Greva e naftëtarëve, leksion kundër demokracisë jofunksionale

Nov 23, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

PROF. ARBEN MALAJ

arben-malaj

Ka vite që ambienti social dhe politik i Shqipërisë është i mbisunduar nga sjellje arrogante dhe mospërfillëse e qeverive ndaj punëtorëve dhe të drejtave të tyre. Ka shumë vite që reagimet e sindikatave, punëtorëve dhe grupeve sociale të nëpërkëmbura mungojnë gati tërësisht në funksionimin demokratik të vendit. Veç protestave për mosimportimin e plehrave, armëve kimike dhe Teatrin Kombëtar, protestat e tjera kanë qenë sporadike, të keqorganizuara dhe lehtësisht të shpërbëshme. Mungesa e reagimeve të punonjësve për shkelje flagrante të të drejtave të tyre vlerësohet si një pikat e dobëta të një demokracie funksionale. Mbajmë parasysh që reformat e ashpra theacheriane të së djathtës kishin në fokus të tyre edhe shpërbërjen e sindikatave.

Dobësimi dhe zvogëlimi i mundësive për të mbrojtur të drejtat e tyre për punonjësit, fermerët, gratë, fëmijët, studentët e të tjerë, konsiderohet një nga arsyet përse sot varfëria dhe pabarazia kanë rritur polarizimin shoqëror. Ndërsa ekonomia ka krijuar disa trilionë dollarë pasuri, ajo po përqendrohet në gjithnjë e në pak duar. Vetëm 8 miliarderët më të mëdhenj në botë kanë pasuri sa 3.5 miliardë njerëz të varfër.

Studiuesit dhe personalitete të politikave publike, si: nobelisti Joseph Stiglitz; ekonomistët e shquar, Dani Rodrik, Thomas Piketty; Robert Reich (ish-Sekretari i Punës i Presidencës Klinton) dhe platforma online “SocialEurope” e vënë theksin te dobësimi i së majtës edhe nga braktisja e punëtorëve dhe shtresat sociale vulnerabël.

Arsyeja kryesore që konstatohet lehtësisht edhe te “Rilindësit” në Shqipëri është kalimi i qeverive të majta në shërbëtorë të oligarkëve. Kjo konstatohet lehtësisht te përcaktimi i ekonomistit të shquar francez, Piketty, e sintetizuat edhe në deklaratën e Ramës në një takim me sipërmarrësit italianë (https://gazetamapo.al/rama-italianeve-investoni-ne-shqiperi-se-ketu-nuk-kasindikata) ku si avantazh konkurrues të Shqipërisë ofroi mungesën e sindikatave, pra, shfrytëzimin lehtësisht të punonjësve të varfër shqiptarë.

Pikërisht greva 25-ditore e urisë e naftëtarëve të Ballshit, solidariteti i të gjithë punonjësve dhe qytetit, sakrifikimi deri në vdekje i grave greviste, rezultoi i vetmi mjet demokratik për ta detyruar Ramën të ofronte zgjidhje.

Pavarësisht nga fasadës mediatike për zgjidhjen e dhënë, nuk duhet të zbehet forca e madhe demokratizuese që kanë grevat kundër plagëve që shkakton keqqeverisja e vendit. “Dhembshuria” sipërfaqësore e rilindësve është hipokrite sepse problemi i 780 naftëtarëve, të cilët u janë vjedhur me vetëdije qeveritare pagat dhe sigurimet shoqërore, kishte vite që kërkonte zgjidhje. Është e vërtetë që rafineria menaxhohet herë pas here nga kompani private, por përzgjedhja e tyre verifikohet dhe miratohet nga ministri, i cili duhet të bindet për garancitë teknologjike dhe financiare të “investitorëve të rinj”. Pra, investitorët, jo vetëm sipërfaqësorë, janë lejuar të vjedhin pagat dhe sigurimet shoqërore të 780 naftëtarëve.

Nuk ishte “dhembshuria” e Ramës, por frika e qeverisë ndaj një proteste të drejtë, të pakomprometueshme, në rritje dhe efekti i saj ortek, që e trembi dhe e detyroi Ramën të ofrojë një zgjidhje gjysmake. “Rilindësit” e korruptuar dhe të babëzitur synojnë që edhe nëpërmjet kësaj “zgjidhjeje” të vazhdojnë të fshehin vjedhjen e pasurive natyrore dhe të pagave e sigurimeve shoqërore të naftëtarëve nga kompanitë fantazma. Kompani që vetë i përzgjedhin dhe në çdo pragzgjedhje, vetë i prezantojnë përpara naftëtarëve të Ballshit si miliarderë.

Rasti i grevistëve të Ballshit, por jo vetëm, qartëson se sfidat e partive të majta janë bërë më të vështira edhe për shkak të qëndrimeve të disa partive/qeverive të majta lidhur me raportet midis: (i) sektorit publik dhe privat; (ii) politikave rregullatore dhe derregulluese; (iii) madhësisë së qeverisë; (iv) madhësisë dhe strukturës së taksimit të përgjithshëm; (v) pagës minimale dhe orëve të punës javore si edhe për (vi) ambientin dhe përballje me krizën e ngrohjes globale.

Një leksion për rilindësit e oligarkuar shqiptarë vjen këto ditë nga prof. Jeffrey Sachs, i vlerësuar si “kumbari” i reformave të vendeve të lindjes pas rënies se komunizmit, i cili deklaron se: “Unë besoj në vlerën e një ekonomie sociale të tregut, apo të një ekonomie social-demokratike, që nënkupton një ekonomi tregu, e cila qeveriset nga sundimi i ligjit dhe me institucionet sociale që garantojnë të drejta universale për shëndetin, arsimimin, mjedisin dhe mbrojtjen sociale. Kjo kërkon një sistem të përzier ekonomik, me një rol të fortë të qeverisë që luan rolin e saj në shërbimet sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe në nxitjen e sundimit të ligjit”.

Përballë këtij qëndrimi është i trishtueshëm absolutizimi i sektorit privat, i koncesioneve dhe partneriteteve publike private preferenciale (4P) pa studime, pa transparence dhe pa garë, që po bëjnë në Shqipëri “rilindësit” e oligarkuar shqiptarë.

Ndërsa në 2013 nobelisti Stiglitz apelonte se në rast falimentimi të kompanive dhe të bashkive, të parët në listën e shlyerjes duhet të jenë jo bankat dhe fondet e investimeve, por punonjësit për pagat dhe sigurimet shoqërore të papaguara.

Ndërsa “rilindësit e oligarkuar” në 2014 ndryshuan në Kodin Civil radhën e pagesave nga thesari në rast falimentimit apo bllokimi të llogarive të kompanive, duke i zbritur më poshtë në radhë pagat dhe sigurimet shoqërore. Ata po favorizojnë oligarkët në pagesat pa radhë apo jashtë radhe, ndërsa numri i punonjësve që nuk marrin pagat dhe sigurimet shoqërore është në rritje në nivele shqetësuese, deri skllavëruese.

Ka institucione dhe kompani publike ku drejtorët vazhdojnë kryejnë shpenzime abuzive pa paguar pagat dhe sigurimet shoqërore, duke rritur riskun që shumë shqiptarë të mbeten pa pensionin. Kjo nuk ndodh nga padituria, por nga vetë nënshtrimi ndaj oligarkëve, si edhe për ndarje dhe rishpërndarje të përfitimeve abuzive.

Çlirimi nga shtypja e lirive dhe të drejtave universale nga qeveritë e elitave arrogante dhe të babëzitura apelon për një ndërgjegjësim më të madh të të gjithë shoqërisë për domosdoshmërinë dhe efikasitetin e protestave publike si një e drejtë thellësisht demokratike, që redukton pasojat e rënda që sjell keqqeverisja e vendit.

Përballë sfidave të së majtës progresiste, prof. Rodrik këshillon se: “Liderët politikë në të majtë duhet të krijojnë një identitet më pak elitist dhe një politikë ekonomike më të besueshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura