Gruaja e Tony Blair, kontratë me qeverinë, mbron Shqipërinë në arbitrazh për skanimin në dogana

Mar 8, 2015 | 10:08
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama duke folur me ish-kryeministrin Tony Blair, i cili aktualisht është këshilltar i tij “pa kosto për taksapaguesit shqiptarë”. Foto: Kryeministria.al

Firma ligjore e zonjës Blair, Omnia Strategy, është ngarkuar të veprojë për llogari të Shqipërisë në një mosmarrëveshje arbitrazhi me vlerë çerek miliardi paund. Zoti Blair punon sakaq si këshilltar zyrtar për qeverinë e Shqipërisë ndërkohë që deputetë të opozitës kanë bërë thirrje për më shumë transparencë për marrëveshjet e vendit me çiftin Blair.

Biznesi në Shqipëri vjen pas një kontrate që zonja Blair ka marrë nga qeveria e Kazakistanit, ku zoti Blair është gjithashtu këshilltar zyrtar dhe i paguar nga presidenti autokratik i këtij vendi, Nursultan Nazarbayev.

Nuk është e qartë se sa shumë po e paguan Shqipëria zonjën Blair për shërbimet e saj, por nëse kontrata është e ngjashme me atë fitimprurësen me Kazakistanin, zonja Blair duhet të jetë e lumtur.

Omnia Strategy, siç u zbulua më herët nga Sunday Telegraph, u pagua gati 400,000 paund për gjashtë muaj punë në Kazakistan me detyrën për të analizuar “traktatet dypalëshe të investimeve” të këtij vendi.

Zonja Blair, e njohur më së shumti si avokate për të drejtat e njeriut, i faturoi për shërbimet e saj qeverisë së Kazakistanit një tarifë prej 975 paund për orë, ndërsa juristët e tjerë të Omnia Strategy tarifuan shifra më të ulëta. Zonja Blair zakonisht e ka tarifën 1,150 paund për orë, por ajo i ofroi shërbimet e saj për taksapaguesit e Kazakistanit më lirë.

Gruaja e Tony Blair, këshilltarit të Ramës, fiton kontratë ligjore nga qeveria shqiptare. Lajmi në median angleze

Mosmarrëveshja ligjore në Shqipëri pason një vendim të marrë nga qeveria e re socialiste për t’i hequr kontratën prej 250 milionë paund një kompanie amerikane që kishte për detyrë të vendoste dhe operonte skanera specialë në kufijtë ndërkombëtarë të vendit.

Rapiscan Systems fitoi një kontratë 15 vjeçare në prill 2013 teksa Shqipëria përpiqej të forconte kufijtë e saj dhe të ndalonte trafikun e drogës, duhanit dhe armëve, si dhe atë të qenieve njerëzore. Shqipëria shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe ka nevojë për të arritur standarde më të larta në kontrollin kufitar për këtë qëllim. Por kjo kontratë u anulua nga Shqipëria pas zgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër në shtator 2013.

Rama, një mik i z. Blair, në po atë kohë e emëroi atë si këshilltar zyrtar. Marrëveshja mes të dyve qe realizuar në Londër para zgjedhjeve.

Blair është shumë popullor në Shqipëri për shkak të ndërhyrjes në Kosovën fqinje, e banuar në maxhorancë nga shqiptarët, të cilët po luftonin për pavarësi nga ish-Jugosllavia.

Rapiscan hodhi Shqipërinë në gjyq në gusht 2014, duke kërkuar nga Shqipëria 250 milionë paund, përmes një çështjeje të ngritur në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, një gjykatë me bazë në Vienë. 

Qeveria e Shqipërisë kërkoi me këtë qëllim një kompani ligjore për të luftuar për llogari të saj dhe, pas një procesi tenderues që filloi në tetor të vitit të kaluar, i dha kontratën për konsulencë ligjore Omnia Strategy, një kompanie konsulence ligjore e krijuar nga zonja Blair më 2011. Zonja Blair së fundmi hoqi dorë si avokate për të drejtat e njeriut në Matrix Chambers, pjesërisht për t’u përqendruar te puna e saj me Omnia-n.

Dhënia e kontratës te zonja Blair ka ngritur shqetësime në Shqipëri ku zoti Blair është sakaq pranë qeverisë. 

Tony Blair duke takuar presidentin e Egjiptit Abdel-Fattah el-Sissi, më 11 janar 2015 në Kajro, Egjipt. Përgjatë viteve të fundit, Blair po njihet si këshilltar i shumë udhëheqësve joliberalë, disa prej të cilëve renditen tashmë në rangun e despotëve. (AP Photo/MENA)

Genc Pollo, një deputet i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish ministër, tha: “Tony Blair, si kryeministër i Britanisë, është një figurë e respektuar në Shqipëri veçanërisht për rolin e tij gjatë ndërhyrjes në Kosovë. Por marrëveshjet aktuale të qeverisë Rama me bizneset e tij janë shqetësuese për shkak se nuk kanë transparencë dhe nuk ka një përfitim të qartë për Shqipërinë.”

Florion Mima, deputet i Partisë Demokratike dhe ish ministër i ekonomisë, tha: “Jam shumë i habitur që firma e bashkëshortes së ish kryeministrit të Britanisë Blair ka fituar një kontratë për të ofruar shërbime ligjore të përfaqësimit të Qeverisë së Shqipërisë në një çështje gjyqësore, ndërkohë që bashkëshorti i saj njihet publikisht si këshilltar i Qeverisë së Shqipërisë dhe mik personal i kryeministrit të Shqipërisë.”

Kjo nuk është hera e parë që Omnia Strategy është punësuar nga qeveria e Shqipërisë. Omnia Strategy mori një kontratë me kosto 300,000 paund në fund të vitit 2012 për të këshilluar qeverinë e asaj kohe të Shqipërisë në një mosmarrëveshje nafte me vlerë gjysmë miliardi dollarë.

Nuk është e qartë se sa shumë kushtuan shërbimet ligjore të Omnia Strategy.

Cherie Blair duke takuar ish kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshorten e tij Liri Berisha më 8 korrik 2010. Zonja Blair fitoi pak më vonë nga qeveria Berisha një kontratë konsulence të majme. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Zonja Blair mendohet se ka vizituar fillimisht Shqipërinë më 2010 e ftuar nga Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit të kohës Sali Berisha. Zonja Blair dhe Zonja Berisha u bënë mike kur bashkëshorti i saj qe ende kryeministër në Downing Street.

Zonja Blair fluturoi në Shqipëri më 2012 me një avion privat nën pronësinë e Rezart Taçit, një biznesmen nafte kontroversial dhe një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë.

Shqipëria është vetëm një nga shumë vende të këshilluara nga Z. Blair përmes një kompanie, Tony Blair Associates të cilën ai e krijoi pasi iku nga Downing Street më 2007. Z. Blair ka marrëveshje fitimprurëse në Kazakistan, Brazil, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mongoli mes të tjerash.

Blair ka këmbëngulur se taksapaguesit shqiptarë nuk e paguajnë skuadrën e tij në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, megjithëse nuk është e qartë se kush po paguan me të vërtetë për këshilltarët e tij në terren, mes të cilëve është edhe nipi i Alastair Campbell, ish-kuratori i imazhit të z. Blair.

Julia Yun Hulme, drejtoresha menaxhuese e Omnia refuzoi të thotë se cila është vlera e kontratës më të fundit ligjore për këtë kompani. Ajo refuzoi të thotë nëse Omnia ka fituar kontrata në ndonjë vend tjetër ku z. Blair është këshilltar. Ajo tha në një deklaratë: “Omnia Strategy LLP është një firmë ligjore e rregulluar nga Solicitors Regulation Authority. Z. Blair nuk është i angazhuar me Omnia Strategy LLP.”

Kompania Rapiscan refuzoi të komentojë mbi këtë çështje. 

Publikuar në Sunday Telegraph

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura