Grida Duma në krah të Kadaresë dhe Lubonjës: Ku gabohet me letrat ‘kundër’ motrës e babait

Aug 12, 2017 | 8:56
SHPËRNDAJE

Ka turbulluar jo pak ujërat publikimi i një letre që shkrimtari Ismail Kadare i dërgonte diktatorit Enver Hoxha në vitin 1980, në të cilën ai e quan të motrën të sëmurë mendërisht. Si për çdo “zbulim” të këtij lloji, aq më tepër kur bëhet fjalë për Kadarenë, publiku është ndarë më dysh.

grida

Shumë e gjykojnë ashpër njeriun Kadare, sipas të cilëve ai thjesht donte të “shpëtonte lëkurën”, të tjerë i mbajnë anën duke e justifikuar se atë letër e shkroi për të shpëtuar të motrën nga ndonjë burg i mundshëm, duke qenë se ajo ndiqej nga Sigurimi i Shtetit dhe rrezikonte të dënohej për “agjitacion e propagandë”.

Kjo letër u parapri do kohë më parë nga publikimi i deponimit në hetuesi të Fatos Lubonjës, ku rrëfente se ç’kishte thënë i ati, Todi Lubonja, për Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë.

Në të dyja rastet janë gjykuar autorët, në një distancë kohore prej disa dekadash, nxjerrë nga konteksti, duke iu nënshtruar gjykimit të njerëzve që jetojnë në liri. Lektorja në Universitetin e Tiranës, prof. ass. Grida Duma e analizon këtë fenomen nga një tjetër këndvështrim.

KADARE, NJË VEPËR DHE NJË LETËR

Pasi shkroi atë që konsiderohet si një ndër romanët historikë më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, Gustav Flober iu shpreh mikut të tij të ngushtë: “Kur njerëzit ta lexojnë Salambonë, shpresoj shumë se askujt s’do t’i shkojë mendja tek autori! Të paktë do të jenë ata që mund ta marrin me mend sa e madhe ishte barra e trishtimit që m’u desh të mbaj në shpinë për ta risjellë Kartagjenën në jetë”!

Grida Duma

Sa është realisht e mundur që leximi i sotëm i ngjarjeve të djeshme të na garantojë se i kemi kuptuar realisht arsyet e tyre me kutin e kohës kur ndodhën? Morali i çdo gjykimi mund të peshohet vetëm brenda kontekstit të kohës së vet.

Kështu, regjisori i një filmi me ngjarje të vendosura në shekullin e 18-të, ndërton në detaj çdo element të kohës; karrocën me kuaj, llambadarët e hekurt me qirinj, rruginat me kalldrëme me ndriçim të zymtë, veshjet specifike dhe gjithë dekorin, diku kompleks, diku të varfër në varësi të shtresës sociale të personazheve; gjestet e aktorëve kanë rëndesën e një kohe që mbart tragjizmin e saj – kanosje sëmundjesh të pashërueshme, sofistikim manierash dhe sjelljesh në shtresën e lartë dhe primitivizëm nevojash në personazhin që luan shërbyesin, bujkun, argatin. Vetëm pasi është ndërtuar skena dhe publiku është përfshirë në kontekstin e kohës, ngjarja mund të fillojë të shtjellohet.

Në njërën nga esetë e tij të shkëlqyera mbi lirinë, Isaiah Berlin shtjellon sesi motivet, ndjenjat sjelljet njerëzore, prej mijëra vitesh përsëriten pambarimisht. Vendosja e tyre në kohë dhe rrethana të ndryshme i bën ato unike. Krijimtaria, dashuria, xhelozia, zilia, karriera, interesi, pushteti përgjatë historisë janë të njëjtat. I gjejmë njësoj kur lexojmë Aristotelin, Sokratin, Averroen, Avicenën, Epikurin, apo Eskilin, Shekspirin, Oskar Uajldin apo Stefan Cvajgun.

kadare_11

Ndjesitë, arsyet, premisat njerëzore, shtysat shtazarake mbeten po ato. Ajo ç’ka i bën të reja janë rrethanat ku janë vendosur. Në kushte të tjera ato lakohen, fshihen, shpalosen në mënyra të ndryshme. Pikërisht “mënyrat e ndryshme” përbëjnë ndryshimin, kuptimin e ri të tyre. Nuk ka ndryshuar natyra, por kuptimi ynë mbi të, ndryshimi i rrethanave ka ndryshuar pandalshmërisht vetë kuptimin e tyre.

Hapja e portës që çon drejt së shkuarës, shfletimi i faqeve të një teksti të ardhur nga një botë që nuk ekziston më, kërkon një bagazh jo të vogël diturie, mençurie dhe përvoje njerëzore. Në çdo kohë janë vërtet të paktë ata që realisht mund të mëtojnë shijen e trishtimit floberian të ringjalljes së Kartagjenës, dhe akoma më të paktë janë ata që posedojnë të drejtën e gjykimit moral mbi të. Kush synon ta bëjë këtë duhet të jetë i aftë të zhvendoset mendërisht, kulturalisht dhe shpirtërisht në kushtet e një epoke që tashmë ka mbyllur ciklin e saj, në kushte dhe rrethana të cilat nuk ekzistojnë më. Madje as kjo nuk mjafton; për të gjykuar veprimet dhe vendimet e njerëzve të së shkuarës, duhet jo vetëm të njohësh të vërtetat e tyre materiale dhe shoqërore, por mbi të gjitha të biesh në gjurmë të motiveve që përcaktojnë aktet e tyre, të lexosh të pathënat që fshihen pas teksteve të tyre, të kuptosh se fjalët që kumbojnë prej së shkuarës nuk bën të gjykohen thjesht sipas nevojave, dështimeve dhe mangësive që ato shpërfaqin, apo ca më keq sipas dështimeve, nevojave dhe mangësive tona.

auto_Fatos_Lubonja1477810771

Thelbi është natyra përjetshme njerëzore, teksti jepet nga fjalët me të cilat ajo vishet, konteksti është epoka kulturore dhe kushtet materiale ku ajo shpaloset, ndërsa preteksti mbetet përjetësisht lentja nën të cilën duam ta shohim, filtrat me të cilat duam ta gjykojmë.

Sot, diskursi moralist mbi letrën e Kadaresë për të motrën vazhdon të shkruhet si një tekst pa kontekst. Për ata që kanë pasur arsyet e tyre të mos të informohen për rastin, historia është kjo: pak kohë më parë u publikua një letër që Ismail Kadare, 40 vjet më parë, i shkruante Enver Hoxhës, në lidhje me të cilën, jo pa zhgënjim për mënyrën e publikimit, ai shprehet:

“Është e vetmja letër që i kam shkruar Enver Hoxhës. Ishte thënë për Hoxhën diçka tepër e rrezikshme (…). Nuk jam penduar që e kam shkruar. Nuk e kam fshehur një zemërim timin me motrën në atë letër. Në atë që unë them se (ajo) ka qenë e çekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje që mund t’i bëja.”

Kjo është ngjarja dhe veprimi njerëzor i hedhur në tekst. Kadare zgjodhi që në letrën drejtuar Hoxhës ta përshkruante të motrën si njeri me patologji të personalitetit, e cila nuk duhej gjykuar si gjithë të tjerët. Letra shprehej se e motra që kish sharë të vëllanë s’duhej konsideruar e përgjegjshme mendërisht, madje nënvizonte që pasja për vëlla e një shkrimtari të madh kishte edhe efekte problematike psikologjike për të motrën. Kështu e justifikon Kadare faktin që e motra as nuk e kishte vënë në dijeni dhe as i ishte drejtuar për ndihmë kur e kishin thirrur për pyetje organet hetuese.

Teksti i Kadaresë, dëshmi e të shkuarës së tij, është ky. Por e sotmja jonë ka shumë për të thënë. Dhe në fakt, nuk lë asgjë pa thënë. Por në vend që të kuptojmë fatkeqësinë e shprehur në atë tekst, gjithçka që sipërfaqet sot është një pretekst fatkeq. Analiza e letrës bëhet nga aparate mendore njerëzish të paaftë për t’u zhvendosur mendërisht në histori, të interesuar për të gjykuar gjithçka kontekstin e sotëm, me pretekstin e vetëm për të peshkuar një skandal moral. Moralisti universal i së tashmes arrin ta reduktojë gjithçka të së shkuarës në dashakeqësinë e pyetjes: a e përdori, a e shkeli, a e shfrytëzoi Kadare të motrën në ditën e saj më të keqe? A duhet ta kishte mbrojtur Kadare figurën e saj, pavar- ësisht nga pasojat?

Por, cila është situata ku gjendej Kadare, dhe më tej, cili është vetë “konteksti Kadare?” Në regjimin komunist të Hoxhës, një ngjarje si kjo mund të krijohej nga hiçi, mundësia për të provuar të vërtetën ishte zero. Nëse e motra e Kadaresë kishte shprehur disidencë në të vërtetë apo jo, kjo nuk kishte asnjë vlerë. Në momentin kur hetuesit e merrnin të mirëqenë, kjo nuk ia vlente të diskutohej, jo më të provohej. A rrezikohej e motra e shkrimtarit nga përfshirja e saj? Me shumë gjasë po. A mundet po ashtu të ishte historia e saj një provokim për Kadarenë, për të testuar se si do të vendoste ai të sillej në këtë rrethanë? Është e mundur. Kadare dhe pak shkrimtarë të tjerë shqiptarë të asaj kohe, ishin virtuozë të mbijetesës. Mjeshtëria e mbijetesës tringëllinte në tehun e hollë ku mbështetej krijimtaria e tyre. Nga njëra anë, ata shkruanin në kontekstin e moralit të regjimit komunist, nga ana tjetër, arrinin të përcillnin shijet dhe aromën e Perëndimit te lexuesi. Të përcillje aromë e vlera Perëndimi në vendin më komunist të Lindjes ishte sa mjeshtëri krijuese po aq sa dhe mbijetuese.

A e bënë ata këtë për idealizëm humanist apo të udhëhequr nga nevoja për krijuar me çdo kusht në një vend ku sharra e barazisë egalitariste së komunizmit binte pa mëshirë mbi çdo dru të shtrembër, mbi çdo fije bari që anonte ndryshe? Ky është një diskutim tjetër.

Këta shkrimtarë mund t’i rezistonin regjimit vetëm nëpërmjet veprës së tyre, nëpërmjet mbrojtjes së mundësisë për ta shkruar atë. Lufta individuale kundër regjimit nga ana e një shkrimtari dhe njeriu publik të mirëpërgjuar dhe të mirëspiunuar ishte një marrëzi. Refleksi i mbijetesës me shumë gjasa ishte pjesë e natyrës dhe qenies së tyre. Ndërtimi i fabulës së patologjisë së të motrës mund të lexohet si pjesë e këtij refleksi, i cili me gjasë ka vepruar kur Kadare zgjodhi të përballet me dyshimet patologjike të diktatorit Hoxha, nëpërmjet artikulimit të patologjisë të së motrës. Në momentet vendimtare ka vetëm një prioritet, të shmangësh të keqen më të madhe. Me shumë gjasë, midis mbrojtjes të së vërtetës, e cila mund të kishte si pasojë dënimin e të motrës dhe të vetë veprës e tij, natyrisht pa i prekur asnjë fije regjimit, Kadare vendosi të mbronte vazhdimësinë e asaj që shkruante.

A ka një pretekst Kadare? A duhet të ketë Lubonja një justifikim?

Qëllimi i hapjes së letrave të tyre, njërit për motrën, tjetrit për babanë dhe pas hapjes së letrave edhe “hapja e lakrave” në një mënyrë totalisht të shkëputur nga konteksti, ka pa dyshim në thelb përpjekjen për ndarjen individit nga vlera e veprës së tij. Çdo gjykim moralist mbi ta, i përgjigjet përpjekjes për të bërë viviseksionin meskin të personalitetit, i cili ndahet për së gjalli në njeriun e vockël nga njëra anë dhe në publicistin mendjendritur në tjetrën.

Qëllimshmëria mbi këto letra lexohet para së gjithash në pasojat që moralizimi që u bëhet atyre shkakton te publiku. Synimi është të relativizohet morali individual dhe social i këtyre personaliteteve “dikur të mitizuara”, por tashmë “të sjella në nivelin tonë, nivelin e njerëzve të zakonshëm”, por qëllimisht të vendosura jashtë kontekstit, jashtë historisë, jashtë kohës së tyre. Në këtë rast dëmi nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm me mënyrën se si mund të ndihen njerëzit që u është shkaktuar, por edhe me atë çka ata mund të përfaqësojnë si modele të elitës së këtij vendi.

Kjo qëllimshmëri nuk duhet anashkaluar me naivitetet e tipit “dikush zbuloi një letër dhe u habitëm”, a thua se e gjitha ka ndodhur ashtu si rastësisht. Goditja asgjësuese e vlerave morale individuale të këtyre njerëzve në të vërtetë i shërben një qëllimi tjetër. Nëpërmjet këtyre “letrave zbulesë” tentohet të tregohet se sa të vegjël janë realisht njerëzit që fshihen pas veprës së tyre të madhe. Zbulimi i “njeriut të vogël”, ulja e personalitetit të tyre, automatikisht lartëson vlerën e sublimuar të regjimit diktatorial.

Pasi e kemi marrë provën përfundimtare se edhe këto figura u përthyen para pushtetit, bëhet e lehtë të legjitimosh ekzistencën e regjimit – në fund, askush nuk ishte i moralshëm e aq më pak i pafajshëm! Kur arrijmë deri në këtë pikë, hapi i mëtejshëm vjen natyrshëm: pasi dënoi ata që e meritonin, regjimi ishte i drejtë. “Paskemi qenë njerëz të poshtër. Vetëm Enveri na vinte hakut”. Këtu, cikli mbyllet. Legjitimi i njërit nga regjimet më antinjerëzorë në botë është i plotë. Dhe natyrisht, në vend që t’i vijë turp për këtë, dikush ende ndihet krenar. Dhe me plot krenari, mezi pret ta shfryjë dufin e vet për faktin se sa mirë na e bënte Enveri, sapo vjen lajmi për katastrofën morale të radhës.

Thelbi moral i doktrinave që justifikojnë autoritarizmin qëndron në argumentin se pasi vetë njerëzit nuk kanë forcë të ruajnë moralin e tyre, shfaqet domosdoshmëria e autoritetit për të siguruar rendin social. Kësisoj, duke flakur në arenën e amatorizmit letrën e motrës së Kadaresë apo të babait të Lubonjës, arrihet një qëllim i ideuar nga mendje aspak amatore. Në këtë arenë, ku kushdo dhe të gjithë gjykohen jashtë konteksti, besimi te morali i individit bie. Kjo është karta më e sigurt për të goditur besimin në tërësi. Dhe si më shumë mund të goditet besimi i njerëzve se sa kur dëshmohet sa të padenja janë elitat!

Zerimi i gjithçkaje në emër të nisjes prapë nga zeroja është rruga më e mirë për të mos shkuar askund. Duhet shumë naivitet për të besuar se kjo simptomë e përhershme për zhbërjen dhe ribërjen e shoqërisë shqiptare ushqehet pa qëllim. Edhe pse askush prej nesh nuk është naiv në sjelljen e përditshme, fakti që bëjmë sikur nuk kuptojmë, ose nuk duam të kuptojmë se bashkë me goditjen e moralit të atyre që na kanë dhënë shumëçka të cilën e quajmë vlerë, goditet dhe besimi në moralin njerëzor, përbën një dëm të madh për çdo individ, për çdo qytetar shqiptar.

Bisha e komplekseve të thella të inferioritetit, sa herë zgjohet, kërkon viktima ekselente.

I kërkon në emër të barazisë, në emër të vlerave universale, në emër të moralit. Sepse të gjithë duhen dënuar nëse askush nuk është i pafaj.

Kështu, ndërsa në përditshmërinë tonë rilind nostalgjia për diktatin, në horizont rishfaqet adhurimi për diktaturën.

(*Lektore në Universitetin e Tiranës)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura