Gunter Grass, nobelisti rikthehet me katastrofën e mbytjes së 9000 gjermanëve

Nov 17, 2017 | 13:25
SHPËRNDAJE

“Me hapin e gaforres”, një prej kryeveprave të Gunter Grassit, shkrimtarit të madh gjerman, fitues i çmimit “Nobel”, vjen në shqip nën shqipërimin e përkthyesit të ndjerë Afrim Koçi dhe shtë- pia botuese “IDK”.

Gunter_Grass

Bëhet fjalë për romanin e fundit që ai shkroi dhe, pa dyshim, një prej romaneve më të bujshme të letërsisë gjermane. Si thuajse në gjithë veprat e tjera të tij, në fokus është sërish historia e trazuar e Gjermanisë. Por jo më ajo e “fajit gjerman”, që e pat bërë atë të famshëm me trilogjinë e Dancingut, por kësaj here historia e viktimave gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Romani ka në qendër mbytjen në detin Baltik nga një nëndetëse sovjetike, në janar të vitit 1945, të anijes “Wilhelm Gustloff”, me 9000 refugjatë gjermanë, kryesisht gra dhe fëmijë. Bëhet fjalë për katastrofën më të madhe të historisë detare, ku humbën katër herë më shumë jetë njerëzore sesa në rastin e “Titanikut”, e që megjithatë, për shumë dekada me radhë, askush s’e përmendte.

Por ndonëse i frymëzuar nga një ngjarje e ndodhur realisht, romani “Me hapin e gaforres”, si gjithë vepra e G.Grassit, ka një strukturë mjaft më komplekse, ku faktet përzihen me fiksionin dhe vetë gazetari që na rrëfen historinë, bashkë me familjen e tij, s’janë veçse personazhe të Gjermanisë së viteve 2000.

“Mesazhi i Gunter Grassit është se të gjithë gjermanët, por sidomos e majta liberale, duhet të tregohen më të ndjeshëm, jo vetëm ndaj krimeve të kryera, por dhe ndaj viktimave të historisë gjermane. Dhe kjo jo për të minimizuar krimin e holokaustit, apo për të balancuar një të keqe me një tjetër, por thjesht sepse dhe vuajtjet e gjermanëve janë po ashtu pjesë e realitetit historik”, shkruan “The Guardian”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura