Guvernatori me kreun e BERZH: Politika monetare po nxit kreditimin

Jul 28, 2016 | 11:54
SHPËRNDAJE

Nxitja e kreditimit dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me Bankën e Shqipërisë ishin temat kryesore të diskutimit mes kreut të BERZH dhe Guvernatorit. Takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në takim, përveç Sir Suma Chakrabarti, morën pjesë dhe përfaqësuesit më të lartë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

sejko

Sipas njoftimit, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat kanë shërbyer si udhërrëfyes koherent për hartimin e axhendës së zhvillimit të vendit. Guvernatori e njohu kreun e BERZH me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend.

Sejko u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Për sa i përket sistemit bankar, Sejko theksoi se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë.

“Trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2%, në fund të vitit 2015”.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja e kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend. Nga ana e tij, kreu i BERZH, Chakrabarti, vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.

Chakrabarti u shpreh se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë të japë kontributin e saj në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: agrobiznesi, infrastruktura, energjia etj., me qëllim zhvillimin e sektorit publik dhe atij privat. Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar përmes linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura