Greta Koçi: Rikthehem fuqishëm në muzikë, në PD tani ka më shumë punë

May 11, 2014 | 10:26
SHPËRNDAJE

Rrallë ndodh ky dyzim profesional mes politikës dhe muzikës. Por Greta Koçi i do të dyja këto profesione si dy anët e peshores. Pas një viti e gjysmë, kur gurin e përkushtimit e kishte vendosur në politikë si nënkryetare e Forumit Rinor të PD-së, tashmë rikthehet në muzikë me një këngë të re dashurie, ku shfaqet si koketë. Greta, tashmë 22 vjeçe, tregon si e kanë pritur fansat në këtë rikthim dhe sezonin e ri të koncerteve.  
Angazhimet e tua si nënkryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të kishin distancuar nga muzika. Sa kohë ka kaluar nga dalja jote e fundit?
Nga klipi i fundit ka kaluar një vit e gjysmë. Po kaq kohë ka kaluar edhe nga daljet e mia nëpër evente apo festivale të rëndësishme, ku publiku ishte mësuar të më ndiqte shpesh. Pra, ka qenë një periudhë pauze në muzikë, për një angazhim mjaft të rëndësishëm dhe serioz timin, siç është drejtimi i “FRPDSH-së”.
Tashmë me këtë klip politika do të kalojë në plan të dytë, apo ke gjetur një formulë balancimi?
Të dyja janë në plan të parë. Publiku po mësohet tashmë që në politikë kanë një këngëtare të dashur të tyre.
Por fakti që Partia Demokratike është në opozitë të jep më shumë kohë apo jo për t’iu dedikuar muzikës?
Përkundrazi, tani ngarkesa është më e madhe për mua, por mendoj se gjendet koha për të gjitha, po të duash të punosh.
“What’s up” mban titullin kënga e re në bashkëpunim me reperin “GMBC”. Tashmë axhenda jote e përditshme do të dominohet nga koncertet?
Përherë muzika ka qenë parësore për mua. Sigurisht që në këtë periudhë e kam planifikuar të kem muzikën në plan të parë, në kuptimin e krijimtarive të shumta, që do të sjell për publikun. Gjithsecili ndërton një strategji në punën e tij.
Qëllimi juaj është që ta ktheni në hitin e verës, kanë filluar ftesat e para?
Telefoni im nuk ka pushuar, si për të më uruar, ashtu edhe për oferta koncertesh, intervistash etj. Unë jam ndier jashtëzakonisht mirë. Kënga është pëlqyer mjaft, dhe klipi gjithashtu. Për mua është një kënaqësi. Konkretisht, koncerti i parë menjëherë pas daljes së klipit do të jetë në Zvicër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura