Greta Garbo, jeta sekrete e aktores biseksuale

Sep 29, 2014 | 14:51
SHPËRNDAJE

Greta Garbo dhe Marlene Dietrich (Edward Steichen, fotomontazh 1934)
Fytyra e Hollivudit në vitet ’30, aktorja suedeze është përfolur për marrëdhëniet e saj të dashurisë sidomos me gra të njohura të kohës. Biseksualizmi i saj dhe letrat e dashurisë që kanë ardhur deri më sot…

Me zë të thellë, e pamartuar kurrë, Greta Garbo kishte një arsye t’i thoshte botës: “Dua të jem vetëm”. Por, historitë e saj të shumta të dashurisë dëshmojnë të kundërtën: ajo e vuante vetminë dhe nuk donte të ishte vetëm. Larg vëmendjes së shtypit, të të tjerëve, pa dashur të ekspozohet kurrë në shfaqje, mbrëmje apo konferenca shtypi, Garbo zgjidhte të ishte vetëm pasi fshihte jetën e saj sekrete, sepse siç shprehen biografë të saj, “ajo ishte lezbike”. Rrethi i saj shoqëror e dinte këtë fakt, megjithatë kurrë nuk e bënë të ditur. Miqtë e saj e thërrisnin atë “Harry” në mënyrë private. Ajo dinte të donte fuqishëm dhe ishte një grua dominuese.
Greta Garbo (Greta Lovisa Gustafsson), e lindur më 18 shtator 1905, ishte një aktore suedeze, e cila u bë më pas një yll ndërkombëtar dhe ikonë e Hollivudit në periudhën e tij klasike dhe të filmave pa zë. Garbo u nominua tri herë për “Academy Award” si aktorja më e mirë dhe u nderua më 1954 për “interpretimin e saj në ekran të ndritshëm dhe të paharrueshëm” etj. Garbo nuk u martua kurrë, nuk pati fëmijë dhe jetoi vetëm. Për një kohë të gjatë zërat brenda në Hollivud vazhdonin të thoshin se një nga dashnoret e Garbos ishte Salka Viertel, e cila shkroi pesë nga filmat e saj, duke përfshirë “Queen Christina”. Për shumë vite ato shpenzuan verat e tyre së bashku në Zvicër, ku Salka jetonte. Të tjera mikesha të afërt për Garbon ishin Tallulah Bankhead, Gertrude Stein dhe Alice B. Toklas, të gjitha të njohura si lezbike. Në 1927, Garbo u njoh me aktoren Lilyan Tashman dhe të dhënat tregojnë se filluan një marrëdhënie dashurie. Po ashtu ajo pati një marrëdhënie të shkurtër dashurore edhe me Louise Brooks, sipas pohimeve të kësaj të fundit. Por, ajo ka pasur histori dashurie edhe me Mercedes de Acosta. Ato ranë në dashuri me njëra-tjetrën me shikim të parë në 1931 dhe De Acosta shkruan për Gretën në autobiografinë e saj, “Here lies the heart”. Marrëdhënia e dashurisë dhe e miqësisë së ngushtë zgjati për më shumë se 30 vjet. Gjatë kësaj periudhe ajo i shkroi De Acostës 181 letra, kartolina dhe telegrame, të cilat gjenden në “Rosenbach Museum & Library” në Philadelphia. Familja e Garbos ka bërë të mundur që publiku të mund të shohë vetëm 87 prej tyre.
Romancat e përfolura me meshkuj
Romanca e saj më e famshme me një mashkull ishte me aktorin John Gilbert, me të cilin ajo jetoi në intervale jo të rregullta në 1926 dhe 1927. Me të ajo kishte interpretuar në “Flesh and the devil”, “Love” (1927) dhe “A woman of affairs” (1928). Mendohet se Gilbert i propozoi asaj për martesë disa herë. Në 1937, ajo takoi dirigjentin Leopold Stokowski me të cilin u fol se pati romancë ndërsa udhëtonin në Europë. Në ditarin e tij, Erich Maria Remarque diskuton një lidhje dashurie me Garbon në 1941 dhe në kujtimet e tij, Cecil Beaton flet po ashtu për një marrëdhënie dashurie me të në 1947 dhe 1948. Por biografët e viteve të fundit dhe jo vetëm ata, besojnë se Garbo ishte biseksuale dhe se ka pasur marrëdhënie intime me gra, ashtu si dhe me burra.
Martesa sekrete
Kohë më pas, Garbo e la ndriçimin e Hollivudit. Në fillim të viteve 1980, ajo u përfshi thellësisht në marrëdhënie dashurie me një grua europiane. Një verë ato vizituan ishullin e Mesdheut dhe në perëndimin e diellit patën ceremoninë e martesës. Dasma pati vetëm pak miq të pranishëm, u organizua nën dritën e qirinjve dhe me shumë lule. Edward Lozzi e intervistoi Garbon tri herë më 1981 dhe sjell ndërmend: “Njëherë e pyeta znj. Garbo se cilat ishin preferencat e saj seksuale dhe ajo refuzoi të përgjigjej. Por ajo pranoi se miqtë e saj më të ngushtë ishin shumica gra”. Vetë aktorja i tha një miku në vitet e fundit të jetës së saj: “Gratë ishin miqtë e mi të vërtetë, të vetmet që mund të besoj dhe të vetmet që mund të dua. Nëse kjo më bën ‘gay’ apo lezbike, atëherë kështu jam! Gratë janë më të ndjeshme se burrat”.
Dashuria për shoqen e shkollës

Greta Garbo në moment çlodhjeje me aktoren Niles Asther Divine
“Kur humbi bukurinë e rinisë në të 40-at ishte e dhimbshme për të dhe më pas ajo humbi aktivitetin fizik në të 80-at”, thotë Lucienne Graessly, që zotëron hotel “Pardenn” në Klosters, Zvicër, ku Garbo pëlqente të kalonte verat e saj. “Në gati 40 vjet, nuk e pashë qoftë një herë të vetme të vishte rroba grash. Greta ishte gjithmonë me pantallona meshkujsh dhe pallto. Ajo më tha: ‘Rrobat e meshkujve janë i vetmi lloj që më pëlqen të vesh’. “Në 2005, u zbuluan 60 letra nga Garbo drejtuar aktores suedeze Mimi Pollak. Në to mësojmë se ajo ka pasur ndjenja romantike për shoqen e saj të shkollës në Suedi, Pollak, për shumë vite. Pas martesës së Pollak dhe pasi ajo mësoi shtatzëninë e saj më 1930, Garbo shkruan: “Ne nuk mund të ndihmojmë natyrën tonë, ashtu si Zoti na ka krijuar. Por të kam menduar gjithmonë ty. I përkisnim njëra-tjetrës”. Në 1975, ajo shkroi një poemë për të mos qenit në gjendje të prekte dorën e shoqes së saj me të cilën mund të kishte ecur përgjatë jetës. Këto letra private të zbuluara në Suedi disa vite më parë, hedhin dritë mbi jetën e vajzës së varfër nga Stokholmi, e cila u bë “Fytyra” e Hollivudit në vitet ’30, bëri 27 filma dhe shpenzoi 50 vitet e fundit të jetës së saj në vetmi. Por nuk ishte vetëm dashuria e saj e pashpërblyer për Pollak, me të cilën Garbo mbajti korrespondencë për 60 vjet që hijezoi jetën e yllit të kinemasë deri në vdekjen e saj më 1990. Dy ekspozita në Suedi dhe një libër zbulojnë se përpara se ajo të largohej për në SHBA më 1925, Garbo ishte e vetë-obsesionuar, depresive dhe i vinte turp për babain e saj që pastronte banjat dhe prejardhjen e saj të varfër. Në 1941, ajo doli në pension në moshën 35-vjeçare pasi ishte shfaqur në 28 filma. Edhe pse i ishin ofruar shumë mundësi për t’u kthyer në ekran, ajo i refuzoi të gjitha. Në vend të kësaj, ajo jetoi jetën e vet private, duke iu shmangur publicitetit. U nda nga jeta në vitin 1990.

Përgatiti: Blerina Goce

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura