Gratë deputete kërkojnë mocion me debat, Kuvendi miraton rezolutën kundër dhunës në familje

Dec 6, 2017 | 15:27
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ 

Kuvendi i Shqipërisë dënoi përmes një rezolute, të miratuar në unanimitet nga të gjithë deputetët e pranishëm, dhunën në familje. Deputetet e Partisë Demokratike, kërkuan një mocion me debat në një seancë të posaçme parlamentare, e cila gjeti përkrahjen e menjëhershme të të gjithë deputetëve.

basha rama ruci

Gjatë debatit parlamentar për projektrezolutën “Për dënimin e fenomenit të dhunës në familje dhe marrjen e masave urgjente për evidentimin e situatës dhe gjetjen e mekanizmave efikas ligjor për parandalimin e këtij fenomeni”, deputetja nismëtare e projektrezolutës, Albana Vokshi, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike e vuri theksin në fjalën e saj te gratë dhe fëmijët e vetmuar të prekur nga dëmet e përmbytjeve.

Znj. Vokshi shprehu gatishmërinë për ndërmarrjen e çdo nisme që mundëson reduktimin e këtij problemi kaq alarmant. “Rezoluta është e nevojshme pikërisht tani sepse qeveria dhe pushteti vendor kanë dështuar për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës. Mekanizmi ka dështuar”, -u shpreh znj. Vokshi

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputetja Kljada Gjosha e konsideroi mjaft të rëndësishëm votimin me konsensus të kësaj projektrezolute, duke shprehur shqetësimin e saj për fenomenin. “Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar, por këtu te ne thelbi qëndron te mos përgjigja e institucioneve, te drejtësia, te zbatimi i ligjit dhe vëmendja që secili nga ne i kushton edhe një rasti të vetëm të dhunës në familje”, -u shpreh znj. Gjosha në fjalën e saj.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, znj. Vasilika Hysi nënvizoi rëndësinë e reformës legjislative, koordinimin më të mirë të institucioneve, buxhetit dhe burimeve njerëzore. Duke u ndalur te reforma në drejtësi, znj. Hysi vlerësoi pozicionin më të mirë të viktimës ne proceset civile dhe penale, si edhe theksoi rëndësinë e miratimit të Kodit Penal për të Mitur. “Ne jemi të bindur që kemi shume për të bërë. Jo çdo gjë që thuhet në ligj mjafton për të mbrojtur më mirë të drejtat e grave, viktima të çfarëdolloj dhune. E rëndësishme të parandalojmë”, u shpreh znj. Hysi, duke kërkuar mospolitizimin e diskutimeve .

Sipas znj. Hysi rezoluta është një plan konkret veprimi dhe u bëri thirrje deputetëve për të forcuar mekanizmin e kontrollit parlamentar në drejtim të zbatimit të ligjeve në mbrojtje të grave të dhunuara.

 

Projektrezoluta “Për dënimin e fenomenit të dhunës në familje dhe marrjen e masave urgjente për evidentimin e situatës dhe gjetjen e mekanizmave efikas ligjor për parandalimin e këtij fenomeni” u miratua me 111 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kuvendi miratoi gjithashtu me 112 vota pro edhe ngritjen e nënkomisionit “Për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje”

Në seancë u miratuar me 112 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim edhe projektrezoluta “Për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Axhendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”.

 

Rezoluta

e Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efekshmërisë së mekanizmave ligjore për parandalimin e saj

Kuvendi dënon fuqimisht aktet e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe në veçanti dhunën në familje, duke i konsideruar jo vetëm si akte kriminale, por dhe fenomene që cenojnë bazën e shoqërisë dhe kërkon masa të ashpra ndaj dhunuesve, duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Kuvendi angazhohet që brenda 15 ditëve nga miratimi i kësaj Rezolute, të krijohet Nënkomisioni i  Përhershëm “Për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grus, pranë Komisionit përgjegjës për çështjet sociale. Brenda 60 ditëve nga miratimi i kësaj Rezolute, Nënkomisioni të hartojë një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të GREVIOS, CEDAË dhe Konventës së Stambollit si:

-ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për  adresimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave;

-gjetjen e mekanizmave efikasë për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje;

-propozimin e ndërhyrjeve ligjore të nevojshme që ndihmojnë në përmirësimin e trajtimit të grave dhe vajzave dhe rritjes së sigurisë së jetës së tyre;

-mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përmbushjen prej tyre të të gjitha detyrimeve ligjore dhe zbatimin e masave për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe fuqizimin social dhe ekonomik të vajzave dhe grave.

Kuvendi mbështet dhe inkurajon të gjithë viktimat e dhunës në familje që të denoncojnë dhunën, si dhe të bashkëpunojnë me organet kompetente për zbatimin e legjislacionin në fuqi, duke i siguruar për mbikëqyrje të fortë parlamentare dhe trajtim të të gjitha rasteve të denoncimeve për dhunën në familje.

Nënkomisioni i Përhershëm “Për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e  Dhunës ndaj Gruas” të informojë seancën plenare të paktën një herë në çdo sesion parlamentar mbi rezultatet e punës së institucioneve shtetërore dhe nevojën për marrjen e masave shtesë për parandalimin, reduktimin dhe mbrojtjen e grave ndaj dhunës në familje.

 

Kuvendi angazhohet nëpërmjet komisioneve të tij të përhershme parlamentare dhe nënkomisioneve të  tij të monitorojë zbatimin nga autoritetet shqiptare të zbatimit të akteve ligjore, akteve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe vecanërisht, zbatimin e Konventes së Stambollit.

Kuvendi kërkon nga Qeveria shqiptare brenda 60 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute:

-Një analizë të plotë mbi të gjitha problematikat e evidentuara në praktikë si dhe të dhëna konkrete mbi dhunën në familje;

-Të paraqesë propozime konkrete për ndryshime ligjore, me fokus të posaçëm:

  1. Fuqizimin e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore si strukturë përgjegjëse për koordinimin e veprimtarisë së gjithë institucioneve shtetërore të ngarkuara me ligj për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje, si dhe garantimin e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të vecantë fëmijëve, grave, të moshurve dhe personave me aftësi të kufizuar.
  2. Ashpërsimin e parashikimeve ligjore për heqjen përfundimtare të mundësisë për të përfituar nga amnistia ose nga rrethana të tjera lehtësuese, në të gjitha rastet e hetimit, gjykimit ose dënimit për krimet brenda familjes;

iii. Rishikimin e masave mbrojtëse ndaj dhunës në familje, duke eleminuar situatën e evidentuar në praktikë, ku dhunuesi dhe viktima e dhunës, edhe pas vendosjes së masës së mbojtjes, lejohen të bashkëjetojnë në të njëjtin ambient.

  1. Forcimin e mekanizmit të mbrojtjes, mbështetjes dhe rehabilitimit të viktimave, me qëllim lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e vijimit të dhunës në familje, duke ofruar plotësimin e të gjitha nevojave për personat e dhunuar në familje, përfshirë asistencë të përshtatshme dhe mjaftueshme financiare, punësim, strehim, si dhe shërbime mjekësore dhe sociale.
  2. Rishikimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimës dhe vënien në dispozicion të mjeteve të nevojshme për rastet e rrezikut për jetën, duke mirëpërcaktuar detyrimet e Policisë së Shtetit në këto raste, përcaktimin e personave përgjegjës që marrin përsipër të mbajnë nën kontroll dhunuesin, si dhe aplikimin gjerësisht të mbikëqyrjes elektronike për rastin e dhunuesve brenda familjes.
  3. Garantimin e mekanizmave rehabilitues për dhunuesin dhe viktimat e dhunës në familje, me fokus të veçantë eleminimin e pasojave të dhunës dhe shmangien e mundësisë së ripërsëritjes së saj në të ardhmen.

vii. Ndryshim e ligjit nr. 9669/2006 dhe VKM nr. 334, datë 17.02.2011, për të sanksionuar, ndër të tjera, thjeshtimin e procedurave gjyqësore për shqyrtimin dhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes dhe ndjekjen efikase të ekzekutimit të tij, duke parashikuar në çdo rast vijimin e procesit gjyqësore, pavarësisht tërheqjes së mëvonshme të viktimës, si dhe ngritjen e një mekanizimi efiçent të mbikëqyrjes së veprimtarisë së organeve gjyqësore në proceset gjyqësore të dhunës në familje.

viii.    Angazhimin e të gjitha strukturave të shtetit për të ndryshuar mendësitë dhe ndërgjegjësuar publikun mbi pabarazinë dhe stereotipet e dëmshme gjinore, që janë baza e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

  1. c) Të merren masa për shtrirjen e regjistrit kombëtar /sistemit REVALB për dhunën në familje dhe plotësimin e këtij sistemi nga strukturat përgjegjëse vendore;
  2. d) Të dhënat e punësimit të grave dhe vajzave – viktima të dhunës në familje sipas institucioneve, më sektorit publik dhe privat, dhe në veçanti të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar, të jenë pjesë e raporteve periodike të depozituara në Kuvend;

Kuvendi kërkon të nxitet ngritja e qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat dhe dhunuesit nga njësitë e qeverisjes vendore, të përmirësohet koordinimi i punës me ato ekzituese, si dhe të rriten fondet e dedikuara nga ana e qeverisë.

Kuvendi kërkon nga njësitë e qeverisjes vendore të marrin të gjitha masat e nevojshme për ngritjen e mekanizmave vendore aty ku nuk janë ngritur, rritjen e kapaciteteve të tyre si dhe parashikimin e fondet të nevojshme për ngritjen dhe financimin e qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat dhe dhunuesit, duke filluar nga Buxheti i Shtetit për vitin 2018 dhe të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e përgjegjësive ligjore në kuadër të parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje.

Duke vlerësuar kontributin e çmuar të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve sociale për viktimat dhe dhunuesit, Kuvendi i fton organizatat jofitimprurëse të licensuara që të vijojnë dhe maksimalizojnë përpjekjet për parandalimin, reduktimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, duke ushtruar të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas legjislacionit në fuqi.

 

Duke vlerësuar ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur lidhur me mbrojtjen e viktimave dhe trajtimin e tyre në polici, gjatë procedimeve penale, Kuvendi angazhohet të miratojë brenda këtij sesioni Parlamentar, legjislacionin e nevojshëm për mbrojtjen efektive të viktimave të dhunës në familje dhe ndërtimin e një mekanizmi realist për mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Ndërkohë që Ligji i ri për Ndihmën Juridike pritet të miratohet së shpejti, Kuvendi nxit Qeverinë të angazhohet për:

  1. a) zbatim të menjëhershëm të dispozitave që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës ligjore falas per viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore;
  2. b) të marrë masat e nevojshme për të ofruar mbrojtje efektive për viktimat e dhunës seksuale si edhe për ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe të mirë-koordinuara për viktimat e mbijetuara.

Kuvendi nxit qeverinë të zbatojë detyrimet ligjore për buxhetimin e përgjithshëm gjinor, sipas ligjit organik të buxhetit dhe VKM për integrimin gjinor në programin buxhetor afatmesëm si dhe të parashikojë fondet për:

  1. a) Një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi mbi pasojat e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanëerisht të dhunës në familje;
  2. b) mbështetjen për ri-integrim në shoqëri të viktimave të dhunës;
  3. c) mbështetjen me fonde buxhetore të Linjës Kombëtare të Këshillimit dhe Linjave Lokale për parandalimin e dhunës dhe këshillimin e viktimave;
  4. d) Informimin e publikut për mekanizmat e referimit në nivel vendor dhe rritjen e kapaciteteve të tyre;

dh)Mbështetje me fonde buxhetore të organizatave të shoqërisë civile që lehtësojnë mekanizmat vendore aty ku nuk ka ende;

  1. e) Ngritjen e strehëzave për viktimat me fonde buxhetore;
  2. f) Forcimin e aksesit në drejtësi përmes financimit të plotë të ligjit të ndihmës juridike ku të përfshijë viktimat e dhunës si kategori përfituese.

Kuvendi nxit qeverinë dhe organet e pushtetit vendor për zgjerimin dhe forcimin e politikave për sipërmarrjen e grave duke iu referuar modelit strategjisë për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave 2014 -2020 nëpërmjet skemave të mbështetjes me grante nga shteti, të grave në nevoje, grave në zonat rurale dhe viktimave të dhunës.

Kuvendi nxit Qeverinë t’i kushtojë vëmendje të veçantë detyrimeve që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe veçanërisht atyre në Konventën e Stambollit – si dokumenti bazë sot në Evropë për dhunën ndaj grave dhe dhunën ne familje dhe që gëzon mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian. Raporti i vlerësimit të grupit të ekspertëve për Shqipërinë të publikuar në 24 Nëntor 2017, ka parashikuar rekomandime konkrete për masat që Shqipëria duhet të marrë në fushën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Organet e pushtetit gjyqësor dhe ato të prokurorisë të trajtojnë me seriozitet, efikasistet dhe me shpejtësi maksimale proceset hetimore dhe gjyqësore që lidhen me çështjet e dhunës në familje, për t’i dhënë zgjidhje reale mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje si dhe zbatim rigoroz të dispozitave të kodit penal për dënimin e dhunuesve;

Kuvendi nxit organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë të mbajnë në konsideratë në mënyrë të veçantë mbajtjen e posaçme të të dhënave për proceset hetimore dhe gjyqësore që kanë të bëjnë me dhunën në familje, duke përfshirë urdhërat e mbrojtjes, proceset gjyqësore për dënimin e dhunuesve, etj;

Kuvendi nxit organet e inspektimit të sistemit të drejtësisë, që të vlerësojnë me seriozitet shkeljet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet kësaj Rezolute, shpreh angazhimin e tij institucional për të trajtuar me vëmëndjen e merituar rastet e dhunës në familje, në bashkërendim me organet e pushtetit qëndror, vendor dhe ato gjyqësor.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura