Hakaj: Partizani nuk i beson të rinjve, Teuta shkon për fitore në Vlorë

Nov 24, 2017 | 16:55
SHPËRNDAJE

Rendi i ditës për Teutën është ndeshja me Flamurtarin në Vlorë, ku kërkohet fitorja e tretë radhazi për të vazhduar me ecurinë pozitive të javëve të fundit. “Djemtë e detit” i vlerësojnë kundërshtarët, por objektivi mbetet i njëjti: t’i thyejnë në shtëpi, ashtu siç kuqezinjtë bënë në fazën e parë. Mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, thotë se Teuta kërkon t’u shkaktojë humbjen e dytë kuqezinjve këtë sezon.

“Po e përgatisim me shumë kujdes këtë takim, nga ku duam të marrim maksimumin. Ajo që ndodhi në fazën e parë, është e kaluar, në Vlorë shkojmë vetëm për fitore”, deklaroi Hakaj.

teuta

Si është atmosfera në skuadër, pasi nga jashtë duket entuziaste?

Atmosfera është pozitive pas ndeshjeve të fundit, por ne gjithmonë jemi me këmbë në tokë për të mos përsëritur gabimet që kemi bërë.

Flamurtari ndodhet në vend të dytë dhe tani shikon nga kreu. A u ndruheni vlonjatëve në këtë situatë ku ndodhen dy ekipet?

Ne jemi Teuta, nuk i trembemi asnjë kundërshtari duke parë klasifikimin. Ne zbresim në fushë gjithmonë të motivuar, vetëm për rezultat pozitiv. Edhe Flamurtari nuk bën përjashtim.

Sa do të ndikojë fakti që në Vlorë do të luhet pa tifozë?

Për ne nuk ka ndonjë ndikim, por për Flamurtarin ndoshta. Me tifozë, ndeshja bëhet edhe më e bukur, megjithatë ne jemi të motivuar për të bërë punën tonë në fushë dhe tifozët nuk ndikojnë te ne.

teuta

Statistikat në ndeshjet e fundit flasin për Teutën, një element më shumë për të marrë maksimumin?

Është një element tregues, megjithatë ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e së shtunës. Do të japim më të mirën në fush- ën e blertë dhe besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv.

Problemi i Teutës është mbrojtja, edhe pse në ndeshjen e fundit nuk pësuat. Pse pësoni kaq shumë?

Kjo ndodh sepse na merr “uria” për të fituar ndeshjet dhe lemë hapësira mbrapa. Tani po punojmë shumë që të mos bëjmë më gabime të tilla dhe në ndeshjen e fundit, kjo dha rezultat. Shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme.

Te Partizani nuk ju besuan, ndërsa këtu po shkëlqeni. E shihni Teutën si një trampolinë?

Po kështu është futbolli, te Partizani nuk u besojnë shumë të “rinjve”, ndërsa te Teuta m’u dha mundësia dhe do të mundohem që t’ia shpërblej këtë besim që më është dhënë, drejtuesve dhe trajnerit. Tani jam i fokusuar vetëm këtu, më pas të shohim…

A jeni i kënaqur me formën që po kaloni, pasi jeni kthyer në titullar i padiskutueshëm?

Besoj se jam në një formë të mirë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Me këtë synim kam ardhur këtu, për të luajtur dhe ndihem mirë. Shpresoj që si në aspektin individual, edhe atë ekipor, të kem sukses dhe rezultate pozitive.

Drilon Xhepollari

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura