Haki Çako takon Gaiani-n, Guardia di Finanza do vijojë kontrollin nga ajri në Shqipëri për hashash

Apr 27, 2015 | 16:25
SHPËRNDAJE

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako priti në një takim ambasadorin e Italisë në vendin tonë Massimo Gaiani, i cili ka njoftuar se edhe për këtë vit Italia ka siguruar fondet për kryerjen e misionit të avionëve të mbikëqyrjes ajrore të territorit nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me Universitetin e Napolit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme të Italisë, për identifikimin e parcelave me kanabis në territorin e vendit tonë.

Haki Çako dhe ambasadori Massimo Gaiani

Në një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit, thuhet se ambasadori Gaiani i kërkoi mbështetje të palës Shqiptare në lidhje me angazhimet e Italisë më Panairin Ndërkombëtar “Expo Milano 2015” i cili do të zhvillohet në Milano të Italisë, për sa i përket shkëmbimit të informacioneve për akte terroriste apo për akte të tjera të sferës kriminale që mund të përgatiten nga elementë kriminalë terroristë apo organizata terroriste.

Drejtori Çako theksoi Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër fenomeneve kriminale në përgjithësi dhe të atyre të natyrës terroriste në veçanti dhe në këtë drejtim bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një nga prioritetet tona mbështetur edhe në Strategjinë e Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura