“Hajdut, vrasës”/ Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Komisionin e Ligjeve, zv.ministri kërcënon Gazment Bardhin: Më more mikun, hajt se shihemi në Elbasan

Oct 27, 2021 | 10:23
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Diskutimi në Komisionin e Ligjeve për huan që do të marrë OSHEE nga Banka e Investimeve përfundoi me debate me tone të larta dhe kërcënime. Debati nisi kur zëvendësministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, po fliste për kallëzimet penale për vjedhje energjie.

 

Sipas Bejtes, nuk ka qenë më shumë se 10 numri i personave që kanë ndenjur 48 orë në burg për vjedhje të energjisë elektrike. Por deputetja e PD-së Dhurata Çupi i risolli në vëmendje përfaqësuesit të qeverisë rastin e para disa viteve në Lushnjë ku një kryefamiljar u vetëvra për shkak se nuk kishte me çfarë të paguante faturat.

Nga ana tjetër, zëvendësministri u shpreh se i ndieri ishte vetëvrarë nga depresioni dhe shtoi se ia solli mendja e vet, se nuk mund të vritet një person për 35 mijë lekë të vjetër. Kjo fjali shkaktoi reagimin e ashpër të numrit dy të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkoi që zëvendësministri të kërkonte falje publike pasi kishte fyer një të vdekur.

Madje sekretari i përgjithshëm i PD-së kërkoi që kryetarja e Komisionit t’i tërhiqte vërejtje dhe ta përjashtonte. Në këtë moment ndërhyri zëvendësministri duke i kujtuar Bardhit rastin e Elbasanit ku u vra një banor i Elbasanit gjatë fushatës. Sipas zëvendësministrit, numri dy është vrasësi i të ndjerit dhe se kujtoi që Bardhi nuk kishte kërkuar falje.

Pas agravimit të debatit, kryetarja e Komisionit mbylli mbledhjen. Ndërkohë, gazeta “Panorama” siguroi edhe debatin me dyer të mbyllura.

DEBATI I PLOTË

Ilir Bejtja: A peshon shumë për familjarët? 213 mijë familje subvencionohen për 300 KW. Nëse jetoni me pak kujdes, nuk ju duhen 300 KW gjatë muajit. Pjesa tjetër janë një grup prej 70 mijë familjesh që nuk janë pjesë e grupeve vulnerabël që deri në pikën 389 KW pritet çmimi, humbin shumë pak lekë. Bëhet fjalë nga 200-300 lekë në muaj. Kush konsumon mbi 389 KW në muaj vetëm kursejnë nga sistemi me një tarifë. Nuk kanë më atë tarifën e famshme.

Enkelejd Alibeaj: Pra mesazhi është që të kurseni?

Ilir Bejtja: Jo, konsumoni aq sa keni lekë! Po kursyet, na ndihmoni, se nuk blejmë energji. U tha këtu një konstatim-koment: 35 mijë qytetarë në burg. Kjo vlen vetëm për Kinën, zonjë. Gjithsej ne kemi kallëzuar penalisht 2100 veta, midis tyre 700 punonjës tanët. Burg 48 orë mund të kenë bërë t’ju bëj qefin 10 veta. Këto kanë qenë vjedhës dhe ndërhyrës në linjat e energjisë elektrike.

Dhurata Çupi: Një kryefamiljar u vetëvar për energjinë elektrike. Gazment Bardhi: Kjo është e pavërtetë!

Ilir Bejtja: Kjo është shumë e vërtetë. Z. Bardhi, ju keni qenë ministër Drejtësie dhe mund të nxirrni të dhënat e periudhës tuaj, këto janë të dhënat zyrtare sot.

Dhurata Çupi: Një kryefamiljar është vetëvrarë në qeli, tani çfarë je duke thënë këtu.

Ilir Bejtja: Ka pasur depresion. Ia solli mendja e vet, se për 35 mijë lekë të vjetra nuk varet njeriu.

Gazment Bardhi: Ju lutem, zoti zëvendësministër, ruani etikën. Ilir Bejtja: Është shumë etike kjo që po them.

Gazment Bardhi: Ruani etikën dhe kini respekt për njerëzit që kanë humbur jetën. Qoftë edhe për shkaqe depresioni. Tërhiqeni atë që sapo thatë.

Ilir Bejtja: Unë kam një parim: them vetëm të vërtetën sepse nuk dua të lodhem të mbaj mend se çfarë kam thënë herën e fundit.

Xhemal Qefalia: Lëre mos u merr me atë.

Gazment Bardhi: Tërhiqeni fjalën, sepse ju sapo fyet një të vdekur, i thatë që ka vdekur nga mendtë e kokës.

Ilir Bejtja: E them prapë atë. Po. Për 35 mijë lekë të vjetër.

Xhemal Qefalia: O Ilir, po mos u merr për atë mor burrë. Mos u merr me rastin, leje atë.

Ilir Bejtja: Po s’ka qenë në burg për këtë punë ai mo.

Klotilda Bushka: Ju lutem, z. zëvendësministër, vazhdoni përgjigjuni.

Gazment Bardhi: Të kërkojë ndjesë, të mbyllë mikrofonin dhe të dalë përjashta.

Ilir Bejtja: Kërkoj ndjesë për etikë. Klotilda Bushka: Jemi në komision koleg dhe nuk kemi pse të ngremë zërin. Gazment Bardhi: Patjetër që kemi, sepse ai sapo fyeu një të vdekur.

Klotilda Bushka: Sapo kërkoi ndjesë.

Gazment Bardhi: Tërhiqi vëmendjen ti, se je nënë, je prind.

Ilir Bejtja: Po lëre ti more se ti e ke të vrarin në Elbasan dhe nuk ke kërkuar ende falje.

Gazment Bardhi: Kujt i tregon vrasjet ti, o hajdut. Ik mor hajdut.

Ilir Bejtja: Me çin flet ti more. Ti je hajdut nga koka te këmbët.

Gazment Bardhi: Çfarë të kam vjedhur unë ty?

Ilir Bejtja: Çfarë më ke vjedhur ti mua? Një shok. Shpirtin e një shoku më vodhe.

Gazment Bardhi: Shko more hajdut aty.

Ilir Bejtja: Ik ere se nuk më tremb dot mua ti.

Gazment Bardhi: Mbylle mikrofonin aty dhe dil përjashta, hajdut.

Debati me dyer të mbyllura:

Ilir Bejtja: Ore hajdut je ti re. Ti je hajdut me H të madhe. Ti ke vrarë një jetë, e ke vrarë me plumb.

Gazment Bardhi: Dil përjashta ti more hajdut.

Ilir Bejtja: Hajde, hajde se do shihemi në Elbasan.

Saimir Korreshi: Tani nuk është normale kjo zonja kryetare.

Klotilda Bushka: Po ai ishte duke ju përgjigjur juve…

Gazment Bardhi: Nuk është normale, sepse fyeu një të vdekur ai.

Klotilda Bushka: Hë mo ule zërin, ti s’ke pse bërtet. Nuk fyeu askënd ai. Dhe mos e ngrij zërin se nuk na tremb me këtë.

Gazment Bardhi: E kam revoltë unë, nuk e kam me ty ngritjen e zërit.

Klotilda Bushka: Je duke aktruar Gazi!

Gazment Bardhi: Ai vjen këtu e thotë që ka vdekur tjetri nga trutë e kokës, ndërsa ti thua që nuk e fyeu.

Klotilda Bushka: Pse kështu e tha me të vërtetë?!

Gazment Bardhi: Po kështu e tha, dëgjoje.

Bledjon Nallbati: Isha këtu unë ngjitur me atë. E tha fiks ashtu: Ka vdekur nga trutë e kokës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura