Grabitja/ Zbardhet dëshmia e Alkond Bengasit, nga shoqërimi për vrasjen e Ravik Gurrës, tek biseda me gruan e Klement Çalës: Qante, e vranë në Rinas…

Apr 27, 2019 | 15:22
SHPËRNDAJE

Alkond-bengasi-Klement-Cala-Admir-Murataj-RinasiETLEVA DELIA/ Në dëshminë që Alkond Bengasi, bashkëpunëtor i drejtësisë, ka dhënë para prokurorëve për Krime të Rënda, ka treguar gjithçka që dinte rreth grabitjes së ndodhur më 9 prill në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Por përveç detajeve që ai shpjegon në lidhje me personat e përfshirë në grabitje, nxjerr në pah edhe një të dhënë që nuk dihej më parë. Vetë Alkond Bengasi u ka treguar prokurorëve se disa ditë pasi ishte vrarë në Elbasan avokati Ravik Gurra, ai bashkë me babanë e Klement Çalës janë shoqëruar në Polici për t’u marrë në pyetje.

Madje, pas shoqërimit ai është takuar me Klementin dhe ky i fundit e ka pyetur: “Çfarë ka Policia me ty? Shih mos të kanë vendosur ndonjë përgjues në makinë”. Ndërsa po atë natë, që sipas tij Klement Çala ka qenë në shtëpinë e tij, te Liqeni i Thatë në Tiranë i ka thënë se këto ditë do të dëgjonte një tronditje të madhe. Këtë paralajmërim Alkond Bengasi e lidh me grabitjen në Rinas, pasi vetëm pak ditë pasi Klementi i ishte shprehur në këtë formë, ndodhi ngjarja e 9 prillit.

I pyetur për lidhjet farefisnore me Çalën, Bengasi ka deklaruar se Klement e Eldi Çalën i ka kushërinj edhe nga nëna, edhe nga babai. Nënën e Klementit e ka vajzë tezeje, ndërsa babanë e Klementit, babai i tij e ka djalë daje.

Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Bengasi tregon detaje të rëndësishme lidhur me anëtarët e grupit, takimet me Admir Muratajn, që e thërrisnin “Daja”, si dhe një kosovar rreth 50 vjeç, që gjithashtu kishte nofkën “Daja”.

PR-598x365-1

DËSHMIA E PLOTË E ALKOND BENGASIT, DHËNË PARA PROKURORËVE TË KRIMEVE TË RËNDA

Pyetje: Ndaj jush zhvillohen hetime, pasi dyshoheni për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me armë kryer në bashkëpunim”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në lidhje me ngjarjen e ndodhur me 09.04.2019 në Aeroportin e Rinasit, ku është grabitur me armë një shumë vlerash monetare (euro). Pyetjen e dëgjuat, e kuptuat dhe çfarë shpjegimesh do të jepni?

Përgjigje: U njoha me të drejtat dhe pyetjen e bërë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 09.04.2019, ku në Aeroportin e Rinasit është grabitur një shumë vlerash monetare. Dua të deklaroj se unë jam dijeni për këtë ngjarje, pasi unë njihem me shtetasin Klement Çala, i cili është kushëri i imi, sepse nënën e Klementit e kam gocë tezeje, ndërsa babain e Klementit, babai im e ka djalë daje.

Unë kam qenë në shtetin grek në vitin 1998-1999 dhe aty kam qëndruar në shtëpinë e Klementit, i cili në atë kohë jetonte me familjen e vetë. Unë në vitet 2012-2013, saktësisht nuk më kujtohet, jam kapur me një cigare hashash dhe kam qenë në burg në Shqipëri. Në atë kohë, kur unë kam qenë në burg, kam marrë vesh me anë të televizorit se kushëri im Klement Çala është arratisur nga burgu Trikalla i Greqisë, së bashku me disa persona të tjerë. Pasi unë kam dalë nga burgu pas 6 muajsh, Klementi kishte ardhur në Shqipëri dhe mbaj mend se ai ka ardhur dhe më ka takuar në shtëpinë time në qytetin e Elbasanit dhe konkretisht, në fshatin Kusarth.

Në atë kohë, Klementi së bashku me shtetasin Admir Murataj po hapnin një restorant te zona e Liqenit të Thatë dhe konkretisht, në hyrje të digës së Liqenit. Pasi këta dy shtetas kanë hapur restorantin, unë gjatë kësaj periudhe jam takuar disa herë me Klementin. Më pas mua më është sëmurur nëna dhe Gjykata e Apelit më ka rikthyer në burg dhe jam shpallur në kërkim dhe për një periudhë unë takohesha shumë rrallë me Klementin. Unë jam i punësuar në varrezën e makinave, të cilën e ka babai i Klementit, Pullumbi, varrezë e cila ndodhet midis fshatit Kusarth dhe Bradashesh, Elbasan.

Vëllai i Klementit, Eldi Çala, ka një rrobaqepësi në Uzinën 12 në Bradashesh. Përpara rreth 5 muajsh më ka thënë shtetasi Eldi Çala se do të shkonim të merrnim një furgon në dalje të Fushë-Krujës dhe unë i kam thënë se nuk vij, se kam vajzën sëmurë dhe të gjente një person tjetër për të shkuar për ta marrë. Pas dy ditësh, kur unë kam shkuar te rrobaqepësia e Eldit, kam parë një furgon. Në oborrin mbrapa rrobaqepësisë ndodhej i parkuar një automjet me ngjyrë jeshile, i markës “Shevrolet”, me targa të huaja, të cilat s’më kujtohen.

Mbaj mend se me këtë automjet Eldi bënte xhiro disa herë brenda territorit të rrobaqepësisë. Unë e kam pyetur Eldin se ku e kishte gjetur këtë automjet dhe ai më është përgjigjur se këtë automjet e kishte sjellë nga lart (dhe unë nënkuptova shtetin e Kosovës) Admir Murataj, të cilin Eldi e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë e kam pyetur sërish Eldin për çfarë e do këtë automjet, pasi ishte i vjetër dhe ai më ka thënë se do e mbajmë për qejf, pasi është 4×4. Pas rreth 2-3 muajsh, Eldi e ka sjellë pikërisht automjetin që përmend më lart në servisin (varrezën) ku unë punoj.

Ai e ka lënë këtë automjet të parkuar rreth 3 javë ose një muaj në servisin tonë, me arsyetimin se ai do ta rregullonte dhe do ta bënte makinë sportive këtë automjet. Në këtë automjet kam hyrë unë së bashku me shtetasin M.Çala, i cili është djali i xhaxhait të Klementit, si dhe punonjës në po këtë varrezë (servis). Pasi Klementi e ka lënë këtë automjet rreth tri javë ose një muaj në servisin ku unë punoj, një ditë që unë nuk ndodhesha në shtëpi dhe nuk kisha shkuar në punë, Eldi kishte shkuar në servisin ku unë punoj dhe e kishte marrë automjetin tip “Shevrolet” me anë të një karrotreci.

Unë këtë fakt e mësova nga E.Çala dhe ai më ka thënë se automjetin e mori Eldi së bashku me shtetasin Talo Çela, i cili është nga Bradasheshi. Pas rreth 3-4 ditësh, pikërisht automjetin tip “Shevrolet” e ka sjellë përsëri në servisin ku unë punoj shtetasi Eldi Çala, por kësaj here në gjendje të ndezur, pra këtë automjet e kishte rregulluar. Pas rreth 3-4 ditësh ka ardhur sërish dhe e ka marrë këtë automjet Eldi dhe ne në servis i kemi vendos vetëm bateri. Po kështu, unë në oborrin e rrobaqepësisë së Eldit përpara rreth një muaji kam parë të parkuar një automjet tip “Mercedez Vito” me ngjyrë të bardhë. Unë këtë automjet e kam parë vetëm një herë dhe nuk e kam parë më.

Unë automjetin tip “Shevrolet” që përmenda më lart e kam parë në Rinas më 09.04.2019 në televizion, gjatë emisioneve që jepeshin në lidhje me ngjarjen e grabitjes në Rinas. Këtë automjet e kam njohur nga mbrapakolpi, si dhe nga fotot që transmetoheshin në media, por edhe nga fakti që tregohej se automjeti ishte “Shevrolet” dhe ishte modifikuar stema e “Volsvagenit”, si dhe modifikime të tjera. Përpara disa kohësh, me sa më kujtohet, disa ditë pasi është vrarë avokati Ravik Gurra në qytetin e Elbasanit, unë së bashku me babain e Klementit, Pullumb Çala, si dhe një kushëririn tim na ka shoqëruar Policia në Drejtorinë e Elbasanit, ku jemi pyetur në lidhje me ngjarjen e vrasjes së avokatit.

vrasja-elbasan-ravik-gurra

Atë ditë, pasi kemi dalë nga Policia e Elbasanit, unë kam ardhur në shtëpinë time te Liqeni i thatë në Tiranë dhe në banesën time po atë ditë në darkë ka ardhur Klementi së bashku me nusen e tij dhe fëmijët dhe gjatë bisedës ai më ka thënë: “Çfarë ka Policia me ty? Shih mos të kanë vendos ndonjë përgjues në makinë”. Po këtë natë, kur Klementi ka qenë në shtëpinë time, ai më ka thënë: “Do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë”.

Pasi unë pashë fotot e automjetit që kishte marrë pjesë në grabitjen e Rinasit, si dhe në lidhje me bisedën që Klementi më kishte thënë natën që ishte në shtëpinë time se “do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë”, unë nënkuptova se në këtë grabitje kishte marrë pjesë patjetër Klementi së bashku me Admir Muratajn, që e kishte shok të ngushtë. Menjëherë sa unë kam mësuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur, kam fikur telefonin pasi kishte frikë.

Dua të shpjegoj se Klement Çala kishte një banesë afër shtëpisë sime te Liqeni i Thatë, si dhe Klementi më ka thënë se edhe “Daja”, që nënkuptonte Admir Muratajn, e ka shtëpinë përballë pallatit tim në anën tjetër të Liqenit të Thatë.

Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit, e cila ndodhej afër shtëpisë sime dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu, e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë këtë person jam në gjendje që ta identifikoj nëse ai më tregohet. Po me këtë shtetas vinin edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin nga Fushë-Kruja, me sa di unë, ku njëri thirrej me emrin “Olti” dhe tjetri “Tani”.

Ata të dy vinin me një makinë “Golf” ngjyrë blu dhe të dy këta persona takoheshin me Admir Muratajn dhe shtetasin kosovar, të cilin Admiri e thërriste “Daja”. Herën e fundit që unë e kam takuar Admir Muratajn në momentin që po zbrisja për të blerë cigare te dyqani që ndodhet afër pallatit, dyqan i cili ndodhet në pallatin e Klementit, ka qenë rreth 6 ditë para se të ndodhte grabitja në Rinas.

Një person më fishkëllen dhe unë kthej kokën dhe arrita të dalloj Admir Muratajn, i cili më thirri “o nip” dhe unë kam shkuar dhe jemi takuar dhe aty shikoj se në automjetin “Golf” ngjyrë e bardhë me targa kosovare ndodhej edhe “Daja” nga Kosova, i moshës rreth 50 vjeç, qeros. Pasi Admiri më ka dhënë dorën dhe më ka përshëndetur, ai ka hyrë në shkallën e pallatit ku banon Klementi dhe është ngjitur lart.

Unë sa herë e kam parë shtetasin kosovar, e kam parë që ai ishte në shoqërinë e Admir Muratajt. Po kështu, dua të shpjegoj se unë Oltin dhe Tanin, të cilët di që janë nga Fushë-Kruja, i kam takuar për herë të parë përpara 6 muajsh te Shkëmbi i Kavajës, afër pallatit të lartë. Jemi nisur unë dhe Eldi nga Elbasani dhe në një lokal te Shkëmbi i Kavajës kemi ngrënë drekë së bashku me Admir Muratajn, personin të cilin Admiri e thërriste “Daja” dhe ishte nga Kosova, Oltin dhe Tanin nga Fushë-Kruja, Klementin, si dhe një person tjetër, të cilin e kishte shok “Daja” nga Kosova dhe që ishte i shëndoshë.

Përpara 10-15 ditësh, rreth orës 08:30 të mëngjesit kur unë kam qenë duke shkuar për në Elbasan, kam parë në kafen, e cila ndodhet disa metra larg pallatit në afërsi të një hoteli që po ndërtohet, shtetasin Admir Murataj, shtetasin kosovar që thirrej “Daja”, Oltin, Tanin, Klementin dhe Eldin. Kur unë kam vazhduar rrugën me makinë rreth 20 metra larg kafes ku po pinin shtetasit e mësipërm, kam parë që vjen me automjetin e tij Talo Çela.

Nuk jam në gjendje të them ditën e saktë, por unë një ditë në momentin që kam dalë nga banesa ime për të hedhur mbeturinat, kam takuar Klementin, të cilin e kam pyetur se ku po shkonte dhe më ka thënë se do shkoj të takoj Admirin me çunat. Po kështu, te banesa e Klementit, e cila është afër shtëpisë sime, shpeshherë kam parë se Eldi Çala vinte dhe hynte ne banesën e Klementit me kushëririn Renaldo Sula.

Dua të shpjegoj se kur unë kam shkuar në shtëpi, kam parë nusen time të shqetësuar, e cila më ka treguar se: “Shihe çfarë ka ndodh…” dhe aty kam parë në lajme se ça kishte ndodhur, kur ishte vrarë edhe një grabitës. Menjëherë kam shkuar në banesën e Klementit dhe aty kam gjetur duke qarë nusen e Klementit, e cila quhet Sulltana, së bashku me nusen e Eldit, e cila quhet Ana.

I kam pyetur përse qani dhe përse jeni të shqetësuara dhe ato me kanë thënë se kanë vrarë Klementin në Rinas, sipas të dhënave në media, pasi Klementi ishte rreth 32 vjeç. U mundova t’i qetësoja, por ato vazhdonin të ishin të shqetësuara dhe këmbëngulnin që ishte Klementi, por nuk ishin të sigurta se gjatësia e personit nuk përputhej. Unë kam qëndruar rreth 30 minuta në shtëpinë e Klementit dhe duke qenë se nusja e tij dhe e Eldit po qanin dhe ishin mjaft të shqetësuara, kam shkuar në banesën time dhe kam dalë në ballkon, ku po pija cigare.

Aty kam vënë re se dy gratë dolën nga banesa dhe më thanë që po iknin se më duket është vrarë “Daja”, që nënkuptonte shtetasin Admir Murataj, pasi siç e përmenda edhe më lart, të gjithë Admirin e thërrisnin “Daja”. Po kështu, dua të shpjegoj se disa herë në banesën e Klementit vinte edhe bashkëshortja e Admirit, e cila quhet Albana dhe ajo vinte me dy vajzat. Unë e kam parë Albanën të hynte në banesën e Klementit së bashku me Admir Muratajn./PANORAMA

VIJON

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura