Gruaja shqiptare në shekullin XX, nga moda e fundit te saldatriçja

Mar 31, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kur me ndërrimin e sistemeve në Shqipëri filluan të vërshonin automjete të të gjitha llojeve, një grua në timon përbënte një rast të veçantë. Sigurisht edhe diktatura kishte nxjerrë heroinat e saj vinçiere, traktoriste, kamioniste, por makinë private asnjë nuk kishte.

 Grua duke i dhënë makinës në Tiranë, në vitet ‘30
Grua duke i dhënë makinës në Tiranë, në vitet ‘30

Mes 130 fotografish mbi rolin e gruas në Shqipëri gjatë shek. XX, ekspozuar në Qendrën Kulturore TEN, dallon edhe njëra, ku në timon është një grua. Është një femër me klas! Është koha e Mbretërisë! Pak ditë më parë, qendra kulturore “Horizontet e Reja” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare sollën përmes një ekspozite të titulluar “Kujto!”, dëshmitë fotografike të pranisë së gruas në çdo etapë të historisë së bashku me rolin, veçanësitë dhe vlerat që ajo i ka shtuar shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Xhemale Vrioni, dalë me miq e mikesha, në vitin 1939
Xhemale Vrioni, dalë me miq e mikesha, në vitin 1939

Ekspozita e realizuar nën kujdesin e prof.dr. Valentina Duka sjell fotografi të periudhave të ndryshme: “Gruaja në periudhën pas pavarësisë” (1912 – 1939); “Gruaja në luftë” (1939–1944); “Gruaja në realizmin socialist” (1944–1990) dhe pas 1991 “Periudha postkomuniste”. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica, u shpreh se “Kjo ekspozitë dëshmon se, megjithëse Shqipëria ka qenë një vend jo shumë i zhvilluar, sërish shohim që gruaja dhe roli i saj është prezent në shumë fotografi.

Mësimi i zanateve, 1942
Mësimi i zanateve, 1942

E them këtë sepse vij nga një vizitë në Rumani ku isha në 80-vjetorin e arkivit të Agjencisë rumune të lajmeve dhe vura re se mungonin foto nga jeta dhe roli në shoqëri i grave. Nëse shohim arkivin e ATSH-së ka shumë foto ku gruaja ka qenë protagoniste. Mendoj se është detyra jonë që ato foto t’i nxjerrim nga ‘pluhuri’ i kohës dhe t’i ekspozojmë për publikun”.

 

Saldatorja Xhemile Metka, në vitin 1974
Saldatorja Xhemile Metka, në vitin 1974

Fotografitë ofrojnë pamje të rralla. I gjen gratë që nga kurset e analfabetizmit, tek ato për të mësuar zanate. I gjen duke punuar në profile nga më të vështirat, që ishin kryesisht “sektorë burrash”, në zbore me pushkë në shënjestër, por edhe me kostume popullore, në skenën e këngës apo rrugëve të qytetit, si nuk do e kishim menduar kurrë për kohën.

Salla e banjave në maternitet, 1947
Salla e banjave në maternitet, 1947

Të rralla fotografitë gjatë mbretërimit të Mbretit Zog, ku vajza nga familje të mëdha shëtisnin të veshura sipas modës së fundit. Një realitet tjetër që nuk e kemi njohur në vitet ’30. Një feminilitet që nuk mund të mos bjerë në sy, që do të zëvendësohej nga “gruaja, forcë e madhe”, në frontet më të vështira të punës. Nga gëzofët, te saldatriçja.

Tefta Tashko Koço, në një koncert organizuar nga shoqëria “Rozafat”, vitet 1937-1939
Tefta Tashko Koço, në një koncert organizuar nga shoqëria “Rozafat”, vitet 1937-1939

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura