Gratë e politikës me nga 2 mbiemra, penalizohet vetëm Grida

May 18, 2015 | 14:30
SHPËRNDAJE

Që nga Jozefina Topalli Çoba, Ledi Shamku Shkreli, Ermonela Felaj Velikaj, e deri te vetë kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi Lleshi

Bëj siç themi ne, por mos bëj siç bëjmë ne… Kështu ngjan historia e Gridës me koleget e saj. Janë të shumta politikanet që mbajnë nga dy mbiemra, atë të vajzërisë dhe të burrit, por kandidates së PD-së për Durrësit nuk i lejohet ky “luks”. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur për zyrtarizmin e garës, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vuri re se ajo nuk kishte përputhje mes deklaratës së plotësuar, me certifikatën e gjendjes civile. Kështu, në deklaratën e firmosur më datën 3 maj, kandidatja e PD-së nënshkruan për nisjen e garës me identitetin e vajzërisë Grida Duma, ndërsa në certifikatën e gjendjes civile ajo rezulton të jetë me Grida Shqina, mbiemër që e ka marrë pas martesës. Kjo mospërputhje dokumentesh bëri që KQZ-ja e drejtuar nga Lefterie Luzi mos ta regjistrojë Gridën me dy mbiemra, duke e cilësuar si të paligjshme. Por në këtë logjikë “të paligjshme” i bie që të jenë edhe disa politikane të tjera, duke nisur që nga ish-kryeparlamentarja demokrate Jozefina Topalli Çoba, deputeteve socialiste Ermonela Felaj Velikaj dhe Ledi Shamku Shkreli, socialistja tjetër Mirela Neli Syku nga Lezha etj., të cilat janë paraqitur vazhdimisht me nga dy mbiemra. Madje, edhe vetë kryetarja e KQZ-së që dha votën kundër Gridës me dy mbiemra, përdor vetë dy të tillë: Lefterie Luzi Lleshi. Megjithatë, u zhvillua edhe një seancë tjetër këtë të enjte në KQZ dhe u duk sikur do të lejohej që edhe Grida të jetë si “shoqet” me nga dy mbiemra. Por nuk ndodhi kështu: Grida pranohet veç me mbiemrin e burrit, Shqina!

Më poshtë: Faksimile të firmave të Lefterie Luzi Lleshi, Jozefina Topalli Çoba dhe Ermonela Felaj Velikaj


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura