Grabitja/ “Të marr një pulë te shtëpia jote?”, zbardhen bisedat e koduara

Feb 18, 2017 | 14:14
SHPËRNDAJE

Vënia në dijeni e bashkëpunëtorëve të grabitjes përmes një SMS-je se blindi me para po nisej drejt Rinasit, më 3 dhjetor 2015, i është shpërblyer me më shumë se 100 mijë euro ishpolicit privat të “Rogat”, Fatjon Xhyliu, raporton “Panorama”.

Kater Grabitesit12Kjo shumë i është dorëzuar babait të tij nga ana e ishkomandos, Neim Avdylaj, pak ditë pas grabitjes. Hetimi ka “zbërthyer” skemën e zbatuar nga grabitësit për “goditjen” e dhjetorit 2015 dhe rolet e të arrestuarve.

“Panorama” zbardh sot mesazhet e dërguara nga informatori Xhyliu dhe komunikimet e tij telefonike për marrjen e shpërblimit, pjesë e dosjes së Prokurorisë.

Sipas materialit të siguruar nga gazeta, më datë 3 dhjetor 2015, Fatjon Xhyliu ka qenë tek oborri i punës (“Rogat Security”), kur ka dërguar shoferin e blindit, duke thënë “kush do të vijë me mua sot në Rinas”. Ora ka qenë rreth 12 e paradites.

Pasi ka marrë vesh për rrugën që ishte gati të bëhej, shtetasi Fatjon Xhyliu i ka nisur mesazhin shtetasin Neim Avdulaj, duke i shkruar “makina po del tani prej parkut”.

Ndërkohë, shtetasi Ditjon Memlika ka qenë në një detyrë tjetër brenda Tirane, duke lëvizur me ngarkesën e një banke tjetër. Pas nisjes se mesazhit, Xhyliu ka fikur telefonin dhe ka shkuar të luajë me shokët me letra.

Rreth orës 14:00 të kësaj date, përgjegjësi i grupit i ka thënë të merrnin pajimet dhe të shkonin me të, pa i lajmëruar se çfarë kishte ndodhur. Pasi ka shkuar në Qafë-Kashar, shtetasi Fatjon Xhyliu mësoi që vjedhja ishte mundur te realizohej dhe personat ishin larguar me paratë e marra nga blindi.

SHPËRBLIMI 100 MIJË EURO

Rreth mesit të muajit dhjetor 2015, në orën 06:00, shtetasi Fatjon Xhyliu është kontaktuar prej Neim Avdulajt në telefonin e tij dhe ai i ka thënë “kam ardhur te shtëpia jote në fshat në Lushnjë, a ta marr një pulë këtu te shtëpia jote”. Fatjon Xhyliu i është përgjigjur “merre” dhe më pas ka fikur telefonin. Ky ishte sinjali që Neim Avdulaj kishte vendosur me Fatjon Xhyliun, për të lënë të hollat që i takonin nga vjedhja me armë e ndodhur.

Shuma nuk ka qenë e përcaktuar, por ajo do të kushtëzohej nga sasia e të hollave të vjedhura. Në muajin dhjetor 2015, shtetasi Fatjon Xhyliu është larguar nga “Rogat Security” dhe është kthyer në fshat, ku ka marrë vesh nga babai se Neim Avdulaj i kishte lënë një porosi për të, duke i dhënë një kuti dhe duke e porositur ta mbulonte diku, t’ia jepte më pas Fatjonit kur të vinte, pasi ai e di çfarë është.

Pasi e ka marrë kutinë, shtetasi Fatjon Xhyliu shpjegon se ka parë në të një sasi të hollash, të cilat ishin 48.000 paund dhe 25.000 USD, si edhe kartëmonedha të tjera në valutë të huaj. Sipas llogarisë, shuma kapte vlerën e 100.000 eurove, apo edhe pak më shumë.

Më pas, rreth muajit mars 2016, shtetasi nën hetim ka filluar të këmbejë të hollat në disa pika këmbimi valutor, në Lushnjë dhe Fier, duke detajuar shumat dhe vendet. Një pjesë e parave janë shpenzuar për të riparuar shtëpinë në Lushnjë dhe Tiranë, si dhe duke marrë me qira një dyqan parukerie ku punon bashkëshortja e tij.

Pjesën tjetër të të hollave, shtetasi Fatjon Xhyliu e ka fshehur në banesën e tij në fshat, në dyshemenë e katit të dytë, poshtë dërrasave, të cilat janë gjetur nga kontrolli policor.

ARMAND BAJRAMI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura