Halloween-i i shqiptarizuar

Nov 5, 2012 | 14:33
SHPËRNDAJE
Në një nga pub-et e Tiranës

Vit pas viti, Halloween-i po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm edhe në Shqipëri, më së shumti në Tiranë, ku në një mënyrë apo një tjetër njerëzit shohin në atë ditë të fundit të tetorit një festë që nuk është e tyre, por që kanë të gjitha të drejtat për ta gëzuar edhe ata. Dhe mirë e bëjnë, vetëm se, jo gjithnjë janë brenda kuptimit të saj. Nuk mjafton të vësh një maskë për të qenë pjesë e festës, sepse Halloweeni ka një histori të tijën, larg kostumeve të hirusheve apo princërve të kaltër, sado që sot, në të gjithë botën, edhe për arsye komerciale, festa është modernizuar dhe ka marrë një tjetër dimension.  E sigurt është që Halloween festohet kudo më 31 tetor. Sot konsiderohet si një festë argëtuese, për fëmijët e të rriturit, të cilët veshin kostume të çuditshme, të pazakonta, tregojnë histori të frikshme dhe festojnë gjithë natën. Origjina e kësaj feste vjen nga besimet fetare të lashta dhe folklori, ku përmendim paganizmin, besimet fetare romake, besimin katolik të hershëm dhe folklorin irlandez. Kjo festë ka lindur rreth 2000 vjet më parë, ne pjesën e Britanisë së Madhe, Irlandës dhe Francës veriore ku jetonin keltët, të cilët organizonin një festival në përkujtim të fundvitit. Viti i Ri për ta fillonte më 1 nëntor dhe festivali quhej “Samhain”. Fundi i vitit nënkuptonte fundin e verës, fundin e të korrurave dhe fillimin e një sezoni të gjatë e të vështirë të dimrit, gjatë të cilit ndodhnin shumë fatkeqësi dhe vdekje. Për këtë arsye ata besonin që në këtë ditë, 31 tetor, jeta dhe vdekja ishin shumë afër, shpirtrat e të vdekurve të mirë ose të këqij ndodheshin kudo dhe atë natë gjithçka mund të ndodhte. Prandaj keltët visheshin me kostume të çuditshme dhe bënin zhurmë për të frikësuar shpirtrat. Ndiznin një zjarr të madh për të nderuar zotat e tyre dhe zjarret në shtëpi fikeshin që shtëpia të bëhej sa më e shëmtuar për të mos tërhequr shpirtrat. Besohet se zanat visheshin si lypëse gjatë kësaj feste dhe shkonin në çdo shtëpi të kërkonin ushqime. Ata që u jepnin diçka zanave, shpërbleheshin, ndërsa të tjerët ndëshkoheshin. Këtu është edhe origjina e “trick or treat”, që praktikohet veçanërisht në USA. Kjo festë vazhdoi edhe pas pushtimit nga romakët, edhe me përhapjen e krishterimit, megjithëse ishte një festë pagane. Tashmë emri i saj u ndryshua nga “Samhain” në “All Saints Day” ose “All Hallows Eve” e më vonë u quajt “Halloween”. Ka edhe versione të tjera të kësaj feste si në Irlandë dhe Skoci, ku njerëzit festojnë “Jack o’lanters” për të trembur shpirtrat e Stingy Jack dhe të tjerë. Legjendat dhe supersticionet për shtrigat dhe macet e zeza vazhdojnë dhe sot. Festa e Halloween është përhapur më vonë edhe në USA, ku u bë  festë zyrtare dhe mori një kuptim tjetër nga një traditë pagane. Në mes të shekullit XX kjo festë u përhap shumë, duke u festuar me parada në qytet, me kostume të veçanta dhe me dekore të posaçme. Veshja me kostume ka lindur që në festen pagane të keltëve. Sipas një versioni, duhet të vishesh në mënyrë të frikshme për të trembur shpirtrat. Një tjetër version është të vishesh çuditshëm dhe në mënyrë qesharake për të krijuar ngatërresa. Kostumet seksi janë një risi e kohërave moderne, shume larg kuptimit të kësaj feste. Është një praktikë nga keltët, sipas legjendës që zanat  visheshin si lypëse dhe shkonin në çdo shtëpi për të kërkuar ushqim. Kjo traditë vazhdon edhe sot, kryesisht në USA, ku  fëmijët të veshur me kostume shkojnë në çdo shtëpi të lagjes dhe marrin ëmbëlsira dhe karamele. Kuptimi i kësaj është që, nëse i zoti i shtëpisë nuk “treat” nuk jep diçka, atëherë do të pësoje ndonjë “trick”, ndonjë lojë djallëzore. Ndërsa kungujt vijnë nga Irlanda e Skocia. Kungujt e çarë dhe me dritë brenda vendoseshin kudo nëpër dritare, jashtë shtëpisë edhe brenda për të mbajtur larg shpirtrat e këqij. Legjenda thotë që Jack u mundua t’ia hidhte djallit, por më vonë nuk u pranua as në parajsë as në ferr dhe shpirti i tij ka mbetur në tokë. Djalli   pati mëshirë për të dhe i dha një kungull me qiri brenda për të  ndriçuar rrugën e përjetshme në Tokë. Sot kungulli është një nga simbolet kryesore të Halloween dhe shumë i këndshëm edhe në dekorim.

Maskat e çuditshme shqiptare
Sado që argumenti i kësaj nate, sidomos kur qëllon të jetë mesjavë, del e tepron për të mbipopulluar lokalet, vetëm pak prej atyre festojnë, u përmbahen riteve të festës. Siç ju thamë, për të qëndruar brenda traditës, kostumet duhet të jenë të frikshme. Disa fotografi të bëra në lokalet e Tiranës na treguan që po, ka qenë edhe ashtu, por pjesa më e madhe e njerëzve kërkonin maska “të buta”, përkëdhelëse, ato të cilat mund të vendosen fare mirë për të mbuluar edhe ndonjë “defekt” të fytyrës, por që në jetën e përditshme ti nuk ke motive për ta vënë! Albina Dhima, piktorja që sapo ka përfunduar Akademinë e Arteve, ishte njëra prej “transformueseve” të kësaj nate. Veçse, pati një problem… “Që maskat të ishin të shitshme, sipas kolegeve të mia që kanë përgatitur maska edhe në vitet e mëparshme, nuk duhet të ishin të frikshme. Mundësisht të ishin me lule e xixa, ato po, pëlqeheshin. Edhe ata që preferuan të dizenjonin fytyrën, kërkonin më shumë të ktheheshin në një mace, gejsha, apo gjëra të tjera të kësaj natyre që nuk kanë lidhje me qëllimin e festës”. Jashtë qëllimit, nuk jemi vetëm ne që kemi dalë. Edhe fotografitë e yjeve të Hollywood-it vazhdojnë të na tregojnë për princesha, spiderman-e, hirushe e kësulëkuqe, por kjo motivohet me vjeljen e parave. Gjithsesi, për ata që ndiejnë dhe duan të jenë pjesë e kësaj nate, mund të përmirësohen në vitet e ardhshme, ne jemi ende në fillim.

Tradita që ‘ndriçoi’ edhe në Tiranë
Disa ditë përpara 31 tetorit, mbrëmjeve, një copëz rruge pranë urës së Drejtorisë së Policisë, sapo hyn në zonën e ish-Bllokut, mori një pamje të re, me të cilën syri nuk ishte mësuar më parë, përveçse nëpër filma apo faqe të huaja revistash. Ishin të vendosur njëri pas tjetrit kunguj të mëdhenj të rrumbullakët, të kthyer në abazhurë ndriçues për shkak të prerjes dhe dritës që kishin brenda. Sa më shumë që kjo datë i afrohej ditës së Halloween-it, aq më shumë pakësohej numri i kungujve. Çmimet nisnin nga 500 deri në 1200 lekë, në varësi të madhësisë. Zotëria që i shiste, ishte edhe realizuesi i prerjeve të tyre, pasi ishte furnizuar me to nga Kosova. Meqenëse ditët e kësaj feste ishin pak, dhe kungulli i ndriçuar është tërësisht simbol i saji, tani ajo qoshe rruge nuk është më e ndriçuar mbrëmjeve.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura