Guximi për të goditur liderin e opozitës

May 8, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

  Dje në mbrëmje, në qytetin e Ersekës ka ndodhur një ngjarje e rëndë,
e pazakontë, si e tillë tejet preokupuese. Një qytetar militant i së majtës, siç thuhet
deri tani, tentoi të godasë liderin e opozitës. 

Lulzim Basha, tek ky i fundit prezantonte kandidatin për kryetar Bashkie të kësaj njësie. Nga ky akt mbeti i plagosur rëndë një qytetar, i cili mbrojti me trupin e tij   kryetarin e PD-së.
Gjesti mund të jetë rastësor, por nuk është rastësor frymëzimi, klima dhe konteksti i dhunës verbale, që dominon fillimin e kësaj fushate elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
Pushteti në Shqipëri gjatë këtyre 25 viteve në përgjithësi është treguar mujshar, hakmarrës, delegjitimues me opozitën. Maxhorancat janë identifikuar me shtetin dhe kombin e, sipas një mentaliteti neokomunist, opozita është konsideruar si fatkeqësi, si e pandreqshme, si keqdashëse, si regresive, madje si antishqiptare e antishtet. Një ndarje kësodore nënkupton një reagim “ndreqës” në proporcion me dëmin të atyre që shquajnë fajin dhe nuk e durojnë atë. Pushteti nuk ka hezituar të vërë dorë mbi përfaqësuesit e opozitës “për të shpëtuar vendin”, duke përdorur organet e sigurisë dhe të Drejtësisë.
Arrestimi fatkeq i Fatos Nanos, asokohe kryetar i Partisë Socialiste, dënimi dhe burgosja e tij kushtëzoi shumë natyrën e demokracisë shqiptare gjatë periudhës 1992-1997. Tendosja shkoi aq larg, sa dikush, po në vitin 1997, tentoi të kryente një atentat ndaj ish-presidentit Berisha në fshatin Shkallnuer. Po kaq i tendosi marrëdhëniet dhe ripërsëriti historinë me popullin opozitar ndalimi për disa orë i Sali Berishës në vitin 2000 dhe tendenca për ta tërhequr atë në procese gjyqësore, me objektiv të pastër ndëshkimin si kalkulim politik dhe jo drejtësinë si kauzë. Një tjetër moment i dhunës verbale është ai i pas 21 janarit 2011, kur Kryeministri i kohës kërcënoi drejtpërdrejt liderin e opozitës, Edi Rama. Natyrisht nga fjala te veprimi kemi të bëjmë me dy gjendje të ndryshme, të cilat nuk prodhojnë të njëjtin efekt.
Ngjarja e Ersekës shënon rastin e parë të përkthimit të bindjeve politike në dhunë fizike. Niveli i lartë i akuzave të ndërsjella, delegjitimimi reciprok i politikanëve ndikojnë shumë në psikologjinë e militantëve partiakë. Kjo formë komunikimi plot me artificë shërben si ushqim ideologjik për ndjekësit, të cilëve në ndonjë rast u mungon aparati përpunues për të ndarë demagogjinë nga e vërteta. Shpesh të papunë, të mërzitur mejhaneve, në kërkim të një mundësie, në kërkim të një identiteti, duan të bien në sy si mbështetës pa kushte të ligjërimit politik të Tiranës. Zymtësia e provincës e çon më në skaje dalldinë dhe urrejtjen, kjo e vetëkuptueshme për një sërë arsyesh. Por asgjë nuk e legjitimon marrëzinë dhe krimin.
Personalisht, në shenjë respekti për vendin tim, nuk besoj se Edi Rama orkestron të tilla shëmti, siç ishte gjuajtja me karrige e Bashës, sepse çdo llogari në rrafshin e imazhit do ta nxirrte të humbur. Vërtetimi i akuzave të tilla, se pas një skenari kësisoj është ai, do t’i vinte një damkë prej dhunuesi të frikshëm në opinionin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, damkë që nuk tolerohet. S’ka nevojë t’ia kujtojë kush kaq gjë, por mesazhet publike të Kryeministrit aktual, i cili pat ardhur në pushtet edhe me premtimin se do të ndahet nga “politika e vjetër e baltosjes”, janë thjesht një vazhdim i traditës së delegjitimimit dhe jo njohjes së statusit të kundërshtarit opozitar. Rama që kur u bë shef i qeverisë “skaliste”, në rrjetet sociale, deviza të tilla “të ndëshkohet aksh ministër”, “të hetohet, të bëhet, të kthehet” ose në mbledhje partie si kjo e Shkodrës, “kaq kuti, kaq vota, kaq drejtorë”… etj., në thelb janë sintaksë aspak demokratike, për të mos thënë totalitare.
Gojëtarët e qeverisë e akuzojnë si vrasës Lulzim Bashën për 21 janarin, si të korruptuar për Rrugën e Kombit, si tradhtar për paktin detar me Greqinë, si pengues të reformave dhe destabilizues të rendit publik, duke mbështetur krimin dhe jo policinë, të gjitha këto retorikë politike e pakonfirmuar nga Drejtësia, te ndonjëri përftohen si të vërteta që dalin nga librat e shenjtë. Atmosfera mbingarkohet me ngjyrime lufte.
Ndaj, yshtur prej bindjesh të tilla, ka nga ata që mendojnë se opozita është e tepërt në këtë vend, se kryetari i saj është një “armik”, të cilit i duhet dhënë një mësim. Tranzicioni shqiptar nuk e ka mundur këtë sindromë, madje e ka mikluar. Gjithashtu opozita nuk bën shaka në adresimet ndaj Kryeministrit, të cilat janë tejet agresive, por për hir të së vërtetës, Lulzim Basha nuk shquhet për zell etiketues dhe denigrues. Ky këndvështrim i jep atij të drejtën e një risie.
Shkaqet e aktit të dhunës në Ersekë apo në Durrës duhen kërkuar te ligjërimi politik, që nxit urrejtjen dhe delegjitimimin e opozitës, të drejtën e pushtetit mbi shtetin, dëshirën për të fituar e pasur gjithçka e gjithkund. Futja e këtij precedenti në jetën politike shqiptare i ka rrënjët në Tiranë dhe po këtu ai mund të dekurajohet; Mjafton të pranohet se pluralizmi është i certifikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si kusht për një shoqëri demokratike. Dukuri si ajo e Ersekës duhen dënuar me rreptësi etike nga gjithkush dhe me plotësinë e ligjit nga institucionet, sepse çdo tolerim apo shkelje syri cenon paqen sociale të vendit dhe integrimin me patjetër. Naive të përsëritet, po demokraci pa opozitë nuk ka dhe kryetari i saj është një instrument, sovraniteti dhe integriteti i të cilit janë të shenjtë. Guximi për t’i cenuar prek natyrën e sistemit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura