“Hajde se na vrau”, si mbeti i vdekur në mes të arës me misër 65-vjeçari. Vëllai i tij u plagos. Ja ç’thonë të afërmit

Jul 31, 2020 | 8:46
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/Përfundon në tragjedi një përleshje mes dy vëllezërve dhe hajdutit të misrave në Xhafzotaj të Shijakut.

Viktima Fiqiri Çalliku
Viktima Fiqiri Çalliku

Në përleshje e sipër, hajduti qëllon me thikën që priste misrat të dy vëllezërit Çalliku, njëri prej të cilëve ndërroi jetë, ndërsa tjetri arriti të mbijetojë falë edhe ndërhyrjes në kohë të bluzave të bardha. Sipas Policisë, si pasojë e përleshjes mbeti i vdekur Fiqiri Çalliku, ndërsa u plagos rëndë edhe vëllai i tij, Fadili.

Vëllezërit Fiqiri dhe Fadil Çalliku, përkatësisht 65 dhe 63 vjeç, kanë qenë në tokën e tyre kur janë përfshirë në konflikt dhe janë dëmtuar me mjet prerës gjatë tij. Fiqiri Çalliku, 65 vjeç, ka marrë më shumë plagë dhe si pasojë e tyre ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës, ndërsa vëllai i tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ka shoqëruar disa persona, si dhe ka sekuestruar prova materiale në vendngjarje që të zbardhë ngjarjen, të identifikojë dhe kapë autorin e saj.

NGJARJA

Vëllezërit Fiqiri dhe Fadil Çalliku, me banim në fshatin Xhafzotaj, kishin kuptuar se dikush u vidhte misrin në pronën e tyre, që ndodhet vetëm pak metra larg shtëpive. Ata kishin menduar të bënin roje me qëllim që të kapnin ose t’i jepnin një “mesazh” autorit që të mos shkonte më për të vjedhur, pasi ata po e ruanin pronën e tyre.

Pranë arës me misër, mbrëmjen e ngjarjes ishte Fiqiriu, ndërsa vëllai i tij po qëndronte në shtëpi. Rreth orës 23:05, në arën me misër shfaqet hajduti, i cili nisi të mbushte thesin me kallinj. Fiqiriu e pikas dhe afrohet për ta neutralizuar dhe ndërkohë sinjalizoi edhe vëllain e tij, Fadilin. E ndërsa ky i fundit po zbriste nga shtëpia tek ara, Fiqiriu nisi të përleshej me hajdutin në errësirë.

Nga frika se mos e neutralizonin, hajduti e qëllon disa herë me thikë Fiqiriun, duke e lënë të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak. Në këtë moment mbërrin në vendin e ngjarjes edhe Fadili, por hajduti bën të njëjtin veprim dhe e qëllon me thikën që priste misrat, duke e lënë të plagosur dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes me shpejtësi. I zënë në befasi dhe për atë që ndodhi, hajduti la në vendin e ngjarjes mjetin prerës, me të cilin qëlloi dy vëllezërit.

Në këtë moment, Fadili, që ishte plagosur pak më lehtë, telefonoi nipin e tij, djalin e Fiqiriut, duke i thënë: “Hajde se na vrau”. Ka qenë pikërisht ky i fundit që dërgoi me urgjencë në spital babain dhe xhaxhain të plagosur, por i ati nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Të afërmit: Jemi tronditur, po ruanin pronën e tyre

Kjo ngjarje ka tronditur mbarë opinionin publik, por më tepër familjen Çalliku. Kunati i vëllezërve Fiqiri Çalliku e Fadil Çalliku, Hasan Çukali, ka folur për mediat ku ka zbuluar se ata janë sulmuar teksa ruanin pronën e tyre në Xhafzotaj. Çukali tha se vëllezërit Çalliku nuk kishin konflikte me njeri, por kishin shkuar të ruanin arat me misër.

“Nuk kishin asnjë lloj konflikti. Vetëm se ruanin pronën e vet, shtëpinë e vet. Kanë hyrë njerëz të marrin misër, kanë dëgjuar zhurmë e kanë dalë. Kaq është ngjarja. I biri i gjeti në arë të misrit në gjendje të rëndë”, tregoi kunati i vëllezërve Çalliku. Ndërkohë, edhe të afërmit e tjerë kanë po të njëjtin version.

“Janë njerëz të ndershëm, që punojnë me djersën e ballit. Askujt nuk i kanë rënë në qafë. Vajtën të ruajnë misrin, që kanë gjithë beharin që e punojnë. Djali i viktimës shkoi se u vonua babai dhe i gjeti të dy të shtrirë. Si i ka marrë babanë dhe xhaxhanë, shpirti i tij e di. Asnjë dyshim nuk kanë, asnjë konflikt. Janë familja më e mirë, më e nderuar, më punëtore”, tha Tatjana Skufi, e afërme e familjes Çalliku.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura