Gruaja, vuajtja dhe deti te piktorët ulqinakë

Apr 5, 2019 | 16:18
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI / Po çfarë mund të fiksojë një piktor nga Ulqini, qyteti bregdetar me një histori të lashtë, kështjellën, tërbimin dhe puthjen e valëve mbi shkëmbinj, blerimin e butë dhe lulnajën këndellëse sipër tij, shiritin e përhimë të plazheve dhe brigjet që puqen mbi syprinë të ujit, traditat e rrepta shqiptare, baladat dhe gjithë antropologjinë e tij përvijuar nëpër shtresime kulturore shekullore, më tutje përhirimin e figurës së brishtë e delikate të femrës, të së dashurës, motrës a gruas sonë që kemi bri krahut, ende nën vuajtjen e pamerituar të traditave të ngurta, britmën e mirësisë dhe shenjtërimin të një religjioni pajtues, mandej dyfytyrësia e qenies njerëzore, tjetërsimi që na lodh, qeliza a kromozomi mashkull-femër në pakuptimësinë, konfliktin dhe vuajtjen e dyzimit me pamundësinë sfilitëse të komunikimit.

Josif-Papajorgji11

Deti s’mund t’i ikë assesi syrit të një piktori ulqinak. Deti është brenda tij. Unë e di këtë sepse jam vetë njeri i ardhur nga një qytet deti, Saranda, poshtë në jug. E pra, Ulqini në veri dhe Saranda në jug, a s’është një simbiozë që e mban detin dhe bukurinë në gji? A s’është krejt Shqipëria jonë kështu?! Prandaj pata kaq shumë interes të shihja përthyerjet shpirtërore dhe imazhet e sjella prej piktorëve ulqinakë: Bilal Nikeziq, Edin Kapllani, Gjergj Noc Martini, Jozo Kocoviq, Naser Hasa, Rudi Goga, Vahida Nimanbegu dhe Bilal Nikenziq.

Në të tërën e vet, piktorët që vijnë nga Ulqini gërshetojnë në krijimet e tyre së paku dy rrafshe integrale: traditën e pikturës figurative dhe realiste, sidomos e zhvilluar në Shqipëri dhe traditën e pikturës jofigurative, abstrakte, surrealiste, sidomos e zhvilluar në Kosovë me mbishtresime simbolesh e metaforash, me përthyerje dhe shenja piktorike surrealiste, ku amalgohen imazhe, shenja dhe simbole që kalojnë gjer në hermetizëm (kujtojmë Muslim Mulliqin, Gjelosh Gjokën, Rexhep Ferrin, Tahir Emrën, Nebih Murriqin, Xhevdet Xhafën etj.).

Tjetra, që nuk mund të anashkalohet assesi, është larushia stilistike, teknikat përplotësuese, ku gjithkush ka një zë të vetin. V. Nimangegu spikat për dekorativitetin dhe brushën e trashë, por elegante në harmoninë e ngjyrave; B. Nikenziqi për sipërfaqet e rrafshëta e të lëmuara; Mersiha Madric, për ngjyra të mugëta, por me intensitet të lartë, Edin Kapllani për teknikën e mbivendosjes mbi telajo të kartonëve e sendeve të tjera që bëhen pjesë e tablosë, ku gjithkund figura e peshqve është bartëse e poetikës bregdetare të qytetit; Rudi Goga me përthyerje poetikash figurative; Naser Hasa me aplikimin e një flu-je që krijon mister, heshtje dhe paqësim.

Josif-Papajorgji1

Tri figurina, doemos brenda shformimit që ndjek piktura moderniste, dy të parat me shëmbëlltyra ku përngjasimi human është më i rrokshëm, ndërsa e treta sipër të jep mbresën e një shpendi, ndofta shqiponja, simboli kombëtar, ja këto janë njësitë kompozicionale të tablosë së Rudi Gogës, në një blu të errët me nuancat e saj gjer tek e bardha. Dhe satira gërryen e thumbon pikërisht në pjesën ballore të saj, që s’është veçse një WC e thyer, diçka që të kujton pikturën e njohur të De Shampit. Konotacioni është i lexueshëm saora: një shoqëri konfliktuale, e zvetënuar, që e ka kthyer idealin kombëtar në një banjë jashtëqitjesh, madje edhe kjo e thyer… Diku në një tablo të bërë më 1983, piktori na jep një shenjë fjalësore: Shaman.

Dhe mendja nis e bredh te këta njerëz të shenjtë, misioni i tyre në kuptimin e marrëdhënies mistike e transhedentale mes botës dhe qiellit, njeriut dhe Perëndisë si fuqi eskatologjike. Porse figura e këtij Shamani nuk është aspak njeriu i çuditshëm që rrezaton fuqinë mistike hyjnore prej Shamani. Përkundrazi, është një njeri i zhveshur, thuajse i rëndomtë, i dobët, që e lidh me paradigmën biblike të “Bariut të grigjës njerëzore”, pikërisht ai shkopi i gjatë prej çobani, të cilin nëse dëshiron, mund ta dekodosh edhe si një spektër a shkopin e Moisiut dhe i vendosur në një sfond të kaltër me disa rrathë, që mund t’i marrësh si shtjella galaktikash, ti vjen pak nga pak tek ideja e shenjtërimit dhe e mbinjerëzores që përfaqëson ky njeri me pushtet mbi shpirtrat, ndonëse trupdobët…

Te tabloja “Simfonia e detit” parimi mitologjik me sinkretizmin e vet të çon te përbrendësimi i figurës njerëzore mes ujërash të shqetësuara, ku spikat një portret njeriu rrethuar nga vegime trupash dhe eshtrash, fytyrë e përvuajtur që shkrihet dhe identifikohet me të kaltrën e detit, njëherit sa në syprinë, aq dhe në thellësi të tij, tashmë si qenie e përvijuar mbi lëkurë e në mish-kockë, që bëhet shpirti i tij, shenja e tij, paradigma e tij, ashtu si motit Posedoni i famshëm pellazgogrek përshfaqej si Hyji i Ujërave, deteve dhe oqeaneve.

Josif-Papajorgji

Te piktura e Gjergj Noc Martinit stili surrealist bëhet tejet i dukshëm, përmes një tubimi gjësendesh dhe në midisin e së kuqes së ndezur, të zezës, blusë dhe spektrit të begatë kromatik që i shoqëron, befas t’i shikon aty sy njerëzorë, një fytyrë të dyzuar. Forma kaotike dhe përgjakja e së kuqes që mbulon përqasjen e imazhit qendror me shëmbëllimin human, të çon vetiu te një trazim shpirtëror i fshehur, te pështjellimi, vuajtja dhe tjetërsimi. Tablo që ka një zgjidhje të bukur dhe ekspresive. Portreti i një vajze malësore me shami në kokë dhe flokët drudhka, ani pse afër tipologjisë figurative realiste, gjithsesi shkon më tutje, sidomos në mënyrën e trajtimit të hollë të fytyrës me pak ravijëzime, flokët dhe gjer tek ajo çka e mbështjell atë, qafën dhe pjesën e epërme të torsit të hajthëm. Më tutje, një portret i vendosur në një mjedis, ndofta prej artisti a njeriu të librit, ku të bën përshtypje, si të thuash, “çrregullimi i rregulluar” i objekteve rrethuese dhe i njollave ngjyrore… Një nudo femre e vendosur mbi një kryq të zi vetiu të çon te metafora e Krishtit dhe kryqëzimit të tij, çka duket edhe te stigma në këmbën e nxirë në fund të tablosë.

Po çfarë sakrifikohet pikërisht dhe cilët janë ekzekutorët? Besoj se është femra, diku e përgjakur nga dhuna, diku si e braktisur e diku si në mes të acarit dhe akullimit. Ekzekutori, siç të gjithë e dimë, jemi ne, është shoqëria mashkullore e ngurtë dhe e mbushur përplot paragjykime, që femrën e sheh ende si pjesë të erotizmit… Abstraksionizmi i Jozo Kocit vjen falë një morie kuadratesh bardhezi, që kërkojnë të flasin dhe që kanë brenda tyre një energji të ndrydhur. Po ç’janë këto pika mes kuadrateve, herë të vogla e të qarta e herë të zgjeruara dhe të mugëta, që diku-diku e mbushin në të përhime krejt kuadratin? Indekse e shpirtra njerëzorë janë a diçka tjetër. Kjo na lihet ne që të vendosim, mes lojës mendjes dhe fantazisë sonë.

Një pështjellim figurash femërore nudo të kompozuara në dy rrafshe, lart-poshtë, të piktorit Naser Hasa, përpos çrregullimit, pështjellimit dhe një stërmundimi që buron syresh, çka më mbresoi mua dukr qenë loja me kokat e tri femrave sipër, ku, edhe pse të kthyera përkundër nesh, mes flokëve të tyre ti dallon fytyra njerëzore-një dikotomi imazhesh dhe shëmbëlltyrash, ku vijon të shfaqet po ai eros a seksualitet i dhunshëm mashkullor, që e shndërron femrën në objekt kënaqësie e situatë dëshpërimi. Përmes një shkarravitjeje vijëzimesh vijnë edhe të tjera figura femërore nudo, si të mbështjella nga pushteti i dhunës. Mbresëlënës është në syrin tim tabloja që konceptohet e gjitha në dyplanësi të shumëfishta. Një kokë e dyzuar, së paku në tri rrafshe: mashkull-femër, lart-poshtë, në pamjen ballore dhe brenda po të njëjtit portret.

test-2

Dhe mbi këtë kokë, një shpend, sikur rri e ngroh vezët e pllenimit aty, në folezën e vet, ndërsa më sipër dy shpendë të tjerë: ai poshtë, i plotë në ngjyrë dhe imazh, ai sipër i ravijëzuar lehtësisht. S’ka dyshim se gjetja është e mprehtë dhe shkurt mund ta emërtosh: Dyfytyrësia e qenies njerëzore, dyanësia, ndofta çifti mashkull-femër në pakuptimësinë dhe vuajtjen e dyzimit dhe pamundësisë së komunikimit (fytyrat janë përherë të mbivendosura ose përkundër njëra-tjetrës). Imazhet që vijnë nga Mersiha Resulbegoviq Mavric nuk njëjtësohen në fytyra njerëzore, janë peizazhe thuajse kozmike, përplasje njollash kromatike në një medium konfliktual, peizazhe qiellore e tokësore, ku mes shkrepash dhe rrebeshit kozmik mund të shquash, ndoshta, tubime njerëzish të rrahur nga shqotat dhe pushteti i natyrës, a i Zotit, ai i fatit.

Një imazh fort i bukur, kredhur në blunë e spërndritur, në dy planë lart e poshtë, mes dy brigjesh e relievesh që bashkohen në mes të ujërave. Përveç një qasjeje gati impresioniste, më bën përshtypje këtu posaçërisht humanizimi i natyrës, pasi malet që zbresin drejt limereve ujore ngjasojnë me nudo njerëzore, madje-madje nga e djathta spikama e kurmit të shtrirë të një femre është tejet e rrokshme. Pikërisht ky humanizim i natyrës, ky sinkretizëm, flet për koncepte surrealiste e mitizuese, që i bën nder piktores dhe gjetjes së saj artistike. Edhe Edin Kapllani ndjek po këtë model pikturimi duke e fshehur imazhin human në njolla të mëdha ngjyrore dhe ravijëzime si të çrregullta, por ku syri shquan brendavendosjen a brendashkrirjen e figurës humane.

Kam idenë se piktori është një përdorues i mirë i ngjyrës, duke i mbivendosur ato në rrafshe të veçuara, jo të përziera dhe si të ndërfutura njëra përkundër tjetrës, por të ndara dhe si sipërfaqe të mëvetshme, sikurse e pashë edhe te tabloja me peshqit dhe mjedisin kromatik rrethues. Te piktura e Vahida Nimanbegut me grish enkas brusha e bukur ngjyrore, një ndezulli kromatike pa shumë kontraste, që edhe kur duket se ngjyrat përplasen, përkundrazi ato janë bukur mirë të vendosura e në një shkrirje të butë vetjakësish, të ëmbla, gati dashurore, plot dritë dhe poezi. Sipërfaqe të rrafshëta si tapete, ku ti shquan edhe një imazh, si të thuash, naiv, të pafajshëm, kredhur në një çiltërsi fëmijërore që të çarmatos.

Dhe asiherë, syri yt mbetet rob i ngjyrës dhe i lodrimit të saj përmbi retinë. Bilal Nikeziqi sjell përmes një imazhi thuajse apokaliptik subjektin e legjendës shqiptare e ballkanike të Kostandinit dhe Doruntinës, por me linja të thyera dhe një grafikë të bukur, ku kali shpesh të ngjan edhe si një barkë a kaike mes dallgëve e tërbimit të reve, duke sfiduar përbindëshat dhëmbëndërsyer që i dalin përballë, ndoshta kurthin e Zotit të vdekjes dhe të varrit. Të mrekullueshëm do ta quaja unë peizazhin e qytetit bregdetar dhe limanit, besoj i Ulqinit, ku shtëpitë që hijeshojnë sipër, barkat mbi syprinën ujore të rrahur nga drita dhe fantazmagoria e saj dhe lart në vendin e diellit një lulëkuqe gjithë dritë, anash alga, agavie dhe bimë të bregdetit, skela dhe skica peshqish, e gjitha e mbytur në ngjyrën dhe dritën që të rrëmben dhe të krijon një ndjenjë të bukur estetike, diçka si nga parajsa dhe mrekullia… E pra, kemi një pikturë që nuk dremit në klishetë klasiciste dhe veleritjen e konsumit estetik, por një përpjekje serioze për të kapur hapin e pikturës moderniste, ritmin e kohës, shijen e syrit të sofistikuar. Me këmbë të mbarë në Tiranën tonë, miq!…/ PANORAMA/ UNE GRUAJA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura