Gruaja ikën me të dashurin, sajon rrëmbimin, i vënë 10 mln lekë gjobë bashkëshortit

Jul 3, 2015 | 9:20
SHPËRNDAJE

Përfundon në gjykatë një çift të dashurish, që sajuan në bashkëpunim një histori rrëmbimi të gruas, për t’i vënë gjobë bashkëshortit të saj.

Policia e Korçës, foto ilustruese

Me kërkesë të A.Sh, i dashuri i saj, K. A., i ka telefonuar bashkëshortit të gruas duke i kërkuar shumën e 10 milionë lekëve në këmbim të kthimit të gruas. Por nga hetimi ka rezultuar se ka qenë gruaja ajo që ka organizuar gjithë skemën e gjobëvënies, pasi më herët ishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit të saj. Gruaja ishte në dijeni të faktit se bashkëshorti P. Sh kishte siguruar një shumë parash nga shitja e një prone dhe pas këtij informacioni ajo ka sajuar “rrëmbimin” dhe gjobëvënien.

Ngjarja ka ndodhur në fund të muajit maj 2015, në Bilisht të Korçës, kur pas “zhdukjes” së papritur të shtetases A. Sh., bashkëshortin e saj e telefonojnë duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për rikthimin e saj në shtëpi.

Personi që ka telefonuar shtetasin P. Sh., i ka kërkuar gjithashtu që të mos njoftojë autoritetet policore, pasi në të kundërt do ta pësonte bashkëshortja e tij.

Pavarësisht këtij kërcënimi, shtetasi P. Sh ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, duke treguar rrethanat e kërcënimit. I dëmtuari ka treguar në polici se një person i panjohur e ka telefonuar duke i kërkuar një shumë parash në këmbim të kthimit në banesë të bashkëshortes së tij.

Telefonuesi i ka kërkuar shumën e 10 milionë lekëve në këmbim të kthimit të bashkëshortes. P. Sh ka treguar se bashkëshortja e tij është larguar në mënyrë të papritur nga banesa dhe asnjë nga familjarët nuk ka pasur dijeni në lidhje me vendndodhjen e saj. Pas marrjes së kallëzimit, policia ka referuar çështjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka nisur hetimet për rastin me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

“Është verifikuar fakti se shtetasja A. Sh., që është bashkëshortja e kallëzuesit P. Sh., është larguar nga banesa, dhe fakti i mosqenies së saj në banesë ka përkuar me kërkesën e bërë nga personi i dyshuar në drejtim të bashkëshortit të saj me qëllim përfitimin e të ardhurave monetare”, thotë prokuroria, cituar nga “Balkanweb”.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasja A. Sh është larguar nga banesa ku jetonte me bashkëshortin P. Sh. Pas largimit nga banesa, kjo shtetase ka vajtur në banesën e shtetasit K. A.

Gjatë qëndrimit në banesën e të pandehurit K.A., e pandehura  i ka kërkuar atij që të telefononte bashkëshortin e saj duke i kërkuar një shumë të hollash në këmbim të lejimit për ta kthyer në shtëpi të bashkëshortes së tij.

“Numrin e telefonit të bashkëshortit të saj, e pandehura ia ka vënë vetë në dispozicion të pandehurit K. A. Pas marrjes së aparatit celular, i pandehuri , i nxitur nga e dashura, i ka bërë kërkim të padrejtë shtetasit P. Sh”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas hetimit rezulton se gruaja kishte dijeni për një shumë parash që bashkëshorti i saj kishte marrë së fundmi nga shitja e një pasurie të paluajtshme dhe këtë informacion e ka shfrytëzuar për të sajuar rrëmbimin dhe më pas kërkesën për marrjen e 10 milionë lekëve.

Por skema nuk ka funksionuar, pasi i dëmtuari ka kallëzuar në polici duke vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit me të cilin është telefonuar nga i pandehuri.

“Si rezultat i veprimeve procedurale është bërë e mundur zbulimi i autorëve të ngjarjes dhe konkretisht është zbuluar se bashkëshortja e kallëzuesit A. Sh ka vajtur në banesën e shtetasit K. A., dhe nga banesa e këtij shtetasi kanë marrë në telefon të dy së bashku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kallëzuesin P. Sh., duke i kërkuar një shumë parash në këmbim të kthimit në banesë së të shoqes, shtetases A. Sh”, thotë prokuroria.

Pas zbulimit të skemës është bërë kapja në flagrancë e të dyshuarve dhe pas marrjes në pyetje i pandehuri K. A ka pranuar ngjarjen, duke thënë se të gjitha veprimet i ka kryer së bashku me të pandehurën. Por kjo e fundit ka mbajtur qëndrim mohues rreth ngjarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura