Hakerat nxorën të dhënat në shesh, ministrja Xhaçka: Sulme të tilla ndodhin edhe në SHBA dhe BE. Duhet të japim imazhin e një vendi të bashkuar

Oct 6, 2022 | 12:39
SHPËRNDAJE

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka foli sot në Kuvendin e Shqipërisë për sulmin kibernetik ndaj sistemeve qeveritare në vendin tonë dhe të institucioneve të tjera.

Ajo u shpreh se kjo nuk është kohë për të fituar pikë politike por për të dhënë imazhin e një vendi të bashkuar në sy të partnerëve dhe agresorëve.

Xhaçka shtoi se sulme të tilla ndodhin edhe në SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian ndërsa nënvizoi nevojën e shtimit të investimeve për sigurinë kibernetike.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që pavarësisht sponsorizimit të sulmit. Sistemet nuk u shkatërruan por sot janë funksionale. Si mund të thuhet që sistemet tona mbrojtëse nuk kanë funksionuar dhe fondet për këtë qëllim janë para të hedhura kot. Të dhënat nuk janë shkatërruar edhe pse sulmet qëndronte e njëjta dorë që ka shkaktuat dëme të mëdha në vende shumë më të mëdha se ne. Sulme të tilla ndodhin edhe në SHBA dhe BE dhe nuk është gjithmonë e mundur të parandalohen.

Agresorët, piratët dhe hakerat gjithmonë do të tentojnë të gjejnë hapësira që të dëmtojnë por detyra jonë është të investojmë te mbrojtja. Fati i sistemeve tona do kishte qenë shumë ndryshe nëse nuk do kishim bërë aq investime sa kemi bërë. Ky ishte një sulm masiv që synonte paralizimin e të dhënave publike, fshirjen e sistemeve dhe nxitjen e pasigurisë dhe kaosit në vend.

Mbrojtja jonë kibernetike dhe me mbështetjen e partnerëve dhe aleatëve rezultoi efikase pavarësisht sulmit masiv. Jemi duke punuar me partnerët dhe aleatët për ta ngritur mbrojtjen kibernetike akoma më të fortë. Si vend anëtar i NATO-s na është ofruar ndihmë dhe ka nisur puna për projekte konkrete. Ky nuk është momenti për pikë politike, është moment delikat që thërret për bashkim sepse vendi është bërë objekt i një akti agresioni nga një vend me të cilin kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Duhet të japim te agresori imazhin e një klase politike dhe shoqërie të bashkuar”, deklaroi ministrja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura