Guri gol Anderlehtit në sytë e Panuçit: Doja edhe një të dytë, pres ftesën e Kombëtares

SHPËRNDAJE

Për Ostenden nuk ishte një pasdite e lumtur, por për Sidrit Gurin në aspektin personal po. Në sfidën ndaj Anderlehtit, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të kampionatit belg, ishsulmuesi i Kukësit ka arritur të tregojë menjëherë vlerat e tij prej goleadori dhe në një mënyrë ose një tjetër konfirmon se thuajse 1 milion eurot e paguara për të janë një investim i justifikueshëm, duke parë lojën e shkodranit në fushë.

Titullar në transfertën e gjigantëve belg dhe për 90 minuta në fushë, Sidrit Guri u duk ndër të paktit lojtarë të skuadrës së tij që nuk iu tremb emrit dhe cilësive të Anderlehtit, skuadër në të cilën bën pjesë një tjetër shqiptar, një tjetër zbulim i dy viteve të fundit të Superligës shqiptare si Kristal Abazaj, ndonëse ky i fundit nuk ka bërë ende debutimin e tij, si rrjedhojë e një dëmtimi që po e mban jashtë fushave. Takimi i djeshëm pa Ostenden që të mposhtej me rezultatin e thellë 5-2, por Guri ishte ai që tentoi t’u japë kurajë shokëve të ekipit, duke gjetur golin e tij të parë në Belgjikë dhe duke dërguar shifrat momentalisht në 2-1.

guri

Në minutën e 58- të, ai shtyu me finte në mënyrë spektakolare asistin e Çapon, për më shumë përpara syve të trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi, i pranishëm pa dijeninë e lojtarit në tribunën “VIP” të impiantit të Anderlehtit. Në përfundim të ndeshjes, në një intervistë për “Panorama Sport”, Sidrit Guri tregoi ndjesitë e golit, zbuloi bisedat me Abazajn, por dhe arsyet pse nuk arriti të takojë dot trajnerin e kombëtares, Kristian Panuçin, por nuk harron as Kukësin.

Sindrit dhe pse ekipi yt humbi 5-2, ti shënove golin e parë të skuadrës tënde në këtë takim dhe golin e parë tëndin në ndeshje zyrtare, pikërisht ndaj gjigantëve të Anderleht. Kush ishte gjëja e parë që të shkoi në mendje pasi shënove?

Ishte një ndeshje shumë e fortë përballë një kundërshtari si Anderleht. Isha tmerrësisht i përqendruar të arrija objektivat e ekipit dhe natyrisht të mijat si sulmues. Mbas shënimit të golit të parë po mendoja për golin tjetër që doja të realizoja, po nuk ia arrita. E doja shumë dhe po e prisja të shënoja një gol të dytë. Por tani të presim ndeshjen e radhës.

Abazaj nuk luajti… E takove para ndeshjes, çfarë i the?

E takova pas ndeshjes dhe i thashë që dua ta shoh sa më shpejt në fushë me qëllim që dhe ai të japë kontributin e tij për ekipin, sepse i ka të gjitha mundësitë dhe aftësitë. Kam besim se edhe Abazaj do të shkëlqejë në Belgjikë sapo t’i jepet mundësia.

Me sa dimë, ndeshjen e ka ndjekur edhe Panuçi. E takove?

Nuk kisha mundësi ta takoja sepse ekipi u nis shumë shpejt, ndoshta dhe nga rezultati që ishte zhgënjyes.

Do jesh pjesë e kombëtares në sfidën ndaj Izraelit?

Nuk e di, të them të drejtën nuk është në dorën time. Unë e kam thënë gjithmonë që jam i gatshëm për kombëtaren dhe sa herë ta veshë atë fanellë, do të jap shpirtin në fushë.

E ke ndjekur Kukësin? Si të është dukur?

E kam ndjekur dhe do e ndjek sa herë të kem mundësi. Të them të drejtën ka vështirësi, sepse u ndërruan shumë lojtarë dhe ata që kanë ardhur duan kohën e tyre që të përshtaten. Shpresoj dhe uroj shumë që shokët e mi të kalojnë turin e tretë ndaj Torpedos. I uroj vetëm suksese!

Çfarë ndryshimi ka kampionati belg me atë shqiptar?

Të jem realist, ka shumë shumë ndryshime sepse në radhë të parë këtu ndihesh 100 për qind futbollist. Këtu ke çdo gjë që të nevojitet, nuk e ke mendjen te çdo gjë që ka të bëjë me ty në aspektin sportiv: veshjet, fushat, udhëtimet, rrogat e gjëra akoma më të vogla. Këtu janë klube krejtësisht profesioniste. Lojtari është i përqendruar dhe e ka mendjen vetëm te stërvitjet dhe ndeshjet. Pra, je i dedikuar dhe shqetësohesh vetëm për punën tënde profesionale. Luhet më shpejt dhe vrapohet shumë. Kjo mendoj është diferenca më e madhe, pa harruar infrastrukturën.

Ku mendon se mund të shkosh në të ardhmen e afërt?

Sa kapacitet ka Guri për të shkuar me një skuadër më të madhe europiane? Sapo ka nisur aventurën time këtu. Jam i përqendruar totalisht, ndaj shpresoj dhe besoj shumë se këtu ku jam të bej më të mirën dhe çdo gjë do vijë hap pas hapi. Synimi im është t’i bëj hapat e vegjël dhe të sigurt, por mbi të gjitha është shëndeti dhe të shmang dëmtimet. Nëse do të kem fat dhe çdo gjë do të më shkojë mirë, kam bindjen se do të arrij aty ku dua. Fundja jam ende shumë i ri dhe kam kohë për gjithçka.

SKERDILAID SULOZEQI

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.