Grabitja në Rinas/ “Truri” i grupit ende në kërkim, gjykimi ngrin për 1 vit

SHPËRNDAJE

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të pezullojë për një vit gjykimin për Admir Muratajn, i njohur ndryshe si Admir Nikaj. Ky i fundit, i cili është arratisur edhe nga burgu i Trikallas në Greqi, dyshohet se është koka e grupit që kryente grabitjen e blindave që transportonin paratë e bankave të nivelit të dytë.

grabitja-rinas

Pezullimi i gjykimit për një vit vjen për shkak të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale. Kështu, Admir Murataj është në kërkim dhe Gjykata i jep kohë Policisë dhe Prokurorisë që ta arrestojnë. Në rast se nuk kapet edhe brenda një viti, atëherë Gjykata e Krimeve të Rënda ka të drejtë që të nisë gjykimin për të në mungesë. Deri më tani, gjashtë të pandehurit e tjerë janë në gjykim veçmas, ku mes tyre është edhe vëllai i të kërkuarit, Aleksadër Murataj. Ky i fundit pretendon se është i pafajshëm dhe se ditën kur ka ndodhur grabitja e blindit me 3.2 milionë euro ka qenë te dentisti.

Admir Murataj
Admir Murataj

GRABITJET

Truri i bandës që kreu grabitjen është identifikuar nga Prokuroria si Admir Murataj. Ai njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Admir Nikaj njihej më herët nga Policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri, por jashtë vendit. Ka qenë i arrestuar në Greqi dhe i arratisur nga burgu i Trikallës. Grupi akuzohet se ka kryer të paktën tri grabitje të bujshme bankash dhe në total mund të ketë grabitur 7 milionë euro. Episodi i parë i grabitjes daton më 3 dhjetor të vitit 2015, ku në segmentin Qafë-Kashar-Rinas u grabit me armë një blind që transportonte një shumë të konsiderueshme parash nga një bankë e nivelit të dytë. Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që, mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit fuoristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave. Episodi i dytë ka ndodhur më 9 shkurt të vitit 2017, po në rrugën e Rinasit, ku grabitja është bërë në të njëjtën mënyrë. Ndërsa grabitja e tretë ka ndodhur më 13 shkurt në një bankë në afërsi të ish-Stacionit të Trenit në Tiranë, ku u vodh një tjetër sasi e konsiderueshme parash.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakShqipëria mundet nga Kosova, vendos një gol në pjesën e dytë
Artikulli tjetërTë zhdukur të tjerë në Vlorë/ Bashkëshortja: Policia e ka identifikuar personin që e mori në shtëpi

S'KA KOMENTE

Comments are closed.