Halli i ministrit nuk është halli i reformës

May 30, 2015 | 12:18
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

   Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, nëpërmjet një propozimi të tij për largimin nga KLD të ministrit të Drejtësisë dhe të Presidentit, ka vendosur në të njëjtin bazë vlerësimi një anëtar qeverie të emëruar nga Kryeministri me Presidentin që është kryetar shteti, i zgjedhur nga Parlamenti. Që një ministër dhe një President janë në distancë për nga hierarkia, kjo nuk do koment, por që një ministër të propozojë ndryshime duke i vendosur në të njëjtën masë vlerësimi, atëherë çështja bëhet më e ndërlikuar. Reforma në drejtësi, që ka filluar të diskutohet prej disa muajsh, përbën një nga shtyllat më të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Për këtë arsye edhe propozimet që bëhen përgjatë diskutimit të problemeve të drejtësisë duhet të jenë serioze dhe të kenë një qëllim, përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe jo përmirësimin e pozicionit të politikës në raport me drejtësinë. Propozimi i ministrit edhe nga ana protokollare nuk është serioz, por edhe nga brendia e tij ka shumë probleme, përmes të cilave mund të kundrohet qartë se tryeza për reformën në drejtësi ka probleme të mëdha të dizajnimit dhe është në rrezik për t’u korruptuar politikisht në funksion të interesave të çastit.
Së pari, në asnjë rast qoftë nga ekspertë e qoftë nga grupet e interesit nuk është kërkuar apo propozuar që Presidenti të largohet nga KLD. Kjo për arsye se Presidenti nuk është shfaqur asnjëherë si problem për marrëdhëniet e gjyqësorit me politikën, por as si problem i gjyqtarëve me institucion mbikëqyrës të gjyqësorit, që është KLD. Janë dy anketime që ka bërë me mbështetjen e Ambasadës Britanike, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, një organizatë që ka monitoruar çështjet e gjyqësorit për rreth pesë vjet rresht. Njëri është kryer në vitin 2011 e tjetri në 2014, me gjyqtarët e shkallës së parë dhe ka identifikuar se ndërhyrja e Presidentit në vendimet e gjykatave është minimal, gati i papërfillshëm në krahasim me ndërhyrjen e ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor. Ky sondazh është i vetmi nga anketimet që janë bërë vitet e fundit në gjyqësor, i cili mat për problematikat e gjyqësorit përmes opinionit të gjyqtarëve. Ndërkohë vetë gjyqtarët kanë shprehur në shumicën e rasteve kërkesën që ministri të mos jetë në KLD, por edhe në qoftë se është ai, të mos ketë të drejtën e propozimeve për masa ndaj gjyqtarëve. Kjo për shkak se prania e ministrit në KLD krijon perceptimin se po komprometohet pavarësia e këtij institucioni prej pushtetit ekzekutiv dhe se propozimet që vijnë prej tij e bëjnë edhe më të theksuar rrezikun e ndërhyrjes së ekzekutivit në gjyqësor. Po ashtu, në të gjitha anketimet e tjera serioze që janë zhvilluar në Shqipëri lidhur me integritetin dhe besueshmërinë e institucioneve, ai i Presidentit ka qenë rreshtuar fill pas fesë, ushtrisë dhe medias. Dhe nuk flitet këtu vetëm për Presidentin aktual, por për të gjithë presidentët që kanë drejtuar KLD, 15 vitet e fundit. Kjo do thotë se analiza e riskut nuk ndalon te Presidenti. Të gjitha çfarë përmenden më sipër nuk e justifikojnë qoftë nga ana empirike e qoftë nga ana logjike një barazim mes Presidentit dhe një ministri në raport me institucionet drejtësisë.
Së dyti, duke larguar nga KLD Presidentin, në fakt ndodh një efekt tjetër, i gjithë pushteti gjyqësor është në duart e gjyqësorit, duke relativizuar maksimalisht funksionimin e parimit “check & balance”. Para disa vitesh, problemi më i madh i diskutuar për çështjet e drejtësisë ishte ai i kontrollit të tij në atë mënyrë që edhe të ketë kontroll dhe ndërkohë të mos ndikojë integritetin e gjyqtarëve. Ndoshta në këtë pikë duhet theksuar diskutimi dhe sido që të bëhet ky diskutim, zbrazja e KLD prej çdo segmenti të pushtetit nuk do të jetë zgjidhja në favor të kontrollit sado që të prodhojë një zgjidhje përmbytëse për integritetin ose një super integritet. Kritika për drejtësinë në Shqipëri vjen në dy drejtime; i pari është ai i ndikimit të politikës apo grupeve të tjera në drejtësi dhe i dyti ai që lidhet me probleme brenda gjyqësorit që janë shprehur nëpërmjet korrupsionit dhe mosfunksionimit të strukturave që lehtësojnë aksesin e barabartë të qytetarëve dhe shpejtojnë dhënien e drejtësisë. Kjo është një rrethanë që nuk favorizon propozimin e ministrit të Drejtësisë.
Së treti, propozimi i ministrit të Drejtësisë, megjithëse i kamufluar me njëfarë vetësakrifikimi, synon tejkalimin e barrierave të qeverisë për të shkuar në mënyrë më “etike” te vendimmarrja e gjyqësorit. Ai godet institucionin e Presidentit për interesa politike dhe ndikimit në drejtësi, duke vënë në diskutim debatin për reformën, si dhe duke ngushtuar këtë debat tek emrat dhe jo te çështjet. Propozimi i ministrit nuk është reformë, por pjesë e betejës politike që reflektohet fatkeqësisht edhe në çështje të tilla kaq serioze dhe që duhet të marrin një zgjedhje ligjore të përshtatshme afatgjatë. Pse nuk propozon ministri shkrirjen e Inspektoratit të Kontrollit në Ministrinë e Drejtësisë, t’i japë gjykatave apo KLD kompetencat e emërimit të sekretarëve gjyqësorë dhe administratës së gjykatave, të heqë dorë nga propozimet për masa ndaj gjyqtarëve në këshill. Pasi ministri mund të mos jetë në këshill, por mund të imponohet përmes propozimeve që aktualisht këshilli e ka për detyrë t’i shqyrtojë. Po të ketë ndryshime si këto që përmendem më sipër, atëherë nuk ka shumë rëndësi nëse ministri i Drejtësisë është anëtar në KLD apo jo.
Fakti që propozimi për largimin e ministrit të Drejtësisë nga KLD vjen prej vetë ministrit të Drejtësisë, nuk e vesh propozimin e tij me legjitimitetin që në këmbim të lëshimit të madh të maxhorancës edhe Presidenti duhet të largohet. Po nëse Presidenti nuk do të ishte i propozuar nga opozita aktuale, a do të kishim një axhendë të tillë të reformës nga ministri i Drejtësisë? Sigurisht që jo. Dhe ky përfundim mbështetet në faktin se propozimin për largimin e Presidentit e bën vetëm ministri i Drejtësisë dhe vetëm ai. Askush tjetër, as gjyqtar, as ekspertë, as organizata të shoqërisë civile që mbulojnë drejtësinë. Ky propozim, siç e thamë edhe më sipër, nuk vjen as nga koha, as nga tradita dhe as nga nevoja e sistemit.
Diskutimet për reformën në drejtësi nuk duhen deformuar, ose të paktën duhet t’i rezistojnë presionit të qeverisë për të ndërtuar ngjarje. Disa çështje që ngrihen nga gjyqtarët nuk janë kurrkund në axhendën e diskutimeve. Që të mos mendojmë se kjo reformë ka axhenda personale, së pari, duhet të jetë më transparente dhe së dyti, më gjithëpërfshirëse. Përndryshe do të merremi gjithë ditën me një propozim të ministrit që hallin e vet e tregton si hall të reformës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura