Grupi Balfin dhe Komercijalna Banka blejnë Tirana Bank për 57.3 milionë euro

Aug 8, 2018 | 11:04
SHPËRNDAJE

Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht sot se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank.

Capture-13

Transaksioni thuhet në njoftim, është subjekt i kushteve, duke përfshirë miratimet rregullatore dhe të tjera nga autoritetet përkatëse në Komisionin Europian, Greqi dhe Shqipëri, si dhe Fondin Helenik të Stabilitetit Financiar.

Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

Unicredit ka vepruar si këshilltar ekskluziv financiar i Pireut për transaksionin. Norton Rose veproi si këshilltar ligjor ndërkombëtar i Piraeus dhe Boga & Associates si këshilltar ligjor lokal i Pireut për Transaksionin, përfundon njoftimi zyrtar i bankës së Pireut.

Tirana Bank është banka e gjashtë më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, totali i aktiveve të bankës ishte rreth 80 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ose rreth 5.3% e totalit të aktiveve në sistem. Banka ka 4.2% të stokut të kredive dhe 5.2% të depozitave dhe e kishte mbyllur vitin 2017 me një fitim prej 69 milionë lekësh. Numri i punonjësve ishte 439 në fund të vitit 2017, teksa banka ka 39 degë.

Kjo është banka e dytë me kapital grek që shitet, pasi NBG u ble në muajt e parë të këtij viti nga Abi bank. Abi Bank kishte shprehur interes edhe për blerjen e Tirana Bank.

 

Blerësit

Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, është më i madhi në vend. Pjesë e Grupit Balfin janë Qendrat Tregtare TEG dhe QTU, kompania AlbChrome, Mane TCI, Green Coast Luxury Resort, Vala Mar Residences, Tirana Logistic Park, AgroCon Albania, si dhe rrjeti i dyqaneve Neptun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; Jumbo në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë; rrjeti i dyqaneve SPAR Albania, Fashion Group etj.

Të ardhurat e Grupit në Shqipëri në 2016-n ishin rreth 250 milionë euro, ndërsa në total arrijnë në rreth 600 milionë euro (jashtë vendit aktiviteti kryesor ështe në Vjenë, Maqedoni, Kosovë, Bosnjë – Hercegovinë etj.), sipas burimeve zyrtare nga grupi.

Pak kohë më parë, presidenti i saj, z. Samir Mane kishte shprehur interesin për tu diversifikuar në sektorin financiar. “Po qe se do të vijë një ofertë e mirë, dhe jemi duke parë, natyrisht që mund ta mendojmë edhe investimin në këtë fushë”, ka pohuar ai në një intervistë për Monitor rreth një vit më parë.

Komercijalna Banka, sipas faqes së saj të internetit u themelua në vitin 1955, si Bankë Komunale e qytetit të Shkupit, e specializuar për kredi për shtëpi dhe financim të veprimtarive ndërtimore. Në vitin 1965 u hap Dega e parë e Bankës në Shkup. Nga 1.1.1966, Banka Komunale u transformua në një lloj të përzier të bankës dhe morri një emër të ri: Komercijalna Banka –Investuese Shkup. Në vitin 1971, tre bankat kryesore në Republikën e Maqedonisë edhe atë Banka Ekonomike Shkup, Komercijalna Banka –Investuese në Shkup dhe Manastir, u integruan në një bankë e cila vepronte nën emrin Banka Ekonomike – Filiali Shkup. Kjo bankë ishte banka e parë që prezantoi llogaritë rrjedhëse për qytetarët. Në vitin 1989, u soll Ligji për bankat dhe institucionet tjera financiare dhe në vitin 1990 Banka u transferua në shoqërinë e parë aksionere në vend duke mbajtur emrin e tanishëm Komercijalna Banka AD Skopje.

Komercijalna Banka AD Skopje sot është një bankë universale me një gamë të gjerë të aktiviteteve bankare, duke filluar nga depozitat, dhënien e kredive për personat juridikë dhe fizikë, shërbime dhe mundësi për qarkullimin e pagesave në vend dhe jashtë vendit, ndërmjetësim në blerjen dhe shitjen e valutës së huaj, të letrave me vlerë, forfetime, etj, thuhet në faqen e saj.

Balfin: Tirana Bank do të vijojë të operojë e pavarur 
Në një njoftim zyrtar, Grupi Balfin tha se “Balfin dhe Komercijalna kanë një histori të gjatë bashkëpunimi në Maqedoni, por ky është rasti i parë kur ky bashkëpunim shtrihet edhe në Shqipëri.
Transaksioni po i nënshtrohet proceseve të miratimit të rregullave në fuqi në legjislacionet përkatëse.
Tirana Bank do të vijojë të operojë e pavarur dhe e menaxhuar nga profesionistë me përvojë dhe e udhëhequr nga një bord ndërkombëtar, si dhe do t’i zgjerojnë më tej veprimtaritë e saj bankare në Shqipëri.
Tirana Bank ka qenë gjithnjë një bankë e rëndësishme në zhvillimet financiare të Shqipërisë, dhe është banka e parë private që u shfaq në tregun vendas. Me një reputacion dhe staf të shkëlqyer, Tirana Bank është një prej bankave më të mira në Shqipëri. Balfin dhe Komercijalna do të mbështeten te ky reputacion dhe te besimi i shfaqur nga klientët për t’i zgjeruar më tej veprimtaritë e bankës.
Grupi Balfin është një ndër grupet më inovatore dhe me të mëdha në rajonin e Ballkanit dhe ka një portofol të gjerë investimesh në shtete si Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi, Austri, Holandë, Britani e Madhe dhe më gjerë.
Komercijalna është një bankë që ka fituar çmime në Maqedoni dhe zotëron një pjesë dominuese në sektorin e kredidhënies ndaj biznezeve të shitjes me pakicë si dhe në zhvillimin e produkteve të reja përmes internetit dhe platformave dixhitale. Me asete që kapin një vlerë totale prej 1.737 miliardë eurosh, Komercijalna është një prej bankave më të mëdha në Evropën Jug Lindore”, përfundon njoftimi i Balfin. Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura