Grabitjet e bandës që vidhte kasaforta, publikohen pamjet e dy rasteve (video)

Jun 18, 2018 | 21:47
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranes goditi sot një grup të strukturuar kriminal, anëtarët e të cilit nën kërcënimin e armeve vidhnin kasaforta ne biznese të ndryshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ne pranga rane 5 persona.

Pas një pune disa mujore me metoda speciale hetimi, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë finalizoi operacionin policor të koduar “Kasaforta“, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Saimir Kuçi, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë.

– Elton Lika, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë.

– Valmend Pelivani, 27 vjeç, banues në Tiranë, dënuar më parë për vjedhje.

– Donald Ahmetaj, 28 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për vjedhje.

– Engrid Hënaj, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga hetimet rezulton se ky grup i strukturuar kriminal, në periudha të ndryshme kohore ka vjedhur me armë kasaforta me vlera monetare të bizneseve të ndryshme, jo vetëm në juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Për realizimin e këtyre ngjarjeve, këta shtetas lëviznin orët e vona të natës të armatosur, përdornin automjete të vjedhura dhe të marra me qera duke u ndihmuar dhe nga persona të tjerë.

Nga puna hetimore është bërë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të ndodhura në kryeqytet, por dhe në qytete të tjera si Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat.

“Panorama” po publikon dy video nga dy prej vjedhjeve qe ka kryer kjo bande.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura