Gropa e inceneratorëve në Tiranë dhe afera korruptive Rama gate në Washington

Jan 28, 2023 | 14:57
SHPËRNDAJE

agim nesho1Nga Agim Nesho

Ka rreth tre vjet që deputetja Kryemadhi me grupin e Partisë së Lirisë po mbron interesin publik duke paraqitur, shpjeguar dhe faktuar aferën më korruptive të këtij regjimi në historinë e shtetit Shqiptar, ku abuzohet hapur me paratë e taksapaguesve Shqiptarë.

Jashtë kontratave dhe me arrogancën e një regjimi që është përlyer nga koka deri në këmbë, kjo aferë korruptive do të kishte rrëzuar cdo qeveri në botë po të kishim sistem demokratik dhe populli të ishte i përgjegjshëm për të mos toleruar këtë abuzim. Por shteti është i kapur në Shqipëri, drejtësia jo funksionale dhe e kapur, dhe populli dëshpërimisht i mbetur në varfërinë dhe mungesën e plotë të shpresës për të ardhmen e tij.

Ekzekutuesit e aferës korruptive jo vetëm nuk bëjnë transparencë dhe japin llogari, por tallen edhe me popullin se fajet janë individuale dhe ata firmosin pa patur vëmendjen, ‘fët e fët’ sikur janë arkëtarë të një parkingu makinash. Afera e incineratorëve dhe shpërdorimi i miliona eurove duhet të kishte tronditur shtetin në Shqipëri dhe përfituesit duhet të ishin përpara drejtësisë dhe paratë ti ktheheshin popullit. Por ne shqiptarët duket se jemi mpirë nga skandalet që ndodhin cdo ditë në Shqipëri që nga inceneratorët, afera e Portit të Durrësit, aferat e PPP-ve, Rozeta e famshme, udhëtimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës me aeroplan privat, etj. Forma e egër e ushtrimit të pushtetit dhe arroganca e shtetit duket se na ka lënë në mëshirë të Zotit për të na shpëtuar nga kjo murtajë që na ka zënë.

Ditët e fundit ka plasur në Washington DC dhe New York një skandal i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ku oligarkët e Putinit dhe kryeministri i Shqipërisë janë pjesë e një skeme korruptive duke kapur dhe kompromentuar individë të lartë të FBI-së për t’ju shërbyer interesave personale dhe pushtetit të tyre. Rama gate që plasi në SHBA nuk është një cështje thjesht etike dhe transparence e zyrtarit amerikan, por një skandal që prek sigurinë kombëtare të SHBA-së. Përpara drejtësisë amerikane sot janë shtruar disa pyetje:

–    Cilat asete të FBI-së janë kompromentuar në këto marrëdhënie korruptive që agjenti i FBI-së ka krijuar me elementet e huaj që ka bashkëpunuar?

–    Sa thellë ky zyrtar i FBI-së ka tronditur besimin në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit Amerikan duke manipuluar faktet, përdorur dhe ngritur cështje penale kundër individëve amerikanë për interes të porositësve të tij kontraktualë?

Dalja e kryeministrit Rama 14 herë në akuzën e prokurorit federal të Washingtonit është një rast i pa precedent për një kryeministër të një vendi anëtar të NATO-s. Përgjegjësia e Ramës në aferën e Washingtonit është tepër e madhe dhe kundër interesave të Shqipërisë:

–     Së pari, zoti Rama ka thyer sistemin e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke korruptuar një zyrtar të lartë të SHBA-së dhe përdorur atë për interesat e tij të ngushta

–     Së dyti, ka përdorur institucionet e shtetit më demokratik të botës për të realizuar luftën e tij politike në Shqipëri dhe goditur institucionin e opozitës dhe Presidentin e Shqipërisë

–     Së treti, është përpjekur të diskretitojë imazhin e SHBA-së në syrin e opinionit publik Shqiptar duke treguar se me forcën e korrupsionit dhe paratë e pista mund të manipulosh cdo gjë.

–     Së katërti, të influencojë politikën Amerikane për projekte të dyshimta në rajonin e Ballkanit. Lëvizjet e McGonigal në Shqipëri, Kosovë dhe përfshirja e tij aktive për një zgjidhje politike në Bosnjë tregojnë që marrëveshja e tyre kontraktuale me sipërmarrësit ballkanikë ishte përtej interesave të thjeshta të biznesit. Pagesat e qindra mijëra dollarëve për agjentin e FBI-së, si nga marrëdhënia me oligarkun Deripaska ashtu edhe nga Ramagate, ka ngritur cështjen e pastrimit të parave në SHBA.

Cështjet që do të gjykohen në gjyqin e McGonigal do të hedhin dritë edhe në investimet dhe përdorimin e pushtetit për influencë politike.

Pa përfunduar gjyqi dhe dalja e konkluzioneve nga autoritetet e drejtësisë Amerikane ne dimë që figura dhe autoriteti i Ramës është tkurrur dhe zvogëluar aq shumë sa ai tashmë po bëhet pengesë për interesat e vendit tonë. Asnjë udhëheqës në botë nuk do të guxonte të ulej në tavolinë me Ramën se opinioni publik i atij vendi do ta paragjykonte të parin si të blerë. Ai nga lider global i shpallur nga Vucic, po bëhet një gjyle e rëndë e lidhur në këmbën e vendit tonë. Do ishte naive që opinioni publik në Shqipëri të priste që Rama të shahej, të vihej përpara përgjegjësive nga institucionet e SHBA-së. Ai sot përbuzet prej tyre si një njeri që vuri në rrezik autoritetin e padiskutueshëm të FBI-së. Ai tashmë po shihet në SHBA si njeriu që u përpoq të korruptonte institucionet e sigurisë Amerikane.

Për ata, që deri tani besonin propagandën e Ramës dhe përdorimit që ai i bënte politikës Amerikane për interesat e pushtetit të tij korruptiv, ka ardhur koha të refuzojnë Ramën dhe të besojnë vetëm tek demokracia Amerikane që qëndron madhështore me forcën e vetëkorrigjimit të saj. Rama ka kohë që ka rënë moralisht me abuzimet e pushtetit të tij, por sot pas skandalit të Washingtonit, ai ka vdekur edhe politikisht. Vetëm revolucioni demokratik për rivendosjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri është shpëtimi ynë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura