Grackat e skandalit

| 12:09
SHPËRNDAJE

ÇAPAJEV GJOKUTAJÇapajev-Gjokutaj

Shqipëria konsumon pak, por prodhon edhe më pak. Gjithsesi, kemi një produkt që e kultivojmë me tepri: skandalet. Vetëm tri-katër javët fundit folëm e përfolëm një mori skandalesh. Edhe po të përzgjedhim më kryesoret, lista shkon goxha gjatë: vrasja tragjike e dy fëmijëve në Kavajë se mungonte rrugëndarësja; abuzimi seksual i ish-kryebashkiakut të Dibrës; hyrja e paligjshme e një pajisjeje përgjimi për policinë; abuzimi seksual i tre minoreneve në Jetimoren e Shkodrës; zhdukja pa gjurmë e

“Escobarit të Ballkanit”; fluturime avionësh çarter në Seman për trafikim droge; minorenë të shtëpisë së fëmijës në Sarandë lejohen të frekuentojnë klube nate; autoritetet e Burgut të Shën Kollit lirojnë nga qelia, pa vendim gjykate, një të burgosur; tri të sëmura mendore në Shkodër abuzohen seksualisht dhe detyrohen të abortojnë; një deputet i PD-së nuk ka deklaruar ndalimin dhe deportimin në ish-Jugosllavi; kryebashkiaku i Kavajës ka qenë dënuar në Itali për pjesëmarrje në një përdhunim kolektiv etj. etj.

Siç shihet janë shumë, edhe kur nisesh thjesht për t’i listuar lodhesh dhe shpërqendrohesh. Në mjegullën e kësaj lodhjeje e ke vështirë të zgjedhësh mes dilemës: kjo denduri skandalesh dëshmon një shoqëri në krizë, të kalbur fund e majë apo një shoqëri me pëlqime levantine, të etur për t’u eglendisur me shkelje morali dhe ligji? 2. Parë përciptazi, skandalet ngjajnë si mjet efikas për të luftuar veprimtari antiligjore e imorale: Më mirë të përjetojmë skandale të njëpasnjëshme, sesa shkelje të tilla të mos zbulohen kurrë dhe zullumi të gëlojë si myku në errësirë. Janë të dhimbshme dhe irrituese përdhunimet e minoreneve në Jetimoren e Shkodrës, por më mirë që u zbuluan.

Personat përgjegjës kaluan për ndjekje penale dhe, sidokudo, nisi një reflektim për politikën e punësimit, domosdonë e transformimit të institucioneve që përkujdesen për jetimët etj. Megjithatë ngjan se, në shumicën e rasteve, skandalet më shumë prishin sesa ndreqin. Për skandalin, element parësor është reagimi publik, kurse shkelja e ligjit është element i domosdoshëm, por, gjithsesi, dytësor. Këtë thotë edhe Fjalori i Shqipes së Sotme kur e shpjegon skandalin si “zhurmë e madhe që bëhet në lidhje me një ngjarje të papëlqyer, që vete në kundërshtim me normat dhe moralin e shoqërisë”.

Parë kështu, skandali është dukuri ligjërimore që ka në thelb një shkelje flagrante morali a një thyerje të rëndë ligji. Këndej buron një tipar tjetër: për të mbrujtur një skandal nuk ka rëndësi nëse shkelja e ligjit është reale apo e trilluar. E rëndësishme është të ngjallë reagim publik, të pasqyrohet nga media të tjera, të pështjellojë rrjetet sociale, të ngjallë emocion dhe të shtyjë në diskutime. Sot e kësaj dite, p.sh., nuk e dimë si është e vërteta për çështjen e përgjimeve.

Ministria e Rendit thotë se bëhet fjalë për një aparat në pronësi të italianëve, që është përdorur për trajnim të policëve; opozita thotë të kundërtën: një aparat i kaluar ilegalisht në doganë, i përdorur për të përgjuar politikanë, biznesmenë, aktivistë të shoqërisë civile etj. Shihet se përgjimi mund të jetë edhe real, edhe i trilluar. Kjo natyrë deledashe nuk i pengoi mediat dhe politikën të shtynin urët e skandalit. Dhe diskutimi e hamendjet u harlisën në kafene, lajme, emisione televizive e deri edhe në grupe parlamentare. Diskutimi publik mori trajtën e thashethemit dhe kjo ndikoi që edhe pezullimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë nga Prokuroria të perceptohej përgjithësisht si pjesë e luftës politike.

Ka të ngjarë që, pikërisht mospërcaktimi i kufirit mes faktit dhe trillimit nxit edhe më shumë vëmendjen publike, përfoljen, misterin, emocionet dhe ingredientë të tjerë që sendërtojnë së brendshmi skandalin.
Skandali është një nga zhanret e ligjërimit publik. Dhe po t’i besosh Foucault, synim kryesor i çdo lloj ligjërimi, por sidomos i atij publik, është pushteti ose, thënë më shkoqur, ushtrim trysnie mbi dëgjuesit me synim që t’i ndikosh dhe, në rastet e skajshme, edhe t’i manipulosh. Ky funksion bëhet më veprues kur ligjërimi publik mbizotërohet nga politika dhe mediat e anshme. Në një masë të frikshme, mediat tona janë katandisur në megafona të politikës, sipas parimit: politikani flet, media amplifikon. Në të vërtetë misioni i medias nuk është të përcjellë mekanikisht ç’thotë politika, por të orientojë publikun drejt së vërtetës.

Në rastin e skandalit të fluturimeve mbi Seman, p.sh., roli i medias duhet të niste me publikimin e shqetësimit të opozitës, të vazhdonte me përgënjeshtrimin e organeve kompetente dhe të përfundonte me përpjekje investigative për të gjetur si është e vërteta, kemi të bëjmë me fluturime tranzit, të bëra me leje dhe që nuk janë ulur në territor shqiptar, apo kemi të bëjmë me përsëritje marifetesh alla Riformato për trafikim droge nën hundën apo me “bekimin” e krerëve të Policisë. Kthimi në megafon të politikës dhe mungesa e investigimit kanë shkaqe të ndryshme.

Më njërën anë është kollajllëk ta bësh lajmin duke lëvizur në hapësirën buevardeske, nga konferenca e shtypit te redaksia. Investigimi do mund, kohë, por edhe profesionalizëm. Më anë tjetër parashtrimi i llojit “ky tha kështu, por ai tha ashtu” e afron lajmin me strukturat e thashethemit, zhanër ky i pëlqyer nga publiku. Rrjedhimisht siguron më shumë klikime dhe komente anonimësh të frustruar. Redaksitë e shesin këtë thashethemnajë si “reagim publik”, shikueshmëri dhe gjëra të tjera të këtij lloji që sigurojnë reklama, d.m.th. para. 3. Pjesa thelbësore e skandalit është reagi-mi i publikut, gjenerimi i një vargu reagimesh masive si kundërvënie, përqeshje, përçmim, indinjatë, revoltë etj.

Janë reagime që forcojnë ndjenjën qytetare, theksojnë domosdonë e respektimit të moralit dhe të ligjit. Veç kësaj, në vorbullën e reagimeve kundër të korruptuarve dhe shkelësve, forcohet kohezioni social sipas gjedhit: ne të thjeshtët, të moralshmit vs ata të korruptuarit e faqezinjtë, dallkaukët e kopukët. Ngjyrimet e theksuara emotive që marrin reagime të tilla bëjnë që ndjesia e kësaj bashkësie imagjinare të përjetohet më thellë. Megjithatë, edhe në rrafshin e reagimit publik skandalet shfaqin edhe anën e tyre të mugët. Publiku vërtet përçmon dhe dënon shkelësin e ligjit dhe të moralit, ripohon e përvetëson parimet, por njëkohësisht kënaq edhe një varg nevojash psikologjike që jo gjithnjë janë shoqërisht të shëndetshme, madje japin e marrin me cinizmin dhe hipokrizinë.

Brekët e ish-kryebashkiakut të Dibrës ose, më saktë, vrima në brekët e tij, u bë burim humori e shpotish publike që, sidomos në rrjetet sociale, morën trajtë orteku dhe e kthyen ngjarjen në argëtim të pastër duke sfumuar anët sociale të problemit: abuzimi me postin, papunësia masive e të rinjve etj. Ka dy-tri javë që flitet për ekzistencën e dy videove me skandale seksuale që, siç thotë thashethemi, kanë për protagonistë dy ministra të qeverisë aktuale. Flitet për pazare miliona euro për t’i blerë videot dhe mos lejuar publikimin e tyre. Mbrëmjen e së enjtes që kaloi rrjetet sociale, madje edhe emisione serioze televizive, zienin nga përfoljet për këto video, përfolje mes faktit dhe trillimit që, si rregull burojnë nga një atmosferë eksitimi kolektiv, shkaktuar nga përjetime që fqinjërojnë me perversitetin.

Vështirë të thuash se ky lloj ekstimi kolektiv buron nga fakti që flitet për seks. Sot videot pornografike janë me shumicë dhe gjenden pothuajse falas, kështu që kush ka nevojë të konsumojë pornografi, nuk ka pse të presë sekuenca të filmuara nxitimthi nga zyra e këtij apo atij pushtetari. Zallamahia publike që shoqëron “lajme” të tilla lidhet me etjen për të parë në jetën e tjetrit, aq më tepër në jetën e VIP-ave të politikës, artit, mediave. Shërben kjo jo vetëm për të shuar kureshtjen, por edhe për të lartësuar veten: janë më keq se ne, të thjeshtët, të pasuksesshmit. Realizohet kështu një hakmarrje e verbër, të shumtën e herëve e paartikuluar, hakmarrje që ushqehet nga zilia dhe smira për shkëlqimin dhe popullaritetin e tjetrit.

Psikologët thonë se pjesëmarrja masive dhe tejet afektive në zallamahinë verbale që shoqëron skandalet, buron edhe nga iluzioni se je pjesë e të ndershmëve, e atyre që gjykojnë dhe dënojnë. Jo vetëm kaq, ndihesh pjesë e bashkësisë që ka në dorë edhe dënimin edhe faljen, edhe përgojimin, edhe lënien në harresë. Kjo ndjenjë e superioritetit, sado imagjinare dhe e shkurtër, të jep energji e kurajë sepse krijon iluzion pushteti. Gjithë njerëzit kanë etje për pushtet, por të thjeshtët, anonimët ngjajnë me beduinin në shkretëtirës, e përjetojnë këtë etje më fuqishëm.

Në pamundësi për ta shuar direkt, d.m.th. me posedim pushteti, gjejnë rrugë të tërthorta që sublimojnë egoizmin, cinizmin etj. Njeriu i thjeshtë, duke parë, dëgjuar e përfolur shkeljet flagrante të tjetrit, përjeton edhe një terapi të vyer psikologjike. Jo vetëm heq mendjen përkohësisht nga hallet dhe shqetësimet e përditshme, por edhe ngushëllohet, i pohon vetes se hallet e tij janë ku e ku më të vogla e më të menaxhueshme. 4. Duket se politika dhe media por, në një masë a tjetrën, edhe publiku, janë të prirur ta përdorin skandalin për kënaqje nevojash e dëshirash që jo gjithnjë përkojnë me interesin e shoqërisë.

Është kjo një prirje universale që te ne bëhet edhe më e dëmshme. Si shoqëri anojmë më shumë nga përgojimi, poshtërimi, ose, shumë- shumë, dënimi i shkelësit konkret pa kaluar në operacione strukturore. Si të thuash merremi me degët, pa kërkuar rrënjët. Kjo prirje bëhet edhe më e dëmshme nga që kemi një shtet të dobët dhe, gati-gati, epilektik. Tani, pas vdekjes së dy vogëlushëve, vijëndarëset në afërsi të Kavajës janë vendosur, disa zyrtarë janë arrestuar etj. Por, në Rrugën e Kombit vazhdon avazi i vjetër: vijëndarëse të hequra, mungesa të theksuara në sinjalistikën rrugore etj.

Në gjithë ndërtimet e rrugëve, supervizorët jo rrallë mbyllin njërin sy për standardet. Shteti që është shtet vepron në mënyrë sistemike, nuk nxiton të shuajë flakët e skandalit të radhës, por nxjerr mësime dhe i kodifikon në ligje, udhëzime e urdhra që formojnë memorien institucionale dhe veprojnë frontalisht, sot e nesër. Duket ashiqare, se si shoqëri ende nuk kemi krijuar instrumentet e duhura për të investiguar kaq shumë skandale, për të dalluar ç’është fakt real e ç’është trillim politik a mediatik, për të reflektuar jo vetëm emocionalisht, por, sidomos, administrativisht e ligjërisht.

Një gjë duket edhe më e sigurt: superprodhimi i skandaleve dhe qasjet amatore e egoiste ndaj tyre bëjnë që të vritet shpresa e të rritet skepticizmi. Rrjedhimisht, të thellohet kriza e besimit dhe të shtohet apatia qytetare. Fjala “skandal” vjen nga greqishtja antike dhe në origjinë do të thotë lak, grackë ku kapen shkelësit e moralit dhe të ligjit. Por veçoritë ligjërimore të skandalit dhe një varg faktorësh të tjerë bëjnë që shpesh në grackë të mbetet interesi publik. Po të parodizonim atë tragjikun e madh, mund të thoshim: Skandali është gracka, ku shoqëria kapet si laraska.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.