Gramoz Pashko, “Antagonisti” në kujtimet e miqve

Jul 13, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

“Ishte gjithnjë një rebel, edhe atëherë kur dukej se pranonte kompromisin”. Ata që e njohën, e kujtojnë pikërisht kështu. Mbushen 10 vjet dhe ai 16 korrik, duket aq sa larg, edhe afër, si të ishte një ëndërr e keqe e një nate vere.

Gramoz Pashko ishte/është një nga protagonistët e historisë shqiptare, të një prej atyre periudhave të koklavitura, ku shpeshherë askush nuk ishte i qartë se ç’do të sillte mëngjesi.

pashko

Ishte fillimi i viteve ’90, rënia e diktaturës, fillimi i një ere të re për shqiptarët. Dhe ai ishte aty, për të thënë të vetën, shpesh edhe kundër rrymës e ndaj më së miri i shkon “Antagonisti”.

Pikërisht kështu titullohet dokumentari me regji të Roland Sejkos, skenar të Armand Shkullakut dhe ide të Henri Çilit, që do të shfaqet sot në kinema “Millenium”, në orën 19:30.

Pas orësh të tëra kërkimesh mes qindra orë filmimesh, realizuesit e filmit ranë dakord që ta quanin “Antagonisti”, sepse sipas Shkullakut “shpirti e tij e gjente paqen vetëm kur pranimi vinte nëpërmjet kundërshtimit, dyshimit, debatit, refuzimit dhe përpjekjes intelektuale për të mbërritur tek e përsosura.

Ashtu ka qenë para viteve ’90, gjatë ndryshimeve të dhjetorit, gjatë pak muajve kur drejtonte Shqipërinë e tranzicionit, gjatë përplasjeve të forta në PD dhe ashtu vazhdoi në të gjithë karrierën e tij politike dhe profesionale. Një lapidar i mendimit të lirë, që i shpërfillte pasojat që kjo liri mund t’i sillte. Për atë ishte i gatshëm të paguante çdo çmim dhe nuk pagoi pak”.

Portreti i Pashkos, në këtë dhjetëvjetor ikjeje, vjen përmes zërave të miqve të tij. Nuk kishte qenë e lehtë për të përzgjedhur mes gjithë atyre njerëzve që e njohën dhe e vlerësuan për aspekte të ndryshme të karakterit të tij, si njeri, si profesionist dhe politikan.

“Ne menduam të mbledhim rrëfimet e atyre njerëzve që ishin pjesë e jetës së tij personale, por edhe dëshmitarë të rëndësishëm të jetës së tij politike. Të atyre që mund të tregonin edhe një dimension tjetër të tij, atë që shumë të tjerë, ndonëse mund ta kishin njohur nga afër, vështirë ta kishin zbuluar. Brishtësinë e një njeriu që ishte i aftë t’i hynte çdo sfide, por që njëkohësisht brenda vetes vuante drama të mëdha. Pasioni i tij përvëlues, entuziazmi gati aventuresk, guximi deri në çmenduri, u bënin hije përjetimeve të dhimbshme që i është dashur të përballojë. Ato vetëm pak njerëz kanë mundur t’ia lexojnë në thellësi të zemrës së tij”, thotë skenaristi i filmit, Armand Shkullaku.

Dhe përmes këtyre rrëfimeve ndërtohet një portret, por ndërtohet edhe një epokë, në të cilën ai ishte protagonist e po aq theksohet mungesa që një personalitet si Pashko ka lënë në politikën shqiptare.

Siç do të thoshte edhe Shkullaku, ikja e tij “shënoi edhe fundit e epokës së intelektualit politikan. Të atyre individëve që me dijen dhe lirinë e tyre kanë ndryshuar fatet e kombeve. Që hyjnë në politikë për mision dhe jo për koniunkturë. Për të ndriçuar me mendjen e tyre dhe jo për të vegjetuar në uniformitetin e politikanëve të rëndomtë. Pashko është ai lloj personaliteti që çdo komb do të ndihej i nderuar ta rendiste në elitën e tij”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura