“Gratë i ka përdorur si makijazh”/ Basha pyetet për kandidimin e Luljeta Bozos dhe Najada Çomës: Asgjë s’e shpëton Ramën nga ndëshkimi

Mar 9, 2021 | 17:19
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përgjigj kryeministrit Rama për përfshirjen e grave në listave, duke theksuar se nuk do t’i përdorë kurrë ato si makijazh.

Gjatë konferencës për shtyp, Basha theksoi se gratë shqiptare po përjetojnë drama të mëdha edhe si pasojë e pandemisë dhe u bëri thirrje atyre që të votojnë për ndryshimin e vërtetë që sipas tij vjen me largimin e kryeministrit.

Basha: Ju si media keni mbuluar gjatë këtyre 8 viteve dhunën ndaj grave, se si policia nuk guxonte as të merrte deklaratën në Fushë Krujën e kriminelëve Rraja. Se si mijëra gra janë dhunuar sistematikisht, mijëra të tjera janë larguar nga puna. Ju jeni dëshmitarë se si i ka përdorur dhe flakur gratë shqiptare. Gratë janë pasuria më e çmuar. Këtë e them si baba i vajzave dhe si bashkëshort. Pa iu dhënë fuqi nënave, grave Shqipëria nuk do të ecë përpara. Një nga problemet e shoqërive të prapambetura, është pabarazia gjinore. Vendet e pabarazisë gjinore shpesh herë përdorin makijazhet që Edi Rama i ka përdorur gjatë këtyre 8 viteve. Gratë shqiptare nuk e besojnë, por një gjë garantoj, çdo nënë, vajzë apo grua, unë nuk do t’i përdor kurrë si makijazh.

Gratë shqiptare përjetojnë dramat më të mëdha. Një nënë që i largohen fëmijët në emigracion, apo mijëra gra që nuk kujdesen dot as për veten e tyre ndikuar edhe nga pandemia, mbi to rëndon fatura e mjerimit dhe dështimit 8 vjeçar të Edi Ramës. Ndryshimi në fatin e tyre vjen duke larguar një njeri që jo vetëm i katandisi, por edhe i keqpërdori për të fshehur dështimin dhe premtimet e pa mbajtura.

Nuk ka asgjë ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi me votë. Nuk është me rëndësi kush është para apo mbrapa Ramës. Ka rëndësi për të kuptuar që nuk ndahet dot nga krimi dhe nga ata që ka vjedhur për 8 vjet Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është e qartë. Sado makijazh të ketë, shqiptarët e kuptojnë. Pa larguar Edi Ramën nuk ka ndryshim, këtë e kuptojnë të gjithë përfshirë edhe socialistët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura