Guvernatori Sejko: Sfidë rigjallërimi i kreditimit

Apr 25, 2015 | 13:24
SHPËRNDAJE

Sfida kyçe për ekonominë shqiptare mbetet kreditimi i ekonomisë. Për këtë kanë qenë në unison guvernatori i Bankës së Shqipërisë në diskutimet e mbajtura në Uashington ditët e fundit, por edhe ekspertë të ekonomisë në Tiranë në një takim të mbajtur dje.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

Mbështetja financiare nga sektori bankar dhe zgjidhja e problemeve që frenojnë këtë mbështetje ishin disa nga pikat e diskutuara.

GUVERNATORI
Kreu i Bankës së Shipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, në Uashngton D.C., SHBA. Në takimet e shumta me zyrtarë të këtyre institucioneve, Sejko vuri theksin te rëndësia e rigjallërimit të kreditimit që sipas tij mbetet sfida prioritare.

Po kështu, guvernatori ka ngritur edhe problemin e kredive të këqija, duke theksuar se është e nevojshme që të ulet niveli i tyre dhe Banka e Shqipërisë është e angazhuar plotësisht për këtë në bashkëpunim me autoritetet e tjera publike. Kreu i Bankës së Shqipërisë në takimet e mbajtura në Uashington është ndalur edhe në diskutimin e situatës financiare të Greqisë dhe ndikimeve të mundshme që mund të ketë çdo skenar në ekonominë shqiptare.

Gjithsesi ai ka theksuar se tashmë janë marrë të gjitha masat për të përballuar çdo situatë edhe pse sipas Sejkos, bankat në vend janë të mirëkapitalizuara dhe likuide. Zyrtarët e lartë ndërkombëtarë kanë vlerësuar nga ana tjetër punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, duke theksuar se shohin te Banka e Shqipërisë një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj.

TAKIMI
Në Tiranë u mbajt dje një takim me temë “Kredia për ekonominë dhe diversifikimi i burimeve për zhvillimin e biznesit”, ku morën pjesë ekspertë, si dhe përfaqësues të qeverisë. Në fjalën e tij në konferencë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh se tashmë sektori privat ka gjithë mundësitë për mbështetje, pasi hapësirat janë të mëdha. Ai do të sillte në vëmendje kredinë 250 milionë euro të marrë falë garancisë së Bankës Botërore.

“Në mënyrë që t’i lëmë më shumë hapësirë bankave për kreditim të sektorit privat dhe jo vetëm të financimit të huamarrjes publike, vendosëm që, duke respektuar kufirin e miratuar për borxhin publik të vitit 2015, një pjesë të tij, ta zhvendosim nga ‘me burime të brendshme’ në ‘me burime të jashtme’, sa kohë që kjo alternativë është me shumë interes dhe zbut presionin ndaj bankave për financimin e buxhetit”, tha Cani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura