Hajredin Kuçi: Kjo është arsyeja pse u largova nga politika

Apr 11, 2018 | 9:37
SHPËRNDAJE

Njëri nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, tash e disa kohë është larguar nga skena politike, duke mos qenë pjesë e Qeverisë aktuale.

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ishte edhe “krahu i djathtë” i presidentit Hashim Thaçi, ka lënë anash politikën për të vazhduar profesionin e tij në universitet.

hajredin kuci

Ai në një intervistë për portalin Arbresh.info ka thënë se ka vazhduar rrugëtimin e tij si profesor në universitet, por nuk ka lënë anash aktivitete e tij në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Kam qenë aktiv për aq sa kam pasur rolin në shoqëri dhe kam vazhduar aty ku kam qenë më herët në kuptimin profesional në universitet dhe në kuptimin politik në PDK. Natyrisht roli im nuk ka qenë pritar siç ka qenë në institucione dhe unë kam qenë i kujdesshëm që qëndrimet e mia t’i them në forumet e partisë e më pak në opinion”, ka thënë ai.

Kuçi ka thënë se skena politike ka nevojë për njerëz të rinj dhe mendime të reja.

“Koha e vendosjes së vetes në vend të parë, është kohë që kam reflektuar dhe kam bërë mirë. Ka hapësirë për njerëz të rinj për mendime të reja. Momente të caktuara do ta shohim vendin dhe hapësirën e secilit por edhe timen”, ka thënë Kuçi.

Ai, po ashtu, ka komentuar edhe punën e ministrit aktual, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se ndihet mirë kur Tahiri pason punën dhe kontributin e Kuçit për Ministrinë e Drejtësisë.

“Ndërtimi i arkitekturës që ka qenë synim i imi dhe ndërtimi i disa standardeve në drejtësi. Kam menduar në lidhet në infrastrukturën që ka bërë Ministria e Drejtësisë. Unë mendoj që tani me intensitet të shtuar ministri aktual është duke bërë një punë të mirë një punë profesionale që garanton edhe funksionimin e sistemit të pavarur në Kosovë por edhe krijimin e politikave të drejta të Ministrisë së Drejtësisë. Unë ndihem mirë kur e shoh një njeri si ai që pason punën time”, është shprehur Kuçi.

Hajredin Kuçi, në zgjedhjet e fundit në Kosovë nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ai ka arritur të marrë rreth 7 mijë e 500 vota, e të cilat nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura