Guvernatori Sejko: Vitin e kaluar, borxhi i huaj u ul me 1.3 për qind! Norma e ulët e interesit stimuloi kërkesën e kredisë

Jun 17, 2022 | 7:54
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Viti 2021 shënoi një rikthim në rritje të kursit të ekonomisë shqiptare. Gjatë raportimit në seancën plenare, kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se përgjatë vitit 2021, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 8.5%.

auto_Sejko-11652291283

“Sipas të dhënave zyrtare, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 8.5% kundrejt vitit paraardhës, duke tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë. Rritja ekonomike ishte me bazë të gjerë. Ajo pasqyroi rimëkëmbjen e shpejtë të konsumit familjar, të investimeve private, si dhe të eksporteve të mallrave e shërbimeve. Për më tepër, frytet e kësaj rimëkëmbjeje ishin të pranishme në thuajse të gjithë sektorët dhe degët kryesore të ekonomisë.

Rikuperimi i gjithanshëm i kërkesës gjeneroi më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare, duke përmirësuar bilancet e tyre financiare dhe duke rritur qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes. Rimëkëmbja ekonomike solli rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, çka u materializua në rritje të presioneve të brendshme inflacioniste. Për rrjedhojë, inflacioni shënoi një rritje graduale gjatë vitit të shkuar, ndonëse ai vijoi të mbetet nën objektiv”, tha Sejko.

MASAT E BANKËS

Një ndër faktorët që solli rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar, që shënonte daljen nga viti i vështirë i izolimit prej pandemisë, ishin masat e marra të Bankës së Shqipërisë, konkretisht në mbajtjen ne vlerat minimale të normës së interesit për kreditë dhe forcimi i stabilitetit financiar të bankave.

“Duke u ndalur te puna e Bankës së Shqipërisë, më duhet të theksoj se politika jonë monetare vijoi të mbetet në kahun stimulues gjatë vitit 2021. Ky qëndrim i shërbeu si përmbushjes së objektivit tonë primar, atij të stabilitetit të çmimeve, ashtu edhe nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike. Në terma më konkretë, ne ruajtëm normën bazë të interesit në nivelet minimale historike, plotësuam nevojat e tregut me likuiditet, si dhe vijuam të orientojmë tregun mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen. Politika jonë monetare siguroi një ambient me kosto të ulëta financimi, kushte të përshtatshme kreditimi dhe kurs të qëndrueshëm këmbimi.

Ajo mbajti në kontroll kostot financiare të sektorit privat dhe mundësoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme të kreditimit, duke ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Vlerësimet tona tregojnë se stimuli monetar kontribuoi me rreth 1.3 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vitit 2021 dhe ndihmoi forcimin e stabilitetit të çmimeve, në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Në koordinim me stimulin monetar, Banka e Shqipërisë vijoi të ruajë masat stimuluese makroprudenciale, masa të cilat mbështetën ristrukturimin e kredive për klientët në nevojë, edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2021”, tha Sejko.

TEKNOLOGJIA NË SEKTORIN BANKAR

Një ndër prioritetet e Bankës së Shqipërisë për vitin e kaluar që sipas guvernatorit ka kaluar pritshmëritë, ka qenë inkorporomi i elementeve të teknologjisë në shërbim të sektorit bankar. Kështu, sipas Sejkos, gjatë vitit të kaluar, pagesat elektronike u rritën më shumë sesa ishte objektivi. “Paralelisht me mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit bankar, Banka e Shqipërisë ka punuar edhe për nxitjen e zhvillimit dhe sofistikimit të tregjeve financiare shqiptare.

Në këtë drejtim, gjej me vend të evidentoj punën e bërë për: Garantimin e sistemeve të pagesave të sigurta dhe eficiente, si dhe zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese me një sistem të ri të shlyerjes së pagesave kombëtare në monedhën euro për klientët e bankave. Ky sistem mundëson kryerjen e pagesave në euro brenda vendit, me kosto shumë më të ulëta dhe në një afat kohor shumë më të shkurtër krahasuar me procesin e mëparshëm.

Nxitjen e pagesave elektronike dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Numri i pagesave elektronike të kryera në vend u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2021, i nxitur nga ndryshimet rregullatore në ligjin ‘Për shërbimet e pagesave’ dhe përmirësimet në infrastrukturë”, vijoi Sejko. Ndërkohë, së fundmi në raportin e tij, Sejko evidentoi përmirësimin vlerësimit të Moneyval për pastrimin e parave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura