Grabocka rrëfen për jetën e stilistes Shpresa Zeraliu: “Diori” i të gjitha kohërave në Shqipëri

Apr 9, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE


Stilistja e të gjitha kohërave, e të gjithë spektakleve, Shpresa Zeraliu, nuk jeton më. Nuk do të vdesë kurrë as emri e as kujtimi për të. Bashkëpunëtorët, miqtë e saj, do ta përmendin gjithmonë si realizuesen e qeshur e fjalëpakë të të gjitha kostumeve e fustaneve që u kanë mbetur në mendje. Ndër të gjithë, veçohet regjisorja Vera Grabocka, bashkë me të cilën Shpresa shënoi në kohë censurimesh e shpërthimesh modën e saj.

Kur Christian Dior thoshte se “Thellë në çdo zemër dremit një ëndërr dhe dizenjuesi e di që çdo femër është princeshë”, Shpresa Zeraliu, me siguri që nuk kishte dëgjuar ende për të.  Intuitivisht ndiqte të njëjtin parim. Për të, të gjithë personazhet ishin princër e princesha dhe i trajtonte si të tillë. E meqenëse asnjë përrallë, e cilësdo epokë, nuk mund të jetohet si e tillë pa pasur kostumet e duhura që plotësojnë magjinë e kohës o legjendës, Shpresa ia dilte gjithnjë të ishte “zonja” e imazhit. Realizuesja e veshjeve të sa e sa shfaqjeve baleti, operash, festivalesh e gjithfarë shfaqjesh kulturore, sot nuk është më. Do të jetojë gjithnjë emri e kujtimi i gruas së qeshur e të përkushtuar që i kënaqte të gjithë. Bashkëpunëtorëve të saj më të afërt u zbutet zëri e mimika kur flasin për të. Edhe regjisores Vera Grabocka, energjinë e jashtëzakonshme të së cilës e njohim të gjithë, sikur i kriset ritmi kur ulet të tregojë për Shpresën. Ajo ka qenë në të 20-at kur e ka njohur dhe prej atëherë nuk janë ndarë. Por ç’kujtime ruan Grabocka që nga koha kur e takoi Zeraliun për herë të parë në qilarin aromë naftalinë të Operës dhe Baletit? Ç’i lidhi bashkë e si u forcua ky takim që i dha shkëndijat që në takimin e parë?

Shpresa e së shkuarës
Intuita e Vera Grabockës nuk ka pasur nevojë të kalitet, ka lindur e tillë. Sikurse për të gjitha gjërat që bënte e të gjithë njerëzit e rinj që takonte, ajri i dha shenja edhe kur takoi për herë të parë Shpresa Zeraliun. Në atë kohë, Zeraliu punonte në Teatrin e Operës dhe Baletit. Regjisoren e re e çuan tek ajo, bashkëpunimet e vazhdueshme që Televizioni Shqiptar kishte me Operën. Bisedat e para ishin të mjaftueshme që të dyja të kuptonin rrugën nëpër të cilën më vonë do të ecnin bashkë. Të talentuarit e kanë edhe këtë tipar, e njohin menjëherë të ngjashmin. Vetëm se duhet të takohen që t’u dëgjohet zëri edhe më shumë. Prandaj edhe Grabocka nuk e vonoi propozimin që i ndriçoi në kokë. “I kisha parë punët e saj. Ajo realizonte kostumet e shekujve të mëparshëm sikur të kishte jetuar në atë kohë. Piktorët që bashkëpunonin me të nuk kishin nevojë të sforcoheshin për t’i qartësuar Shpresës idenë, i konkretizonte menjëherë. Megjithatë, deri atë kohë kishte punuar nën peshën e veprave hijerënda të Operës, kishte punuar me Verdin, Puçinin apo qoftë me pjesët shqiptare si ‘Mrika’ e Jakovës apo “Shote e Azem Galica”. Unë kërkova që Shpresa të provonte një botë tjetër, më të re, më energjike. Kështu u bë pjesë e festivaleve në TVSH, por sigurisht pa lënë Teatrin e Operës”. Kështu nisi edhe puna mes të dyjave që do të zgjaste për vite të tëra. E nëse ndonjëherë, nëpër stacionet e rrugës së gjatë, Vera mund të kapërcente kohën ku jetonte bashkë me kufizimet e saj, duke kërkuar “dukje” që sistemi i qortonte, Shpresa ishte ajo që bënte balancimin. Ishte këmba në tokë që e kthente në realitet mendjen e hapur të Grabockës. Me gjithë censurën, arkivat ruajnë gjetje të tyre që koha nuk i kishte parë. Ndoshta të rinjtë mund të rrudhin buzët, megjithatë janë më të shumtë ata të tjerët që kur kanë parë trëndafilin e bardhë në të djathtë të fustanit kanë menduar si e si të mund ta realizojnë edhe vetë të nesërmen. Sot që mund të keni tuajat kopshtet me trëndafila të gjithë botës, mund të qeshni, por shpresën e atëhershme për të pasur qoftë edhe një, e nxiti Shpresa…

25 vitet shpresëplotë
Ardhja e demokracisë, profesionalisht nuk i solli Zeraliut ndonjë entuziazëm të madh. Së paku jo në fillim. Për shkak të moshës, ishte pikërisht koha kur duhej të tërhiqej, të dilte në pension, por kjo mund të ndodhte vetëm zyrtarisht. Pikërisht pas ’90, nisi “epoka” tjetër që do të zgjaste jo më pak se 25 vite, deri sa ditët e saj të fundit të jetës. Kush nuk i kujton spektaklet e bujshme të Vera Grabockës pas ndërrimit të sistemeve? “Rreth fatit për 12 javë”, spektakli që lindi konceptin e  stilistit në Shqipëri, ku Shpresa si thotë Vera ishte në juri, por mbi të gjitha “në zemër të së gjithës” sepse veshjet e këtij spektakli, realizuar prej saj dhe piktorit Taulant Pustina, mbeten më të bukurat në kujtesën e të gjithëve. Pas tij renditen “12 ëndrrat e një nate vere”, “12 në Hollywood”, “12 vallëzime pa një të shtunë”, të gjitha “Miss Albania”-t e deri te “Dancing with the Stars”, ku artin dhe urtësinë e Shpresës arritën ta njihnin edhe vajza as 20 vjeç në atë kohë si Valbona Selimllari apo, edhe më e re, Alketa Vejsiu.
“Unë nuk dua të mërzitet askush, por nga ana tjetër e kam thënë gjithmonë që asnjë nuk mund të realizojë veshje si Shpresa Zeraliu. Kur vishje fustanet e saj sikur shkoje në një botë tjetër. Nuk kam fjalë ta përshkruaj sa mirë rrinin veshjet e Shpresës, si t’i kishte qepur në kallëp”, tregon Selimllari.
Tashmë që rrugët ishin hapur, Shpresa e shoqëronte Verën edhe në prodhimet e përtej kufijve. Nuk mund të mos përmendet puna që ajo ka bërë në festivalin botëror të folkut, për Ardit Gjebrenë dhe Ilda Rekën. Duke parë prurjet e kostumet e folklorit të mbarë botës, ajo nuk donte që përfaqësimi i Shqipërisë të ishte inferior. Ia doli edhe atëherë si të gjitha herët, i bëri të ndiheshin trupat ku flinin kostumet e saj në bashkëpunim me stilistin Ardi Asllani, të barabartë me të gjithë. Ajo vetë nuk dihet saktësisht se nga e trashëgoi talentin. Në ishte prej aristokracisë së familjes tiranase ku u lind e u rrit, apo prej fisnikërisë së shkollës së murgeshave ku studioi? Sido që të ketë qenë fillesa, Shpresa diti ta përcjellë edhe pas vetes. Kanë qenë të shumtë stilistët e sotëm tanët që kanë mësuar e punuar me të, sepse me Shpresën e Verën është shpikur në Shqipëri edhe koncepti i stilistit…

Linda Flloko me të ëmën, Vera Grabockën, ditën e dasmës
Marrëdhënia përtej personales
Të gjithë ata që kanë punuar me Shpresën veçojnë prej saj edhe momente të marrëdhënies që nuk kanë qenë në funksion të një prodhimi televiziv. Sepse Shpresa ishte aty edhe në jetën e tyre të përditshme, edhe në gëzimet e tyre më të mëdha. Njësoj ngjau edhe në dasmën e Lindës, vajzës së Vera Grabockës e Timo Fllokos, në Jeruzalem. Nuk ka pse të thuhet që Shpresa ishte aty, por duhet përmendur ç’ndodhi në atë dasmë madhështore. Për shkak të traditave hebraike, nusja e bukur nuk mund të shkonte në altar me krahët e zbuluar. Pelerina ishte kusht i panegociueshëm. Po kush tjetër veç Shpresës mund ta qëndiste e thurte përgjatë gjithë natës, pelerinën e mëndafshtë të Lindës në ditën e saj më të bukur, në Jeruzalem? Fustanet e nuseve dihet që nuk kanë pelerina, por Shpresa e krijoi sikur ta kishte të traditës së saj. Kujtimet e tyre u pasuruan edhe nga ky moment njësoj siç pasuroheshin përditë, sa herë Zeraliu fliste për suksesin e  profesional të dy vajzave të saj, Indës dhe Vilmës, e megjithatë, në fund, mallëngjehej me lidhjen e të njëjtit lloj që kishte gjetur nëpër vite me Vera Garbockën.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura