas që unë, vetëm nja dhjetë ditë mbasi isha liruar nga ushtria, të hyja për herë të parë në redaksinë e gazetës së dytë të përditshme të Shqipërisë, që quhej “Bashkimi”, gazetar i rangut të parë i së cilës ishte Hamit Boriçi.

Sapo kisha dorëzuar rrobën jeshile si nënoficer “i denjë” i një komandanti me emrin Alfred Moisiu të repartit të Kavajës (e ky ushtarak akademist, i jashtëzakonshëm në zotësitë e tij, mbas nja 30 e më vjetësh do të bëhej President i Republikës së Shqipërisë) sepse ne, të Institutit të Lartë Pedagogjik na merrnin ushtarë të popullit. E, kështu, për habinë më të papërshkrueshme do të hyja në një gazetë. Ata kishin një vend bosh për korrektor. Tashmâ, Hamit Boriçi e dinte fort mirë vokacionin tim për të shkruar. Kishte e pakta nja 6 vjet që shkruaja e botoja, e madje me “ushtarin” tjetër, Sotiraq Gjordenin, i cili do të bëhej shumë shpejt gazetar i shquar i “Zërit të Popullit” për Durrësin, patëm nxjerrë edhe një gazetë të vogël ushtarake të repartit tonë të Kavajës. Ndoshta, i vetmi rast kësisoj për gjithë repartet ushtarake të Shqipërisë…

“BASHKIMI” I HAMIT BORIÇIT…

E mendoja fort gazetarinë, pra. Kështu që puna e parë e dobishme do të ishte që të futesha në një gazetë. Hamit Boriçi hyri garant për mua, i bindur se do të udhëhiqte ai rrugën time të shpejtë drejt gazetarisë.

Kështu do të ndodhte. Madje, nuk do të vononte. Vetëm 10 muaj më mbas, unë do të emërohesha redaktor i gazetës “Bashkimi”. Ishte viti 1969. Mû këtu nis historia që gatigati e afron tejet nxënësin me mësuesin. E kam fjalën që e afron në status, ngaqë të dy quheshim “redaktorë”. Ndonëse mësuesi ishte një redaktor i vjetër e plot përvojë, i njohur në gjithë Shqipërinë, ndërsa nxënësi një redaktor krejt i ri, i panjohur. I pari në thellësinë e përvojës, i dyti sapo prekte enigmat e panjohura të një përvoje. Ky ishte njeriu, sot 90-vjeçar, profesori “par excellence” i gazetarisë shqiptare. Dhe kur them “par excellence”, nuk zmadhoj asgjë. Vetëm them një të vërtetë absolute. Sepse Hamit Boriçi për historinë e gazetarisë shqiptare është një universal i pakrahasueshëm. Korrespondent nga Shkodra, student i Gazetarisë në Universitetin “Lomonosov” të Moskës e i Universitetit të Tiranës, redaktor, gazetar, shef redaksie, kryeredaktor, pedagog, studiues në Akademinë e Shkencave.

Të gjitha këto përbëjnë, si të thuash, “trupën” e profesoratit të tij tejet hapësinor në gazetarinë shqiptare. Dhe pa ndalë asnjë vit. Sot e kësaj dite, Hamit Boriçi është thuajse pa asnjë ndalesë, jo më para makinës së shkrimit – për vite të tana tejet e dashur për ne – por tash para tastierës së kompjuterit. Është me shkrimet e tij historike të fushës, studiues e hulumtues i teorisë dhe praktikës së gazetarisë, madje themelues fakulteti, dje dhe sot, në regjimin që shkoi dhe në Shqipërinë demokratike, autor i teksteve universitare e librave të tjerë që janë bërë turrë e të cilët të gjithë i përshkon kuptimi modern në plotmërinë e tyre të pacak.

Më 1978 u emërua kryeredaktor i “Bashkimit” dhe mbas pak do të më përfshinte edhe mua në kolegjiumin e redaksisë, që për atë kohë nënkuptonte këshillin vendimmarrës të drejtimit të gazetës. Më parë, një kryeredaktor tjetër, për mua i paharrueshëm në zotësinë e tij drejtuese, Niku Nishku, i cili gjithashtu falë besueshmërisë ndaj Hamit Boriçit, do të firmoste caktimin tim si redaktor i “Bashkimit”, do të krijonte atë që e quajti “grupi i reporterëve”. Është vërtet e çuditshme që në një gazetë të regjimit të përdorej përcaktimi i gazetarisë amerikane “reporter”, madje të krijohej “grupi i reporterëve”. Hamit Boriçi do të ishte shefi i “grupit të reporterëve”.

Niku Nishku me vështrimin e tij të çiltër të qytetarit nobël të Tiranës, që si pakkush synonte edhe bukurinë e gazetës së vërtetë – natyrisht për aq sa ajo lejohej asokohe tejet të vështira – nuk di ta ketë kundërshtuar apo mosbesuar ndonjëherë fjalën e Hamit Boriçit. As atëherë kur me vështrimin e tij pyetës mund të dyshonte sadopak për forcën apo dhe politikën e një shkrimi, që sa delikat që mund të isht për asokohe. E, “grupi i reporterëve”, disi në largësi, do të krijonte një farë xhelozie edhe te “Zëri i Popullit”, me të cilin asnjë gazetë tjetër nuk mund të guxonte të rivalizonte. Nuk qe jetëgjatë “grupi i reporterëve”, ndoshta edhe për shkak të një xhelozie dhe ngaqë rrezikonte të bëhej një shkollë stili. Ne bëmë punën tonë. Ishim katër a pesë gazetarë të rinj, ku bënin pjesë edhe të paharrueshmit Thanas Qerama, Agim Çani e Maksim Kroi, që niseshim me shërbime, e që secili një javë alternoheshim duke u marrë deri me letrat nga populli. Ndërkohë, në shërbimet tona të pandalshme, do të zbulonim ato të reja të jetës shqiptare të asokohe, natyrisht të varfër, por që te ne çuditërisht vinin edhe me çiltërsi, çka gjente prehje te pasioni ynë, të cilin Hamit Boriçi ynë e mbështeste fort.

Vitet kalonin dhe erdhi një kohë që deri diku mund ta quaj një lloj çiltërsie e gazetës “Bashkimi”. Sigurisht, e mbikqyrun bash mirë prej regjimit edhe ajo. E nisur nga Niku Nishku, e mbajtur fort prej një tjetër kryeredaktori, liberali i paharrueshëm me emrin Arqile Aleksi, por që me kryeredaktorin Hamit Boriçi, do të shpaloste një lloj force tjetër, pra. Çka mbas kaq vitesh jo rrallë e bëri këtë gazetë rivale të “Zërit”, natyrisht disi në largësi. Duke trajtuar dukuri të shtypit të asaj periudhe, në librin e tij “Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare”, Hamit Boriçi këte situatë e ka përcaktuar qartë, kur shkruan: “… Uniformiteti, si koncept e praktikë, që gjen shtrat në kushtet e gazetarisë me hapësirë të kufizuar, shprehej në njëfytyrësinë e gazetave e revistave, sidomos në tematikën dhe problematikën në qëndrimin ndaj çështjeve – objekt pasqyrimi, madje deri dhe në mënyrën e faqosjes. Këto ushqeheshin nga drejtimi i centralizuar i shtypit, çka ngushtonte sferën e vetëveprimit të redaksive…”.

Askush nuk ka guxuar t’i kundërvihej kësaj strategjie, por ndërkaq, ne e dimë se sa në mënyrë të sofistikuar mund të ushtrohet shpeshherë mjeshtëria e gazetarisë në sekretet e mënyrës së sendërtimit të saj. Dhe këtu them, në mënyrë të padiskutueshme madje, se asnjë tjetër si Hamit Boriçi nuk ia arriti të “cenonte” me shumë zgjuarsi e “dinakëri” profesionale, nëse mund të shprehesha kësisoj, këtë strategji, sa në përmbajtje, tematikë e deri në faqosje, në këtë të fundit, madje, duke guxuar jo pak deri në origjinalitet të plotë. Kështu u arrit që për herë të parë fytyra e “Bashkimit” të dallohej nga larg në kioska. As që mund të mendohej, bie fjala, që gazeta e përditshme politike “Bashkimi”, ta zinte gati gjithë talion e faqes së parë me reportazhin e ndeshjes së futbollit Vllaznia – Austria e Vjenës. Sot, kjo duket e thjeshtë, por kur asokohe kryeredaktori Hamit Boriçi e realizoi këtë, edhe kjo ka qenë një guxim i rrallë.

Tjetër dukuri ajo e organizimit të redaksisë. Kur erdhi Hamit Boriçi, ndërroi e gjithë skema e gazetës. Për herë të parë, sa u fol për praktikë botimi, po aq u fol edhe për teori kuptimi të vetë gazetarisë. U rikompozuan sektorët, ndryshoi jo pak skema e marrëdhënieve të ndërsjella kryeredaktor – redaktor, u ribë rregullorja, u demokratizua jo pak situata e shpalosjes së mendimeve e diskutimeve, me përpjekjen për t’i shndërruar sa më fort mbledhjet e redaksisë në ballafaqim mendimesh, me një kulm ditor profesional, siç mund ta quaj mbledhjen e mëngjesit të kolegjiumit. Këtu po më vjen përshtat të riprodhoj paksa një lloj modeli perëndimor të një aspekti të punës brenda një redaksie gazete. Ka ndodhur, pra, që gazetaria e regjimit komunist “teknikisht” të përpiqej të zbatonte normat dhe rregullat universale të gazetarisë së përbotshme.

Natyrisht, kjo varej nga kryeredaktori. E vërteta është se gazetat tona ishin me vetëm katër faqe, format i madh, të politizuara sa s’ka ku shkon më, pa debate polemike, ndonëse më tepër informative e për aq sa lejonte regjimi, edhe komentuese. Dhe doemos me kryeartikuj, një motërzim (variant) i editorialeve të sotme. Me censurë të ngjarjeve, madje me vetëcensurë idesh, mendimesh, përshkrimesh. E me të gjitha këto, pra, “teknikisht” organizimi ishte gati si në gazetat e shteteve të tjera. E kam trajtuar më parë, pra, diku tjetër këtë që e kam quajtur “miratimi i botimit të një shkrimi”. Kështu, gazetari i madh italian, Giampaolo Pansa, e ka treguar këtë, duke marrë si shembull gazetën e famshme “La Stampa”: “…Kontrolli i parë, – shkruan Pansa, – ishte ai i redaktorit, të caktuar për të paraparë nëse shkrimi mund të ishte i botueshëm. Nuk kishte rëndësi nëse ishte fjala për një lajm, një kolonë apo për një artikull të vërtetë e të veçantë. Në të dyja rastet kontrolli ishte i detyrueshëm. Kontrollin e dytë e bënte shefi i redaksisë së informacionit. Kontrolli i tretë ishte ai i korrektorëve të bocave. Kontrolli i katërt ishte ai i gazetës së saposhtypur.

Asnjeri prej nesh nuk mund të largohej nga vendi i zyrës pa parë numrin e saposhtypur të “La Stampa”-s që zakonisht dilte prej rrotativës pak mbas mesnate. Dhe sapo e merrte këtë kopje të parë të gazetës, secili duhej të rilexonte shkrimin përkatës për të parë se mos kishte ikur ndonjë gabim edhe mbas kaq kontrollesh…”. Tash guxoj të them këtu se kjo skemë kontrolli e “La Stampa”-s të Torinos të viteve ‘60- ‘70 ngjason jo pak me atë se si veprohej në gazetën “Bashkimi” të Tiranës të një regjimi në vitet ‘70 e ‘80. E pak a shumë po kështu edhe në “Zëri i Popullit” – dy të përditshmet e vetme të kohës. E gjithë kjo skemë, them se lulëzoi në periudhën e drejtimit të “Bashkimit” nga Hamit Boriçi. Kur po ashtu gjithçka përshkohej radhazi prej redaktorit, shefit të redaksisë, sekretarit të kolegjiumit, zëvendëskryeredaktorit, kryeredaktorit, korrekturës fanatike të bocave. Për të kulmuar tek ai që quhej “i freskëti”, njeriu i cili lexonte kopjen e parë të gazetës së shtypur. Siç shihet, mënyra teknike “kontrolluese” e gazetës “La Stampa” të Italisë kapitaliste ishte thuajse e njëjtë me atë të gazetës “Bashkimi” të Shqipërisë Komuniste.

NJË “SHKOLLË” GAZETARIE NËN REGJIM… 

Sot mendoj se kjo skemë, në periudhën e drejtimit të “Bashkimit” nga Hamit Boriçi, ndonëse nuk ndryshoi assesi, megjithatë ajo pati origjinalitetin e saj. U luftua jo pak frika, ankthi. Dhe e gjitha kjo u konceptua jo thjesht si një kontroll censure, por edhe si një zbatim i një rregulloreje krejt profesionale, ku deri dhe në politikën e botimit, ndonëse kjo nuk mund të delte kurrë në plan të dytë, tash përparësi merrte serioziteti, saktësia e botimit gjithnjë në respekt të lexuesit, aq sa dhe se si ai ishte asokohe. Hamit Boriçi, për bukur 13 vjet me radhë (1978-1990) – e ky është një rekord kryeredaktorësh për një të përditshme – kur doli në pension zyrtar, do ta drejtonte këtë gazetë me qetësinë më të rrallë që mund të gjeje te një kryeredaktor, sidomos nën regjim, ku kryeredaktori ishte përgjegjësi absolut përballë këtij regjimi.

Nuk ka qenë si sot, kur flitet vetëm për përgjegjësinë e autorit. Më parë ka qenë për përgjegjësinë e kryeredaktorit, i cili kishte lejuar botimin e atij shkrimi, të cilit i binte telefoni kërcënues dhe ai me nxitim merrte rrugën për te ndërtesa “mistike”, atje, në të djathtë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që ishte Komiteti Qendror i Partisë. E megjithatë, Hamit Boriçi, falë gjakftohtësisë së tij karakteristike, kur është thirrë, madje disa herë, është kthyer prej andej pa shpërthyer me bateritë rrufe duke iu kanosur gazetarit fajtor. Përkundrazi, është përpjekur që kritikën ta përimtojë duke gjetur shkaqet teorike dhe praktike të moszbatimit të gazetarisë profesionale të vërtetë. Sot mund të them se ai kërkonte përherë të mëkonte besueshmëri te gazetari. Dhe kur ishte i sigurt se ia kishte arritur kësaj, qetësia e tij bëhej, si të thuash, diçka sublime, vetësigurie që nuk do të rrëshqiste kurrë në jehona kundërshtimesh. Bie fjala, tek unë (dhe jo vetëm), kjo besueshmëri dhe siguri pat arritur kulmin. Madje, deri aty saqë mbasi e paralajmëroja për reaksionin që do të ngjallte botimi i një shkrimi të përmasave të forta kritike, ai vinte buzën në gaz dhe më thoshte: “Deri sa ti e ke shkruar kështu, nuk shqetësohem aspak”. Mandej, ai ishte më i përgatituri për t’i bërë ballë plot forcë e argumente reaksionit që mbërrinte në redaksi apo prej diku atje lart.

Dhe të revoltuarit nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të ngrihej pa bëza dhe të largohej duke u përshëndetur me kryeredaktorin Hamit Boriçi… Gazeta “Bashkimi” e Hamit Boriçit nuk ishte një gazetë sportive, nuk ishte as një gazetë mirëfilli e kulturës, nuk ishte as një gazetë mirëfilli e bujqësisë, siç ia kishte urdhëruar dikur këtë rrugë Partia. Për aq sa mund të bëhej asokohe, gazeta “Bashkimi” nën drejtimin e tij u bë një e përditshme në kuptimin e vërtetë të këtij përcaktimi, gazetë e ngjarjeve të ditës, e politikës, e kulturës, e shkencës, e sportit. Kur them kështu, për një çast të duket se po ngre lart një gazetë të periudhës së regjimit komunist të Tiranës. Trysninë e të cilit mbi shtypin që ishte i tij, mund ta shpjegoj kështu: nëse të vërtetat e jetës shqiptare ishin 100 për qind, Partia lejonte të dilnin në publik vetëm nja 50 për qind. Them që nëse e doje vërtet këtë profesion, duhej t’ia arrije që edhe ky 50 përqindësh të kishte një lloj larmie informacioni e kulture që mund t’i shërbente sadopak publikut shqiptar. Ka qenë një revolucion i vogël, gjithsesi. Një revolucion që do të kulmojë duke e bërë “Bashkimin” të përditshmen e parë shqiptare që do të botohej ditën e hënë.

Ndërsa për popullaritetin e pasqyrimit të sporteve ishte një armë më tepër në këtë popullaritet, sidomos ditën e hënë, pra, të nesërmen e përfundimit të zhvillimit të të gjithë aktiviteteve më të rëndësishme sportive. Kryeredaktori Hamit Boriçi, madje, nuk ngurronte që jo rrallë, gati gjithë faqen e tretë t’ua kushtonte këtyre veprimtarive sportive. E, kur mendon se punohej me shtypshkronjat e plumbit datuar vitet ‘20 a ‘30, e gjitha ishte një heroizëm i vërtetë mundi gazetaresk, nëse mund ta përcaktoja kështu. Dhe firma e mbylljes së gazetës mbante një emër: Hamit Boriçi. Ndonëse ende nuk publikoheshin emrat kryeredaktorëve. Kësisoj, mundime ditë e natë! Dhe pa asnjë etje fame a protagonizmi. Kohë kur një pjesë e shkrimeve tona botoheshin madje edhe pa firmën e autorit, por me vetëm një ‘Korresp’. i “Bashkimit”. Në thelb kemi qenë punëtorë krahu, natyrisht punëtorë të krahut që i mëshon fjalës së shkruar përmes dorës së gazetarit mbi letrën e bardhë ose mbi tastierën e makinës së shkrimit. Kur gazetari i madh Eugenio Scalfari po merrej në punë nga një legjendar i gazetarisë italiane, Mario Panunzio, ky e priti me këto fjalë: ‘Duhet ta dish mirë: me letërsinë mund ta arrish pavdekësinë, ndërsa gazetaria vdes çdo ditë’.

Me sa duket, duke nënkuptuar me këtë se numri i radhës së një të përditshmeje jeton vetëm 24 orë, se mandej vjen tjetra, që në njëfare mënyre “e zhduk” të djeshmen. Askush nuk pyeste për mundin tonë të përtej mesnatës apo të të gjithë ditës. Këtë filozofi me në krye Hamit Boriçin, pa e përsiatur, e zbatonim po aq pa e perifrazuar asisoj as me veten tonë. Për çudi, kështu do të mbërrinim te një lloj popullariteti i “Bashkimit”, çka nga ana tjetër mua më çoi te detyra e kryeredaktorit të gazetës “Sporti Popullor”. Një caktim që them se ka qenë vepër e gazetës “Bashkimi”. Dhe kur fillova punën në “Sporti”, nuk më ka mbet gjë tjetër, veçse të imitoja “Bashkimin” e Hamit Boriçit, duke guxuar madje botimin edhe të këtij “Sporti Popullor” ditën hënë dhe shumë shpejt botimin dy herë në javë. Imitova gjithçka, pra, në “Sporti Popullor”: rregulloren, skemën, jetën e brendshme të redaksisë. Edhe ky imitim ndikoi fort për të më çuar bashkë me kolegët e mi te shpërthimi rekord i gazetës “Sporti Popullor” për sot e kësaj dite, deri në 75.000 kopje për numër. Përveç abonimeve, e gjitha brenda pak orëve e zhdukur nga kioskat. Ndërkaq, në “intimitet” po them se kishte ndodhur një sensacion i papamë, ndonëse askush nuk e quante të tillë.

Kishte ndodhur që për herë të parë në historinë e Shqipërisë, dy qytetarë të Shkodrës të drejtonin publikimin e dy gazetave kombëtare të vetme për një ditë: të hënën. Njeri ishte Hamit Boriçi me “Bashkimin” – profesori i shquar i gazetarisë, e tjetri isha unë, me “Sportin Popullor” – nxënësi i tij. Për Shqipërinë, them se ky ishte dhe mbetet po rasti i vetëm kur profesori dhe nxënësi i tij për 24 orë të sundonin opinion publik të vendit përmes fjalës së shkruar në gazetë. Doemos pa guxuar të preknin sadopak politikën e Partisë. Kjo as që mund të mendohej.

KRYEREDAKTORI I 28 VËLLIMEVE TË DR. SAMIMIT 

Ndërkaq, Shqipëria, ndonëse me ngadalësi, po rrëshqiste te demokracia. Sa rol mund të ketë luajtur shtypi e gazetarët e atij regjimi që ishim ne e shokët tonë, kësaj askush deri më sot nuk i ka dhënë përgjigje. As vetë profesori i shquar i gazetarisë, Hamit Boriçi. Ndoshta nga ndonjë lloj frike se kjo mund të merrej si një justifikim. Por unë po guxoj të them se “Bashkimi” i Hamit Boriçit këtë nuk e pati fort të vështirë. Mund të shkoni te faqet e asaj periudhe pragdemokracie të kësaj gazete, për t’u bindur se pa asnjë krêni, ajo vuri jo pak gurë në themelet e gazetarisë së demokracisë që po bëhej gati të shpërthente. Ndonëse këtë kurrë nuk e ka thënë modesti i madh Hamit Boriçi. E, kur mbërrin demokracia, ai do të bëhej i pari dhe i vetmi që në një të përditshme – gazeta “Shekulli”- do të themelonte Këshillin e etikës së një redaksie. Dhe çudia e madhe po në demokraci.

Mbas gati nja 30 vjetëve, unë do ta kisha Hamit Boriçin për herë të dytë kryeredaktor. Ishte puna dyvjeçare (2007-2009) e botimit të veprave të Dr. Vasfi Samimit – një organizim i rrallë, që falë bijve të tij, i paharrueshmi prof. Ergjin Samimi dhe vëllai i tij, Genc, do t’i jepnin Shqipërisë kolanën ndoshta më origjinale të serisë së veprave të një njeriu të madh të kombit, të disa fushave madje, qysh nga blegtoria e deri te kultura, qysh nga historia e deri te sporti, qysh nga përkthimet e deri te gazetaria. Kryeredaktori i realizimit dhe botimit të kësaj kollane unikale ishte Hamit Boriçi. Në një dhomë të vetme në shtëpinë e vjetër të Dr. Samimit të madh, në rrugën “Hoxha Tahsin” të Tiranës (e këtij atdhetari e dijetari të jashtëzakonshëm do t’i kushtohet vëllimi 23 i Doktorit tonë) mblidhej e punonte ndoshta redaksia më origjinale në botë, një redaksi e improvizuar, por e një përmbajtje të vërtetë, një shtëpi botuese “sui generis”. Kryeredaktori ishte po ai, Hamit Boriçi.

I po atij stili, i po asaj përkujdesje, i po asaj kompetence. 28 vëllime të kollosit Dr. Vasfi Samimi që ne përgatitëm, në fund mbajnë firmën Hamit Boriçi. Dhe nuk mund të them se kjo është puna apo vepra e fundit në universalen boriçiane të gazetarisë. Tash, po ta mbyll, me At Fishtën, ku diku në një pjesë të studimit të kohëve të fundit të Hamit Boriçit për gazetarinë e legjendarit tonë, nënvizova këte thënie fishtjane: “Burrat e ndershëm kanë me pa vetë se kah asht e drejta, e kanë me ditë se kah me ia mbajtë, mjaft që mbrendë mos të ketë piça, rrugaça, sallahana e intriganta të paturp e marre… Jo nga ata njerëz, që me dredhi fjalësh japin me kuptue një send, për një tjetër…”. Them se e tillë ka qenë dhe është filozofia, kuptimi i universales dhe i nobilitetit në jetën e gazetarit Hamit Boriçi. Gjithë këtë jetë gazetarie të pashoqe e nderoi këto ditë në 90-vjetorin e lindjes, jo ndonjë institucion qeveritar, por fisniku Frano Kulli me një takim mbresëlënës në Lezhë, por dhe me botimin e një libri disaautorësh, kushtuar jetës gazetareske dhe studiuese të mësuesit dhe profesorit tonë Hamit Boriçi…

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.