Guida e gremisur e “Vrimës” së Rita Petros

Dec 23, 2015 | 13:38
SHPËRNDAJE

agim-baciAGIM BAÇI

Duhet që në fillim të jemi dakord se të  përcaktosh se çfarë nuk është poezi, nuk është e lehtë. Por edhe ta themi hapur se përshkrimi i guidës së proceseve biologjike, pavarësisht kuriozitetit të pashtershëm të çdo moshe, mund të jetë shtysë për poezinë, por vetë nuk mund të jetë poezi.

Nëse do të futeshim në hullinë e debateve të studiuesve të poezisë, do të mjaftonte të citonim profesorin e Harvard-it dhe Yael-it, Harold Bloom, që thotë se “Poezia përgjithësisht është e më çliruar nga historia sesa proza apo drama”. (“Si dhe pse të lexojmë”, Dudaj, 2008, fq. 69). Një gjë e tillë do të thotë se poezia krijon imagjinatë, krijon premisë për mendim dhe nuk ndalet te historia apo përshkrime fiziologjike.

Kjo sepse koha e poezisë nuk është gjatë leximit, por pasi ke përfunduar së lexuari. Poezia krijon “proces besimi”, siç thotë Emersoni, një besim për fuqinë që ka njeriu për të imagjinuar. Por në rastin e “Vrimës” së Rita Petros, mund të kemi ndihmë për dikë që “të lëvizë dorën më shpejt”, por assesi mendjen. Poezitë e Petros nuk janë një risi në botën e artit, por nuk kanë asnjë themel për të qenë etalon, siç mund të tentojë ta përcjellë çmimi më i fundit i akorduar. Sepse një çmim i tillë jepet “për vlerësim të përfaqësimit të lartë të kulturës shqiptare”.

Se ku e ka këtë cilësi përshkrimi i fjalëfjalshëm i proceseve biologjike, madje me gjuhë banale, mund ta dijë vetëm juria që e ka vlerësuar. Përgjithësisht, përshkrimi i guidës seksuale mbetet ose një punim i rëndësishëm shkencor dhe edukativ për të pasqyruar këtë proces të rëndësishëm jo vetëm biologjik, ose është një komunikim intim kur dy apo më shumë persona duan të mbajnë të shkruar atë që kanë praktikuar pak, pasi kanë vërvitur çdo të mbathur të mundshme.

Por ky proces nuk është vlerësuar kurrë “për nivelin e lartë kulturor dhe estetik”, edhe pse është proces që ndodh rëndom. Po t’i hedhim një sy vlerësimeve që i bëhen zakonisht kësaj gjinie, qoftë edhe në filma, edhe pse mund të kenë ndjekës pa fund, është fakti se ata nuk hyjnë fare në konkurrim për atë që cilësohet si një “Oscar”. Po të shohim këtë sëmundje më gjerë sesa Shqipëria, do të kujtonim se sot në SHBA, për shembull, quhet muzikë edhe ajo që bën John Cage, një kompozitor, i cili ulet në piano për 4 minuta e 30 sekonda dhe nuk bën asgjë. Ai nuk luan asnjë notë.

Ka vetëm qetësi, dhe këtë ai e quan muzikë. Një profesor i Universitetit të Mançesterit tha se “Cage është i sëmurë dhe i lodhur nga koncertet dhe muzika e zakonshme, kështu që bën këtë lloj muzike”. Dhe kjo ndodh se fjalët “art”, “poezi”, “muzikë”, “pikturë” nuk janë më të njëjta. Dhe kjo erdhi për shkak se moderniteti tentoi “të renë”, “të ndryshmen”, duke cilësuar Bethovenin apo Van Gogun si të vjetruar. Ndaj sot, gjithkush mendon se është artist.

Madje, dhe dikush që tërheq zvarrë një shishe plastike nëpër qytet, bërtet se po bën art. Edhe kur vizaton një penis në trup, e quan art. E njëjta gjë edhe “vrima” e Petros, mendon se duke thënë disa fjalë të tilla, të besojë se ka bërë art. Sepse rënia e çdo kriteri e krijon këtë kaos. Dhe dhënia e çmimit ka manifestuar këtë kaos. Në këtë këndvështrim, Petro e sheh veten në konceptin e modernes, që tenton të zhbëjë gjithçka të shenjtë.

Megjithatë, unë kam pak imagjinatë se çfarë kërkon të emancipojë Rita dhe të tjerët, që kanë vlerësuar Ritën në këtë ritëm zhveshjeje, ku mungon figuracioni, ku mungon besimi, ku mungon akti i estetikës që krijon frymë dhe një botë. Por ama, ne duhet të shqetësohemi pasi, kur të tilla poezi rreshtohen në vlerësime, si “të një niveli të lartë artistik”, atëherë misioni i Ritës ka mbaruar dhe gjynahu vjen e bëhet zyrtar.

Dhe, të vlerësuara zyrtarisht, ata kanë rrezikun e përhapjes më shumë, e ndoshta edhe më keq, të rrezikut të përfshirjes në tekste të sugjeruara për lexime në shkolla. Pikërisht këtu nis shqetësimi ynë për vlerësimin e librit “Vrima”, e cila nuk të jep asnjë ndjesi më shumë sesa rënia e shpejtë e pantallonave dhe shikimi i tjetrit apo tjetrës si një proces trupor, pa identitet, pa personalitet, pa frymë besimi te njeriu. Vetë autorja tenton të japë shpjegimin se përmes këtyre vargjeve tenton të ndryshojë lexuesin e madje “të pastrojë mendjet nga trupat e frustruar nga perversiteti mendor”!!!! (Citim i marrë nga FB personale e Rita Petros).

Por vargjet e mëposhtme, përveçse nuk kanë asgjë poetike, janë të mbushura me një urrejtje fyese ndaj gjinisë mashkullore, ku nuk ka vend as për imagjinatë e as për meditim.

“Të mëshiroj

Se jam grua

Që e kam ndier deri në kockë

Energjinë – orgazëm që vjen nga Zoti…

Të mëshiroj

Se je një burrë

I frustuar nga babai

I qullashur nga nëna

I tredhur nga gruaja

I tallur nga dashnorja

I poshtëruar nga bosi

I harruar nga Zoti…”

(Shkëputur nga libri “Vrima” të cituara nga vetë autorja në FB)

“Po si e prezanton veten e saj poetikja? Poetikja është e pranishme, kur fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si paraqitje e objektit të quajtur prej saj ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka dhe vlerën në vetvete, në vend që në mënyrë indiferente t’i qëndrojë realitetit”, shprehet një nga qëmtuesit më të mëdhenj të fakteve poetike, studiues që ndikoi në fushën e semiologjisë dhe semiotikës, Roman Jakobsoni.

Parë nën këtë këndvështrim, për të gjetur formën e brendshme të fjalëve te “Vrima”, Rita Petro nuk qëndron në asnjë degë meditimi. Për të kuptuar Ritën duhet të mendosh se ka rënë errësira e përhershme mbi të shenjtën dhe imagjinatën dhe se duhet kërkuar veç vrima. Mbetet të themi se treni poetik i Rita Petros ka dalë nga shinat e fjalëve që të japin imagjinatë dhe besim. Ajo është në fushën ku duhet të çlirohesh nga gjithçka me vlerë e të mendosh se “koka e sipërme” nuk të duhet më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura