Guvernatori: Normat e interesit dhe kreditimi do të rriten vitin tjetër

Nov 20, 2018 | 8:27
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Guvernatori Gent Sejko deklaroi dje në Komisionin e Ekonomisë, se vitin tjetër Banka e Shqipërisë do të rrisë normat e interesit.

sejko

Në seancën e Komisionit të Ekonomisë për dhënien e opinionit për buxhetin dhe paketën fiskale 2019, Guvernatori Sejko u shpreh se në rast se ekonomia do të vijë ecurinë pozitive, Banka e Shqipërisë do të kalojë në politikën monetare shtrënguese.

“Sikurse edhe parashikimet për eurozonën, edhe ekonomia jonë do të vijë drejt përmirësimit. Ekonomia shqiptare do të ketë rritje më të lartë, pasi ne jemi një ekonomi në zhvillim dhe natyrisht që politika jonë monetare lehtësuese do të duhet të vazhdojë edhe për një periudhë kohore, por në periudhën afatgjatë ne do të duhet të kalojmë nga politika monetare lehtësuese, në politikë monetare shtrënguese. Në rast se do të vazhdojmë sikurse e kemi parashikuar se do të kemi një rritje ekonomike, atëherë në harkun e një viti dhe më pas do të duhet të rishikojmë dhe gradualisht të kalojmë në një politikë monetare shtrënguese, e cila do të thotë që ne mund të vazhdojmë me rritjen e normave të interesit”, u shpreh Sejko. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se aktualisht do të vazhdohet me politikën monetare lehtësuese.

“Ne do të duhet të vazhdojmë të mbajmë një miks politikash, të një politike monetare lehtësuese dhe të një politike fiskale konsoliduese. Ky është miksi i nevojshëm që siguron rritjen ekonomike dhe përshpejtimin ekonomik”, tha Sejko. Guvernatori Sejko theksoi se në vitin 2019 bankat do të rrisin kreditimin e ekonomisë, pas përfundimit të strukturimit të sektorit. Ai deklaroi se procesi i shitjes së bankave po vijon pozitivisht.

“Pas strukturimit të sektorit bankar në vitin 2019 do të kemi rritje të kreditimit. Fatmirësisht, ristrukturimi i sektorit bankar ka pasur ecuri më pozitive sa ne kemi menduar në fillimet e këtij procesi. Kemi qenë me më pak shpresë për cilësinë e aksionerëve. Situata ka ecuri pozitive, është në kontroll dhe ne do të zbatojmë ligjin dhe kërkesat rregullatore në strukturimin bankar”, u shpreh Sejko.

BUXHETI

Guvernatori Sejko vlerësoi pozitivisht buxhetin e vitit të ardhshëm. Sejko u shpreh se buxheti ul borxhin dhe rrit investimet. “Banka e Shqipërisë konstaton se projektbuxheti i paraqitur e përmbush këtë mision. Më konkretisht, ky buxhet parashikon uljen e borxhit publik në nivelin 65,5 për qind të PBB-së, kundrejt nivelit 69,1 për qind të pritur për vitin 2018. Projektbuxheti i vitit 2019 parashikon investime publike në nivelin 5,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. E parë në prizmin e zhvillimit afatgjatë të vendit si dhe të nevojave të mëdha që kemi për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës, Banka e Shqipërisë e konsideron ruajtjen e nivelit të lartë të investimeve publike një element të rëndësishëm të çdo projektbuxheti”, u shpreh Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura