Grevistja e urisë: Historia e persekutimit që me vrasjen e Bardhok Bibës

May 27, 2014 | 8:29
SHPËRNDAJE

Vera Ndoj duke folur për “Panorama”
Vera Ndoj (Picaku) është njëra nga 16 grevistët, që i është bashkuar grevës së urisë kundër shkarkimeve në administratë pas datës 1 tetor 2013. Më 2 prill ka mbushur 44 vjeç, është bashkëshorte dhe nënë e dy djemve, 14 dhe 5 vjeç. Historia e jetës së saj duket sikur është shkëputur nga llojet e rrëfimeve të famshme “fëmijëritë pa fëmijëri”, por edhe më e mundimshme.

U persekutua që në lindje si vajza e intelektualit Gjon Mark Ndojit, i cili bëri dy dekada e gjysmë burg politik për vrasjen e deputetit të Kuvendit Popullor, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, Bardhok Biba, në maj të vitit 1949. Një ekzekutim që çoi në arrestimin e 500 burrave të zonës, internimin e 300 familjeve, burgim të gjatë për 100 të tjerë dhe pushkatimin pa gjyq të 14 personave. Marku, babai i Verës, ishte në listë për t’u pushkatuar, por pas shumë peripecish ia arriti të dilte gjallë… për t’u burgosur për çerek shekulli. Ai njihet ndryshe edhe si “Mandela e Mirditës”, për shkak të rezistencës që bëri në burgjet e komunizmit, por kjo është një histori më vete, shumë e gjatë…

LËVIZJA STUDENTORE
E ndërsa babai i dergjej i pafajshëm qelive të komunizmit, Vera u rrit si armike e klasës dhe e partisë, atje në Oroshin e thellë, që karakterizohet për abaci, kapedanë e kanun. Pasi mbaroi 8- vjeçaren në Orosh, vijoi gjimnazin në Milot. Përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1988, por iu mohua e drejta e studimit. Universitetin e filloi pas “Ambasadave” (1990-1995) në degën e Agronomisë, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. U përfshi në Lëvizjen Studentore, kryesisht në vitin 1991, ku nga bashkëkohësit e saj mbahet mend për fjalimin e 13 shkurtit, kur deklaroi: “Përse ruajmë bustin e Enverit?! Përse nuk ruajmë bustin e Skënderbeut…?!”. Pas diplomimit, u emërua si mësuese në Milot, por siç tregon Vera për gazetën “Panorama”, “babai doli nga burgu dhe gjithë njerëzit e mi i kisha në Mirditë, ndaj u ktheva të punoja atje”. Pati pozicione të ndryshme pranë Këshillit të Rrethit deri në vitin 1998 dhe gjatë kësaj kohe mbrojti gjuhën e huaj, anglisht.

SHKARKIMI NR. 1 NGA PS
Nga viti 1999 e deri më 2006, pavarësisht diplomës, ajo nuk u pranua më në asnjë lloj pozicioni pune. “Më pushuan nga puna kur erdhi Partia Socialiste në pushtet. Në vitin 2000 shkarkuan gjithashtu nga puna edhe vëllain tim, si dhe disa kushërinj të tjerë. Të gjithë ish-të përndjekur politikë. Megjithatë, asokohe u përpoqa të mbledh veten dhe të bëja diçka më shumë sa i përket arsimimit. Kështu nisa studimet për Biologji-Kimi në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku edhe u diplomova. Në vitin 2006, edhe pse me dy fakultete, mezi arrita të futem inspektore tregjesh për ushqimin, por të paktën kisha një punë. Më tej, vijova të ndjek seminare dhe specializime të ndryshme gjithnjë lidhur me sigurinë ushqimore”, tregon Vera.

SHKARKIMI NR.2 NGA PS
Me krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në vitin 2009, Vera nisi punë aty si specialiste. “Në vitin 2012 mora masterin shkencor, ndërsa pozicioni im i punës vijoi të ishte ‘specialiste’”, thotë ajo. Vera ka qëndruar edhe për një tjetër vit në punë, derisa pak muaj më parë, krejt pa lajmëruar, teksa ishte duke mbyllur ditën e fundit të javës në punë, i komunikohet shkarkimi. Motivacioni ishte “shkelja e parimit të mirëbesimit”, një argument për të cilin Vera ngre supet dhe thotë me lot në sy: “Kurrë nuk kam shkelur as ligjin dhe as rregulloren. Kam punuar me ndershmëri çdo ditë të jetës sime. Shkarkimi më erdhi dy ditë pasi unë i dorëzova drejtorit një dokument, ku ndër të tjera thuhej qartë se isha ish-e përndjekur politike. Kjo është shumë e padrejtë. U persekutova në komunizëm dhe po persekutohem sa herë ndërrohen pushtetet, pavarësisht se jam specialiste e mirëfilltë”. Vera thekson se pranë AKU-së nisi punë, pasi më parë iu nënshtrua një konkursi dhe e fitoi atë. “Sa herë që vijnë në pushtet socialistët, unë nuk gjej asnjë punë… Rashë në depresion kur u shkarkova, ndaj kur mora vesh për krijimin e shoqatës dhe grevën e urisë, vendosa që të hyj”, thotë Vera Ndoj. Ajo e akuzon Kryeministrin Rama se po tregohet i papërgjegjshëm me heshtjen e tij, por gjithsesi nuk ka ndërmend të dalë nga greva e urisë deri në vetëflijim. Ndoj e ka fituar tashmë gjyqin e Shkallës së Parë dhe çështja e saj ndodhet në Apel…

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura