Grabitja në Rinas/ Si u kap i pesti i i bandës? Çerpja po blinte ushqime në Zalldardhë

Feb 18, 2017 | 14:14
SHPËRNDAJE

Shkon në 5 numri i autorëve të dy grabitjeve të ndodhura në rrugën e Rinasit. Mbrëmë, në orët e vona, është arrestuar në një fshat të Dibrës edhe Jetmir Çerpja, i dyshuar si një nga organizatorët e grabitjeve. Pas arrestimit, ai është transportuar nën masa të rrepta sigurie në drejtim të Tiranës.

FOTO-KapetTashmë në kërkim mbetet vetëm Admir Murataj (Nika), që, sipas Policisë, është organizatori kryesor i ngjarjeve.

Ndonëse si ideator dhe “kapo” i grupit konsiderohet Murataj, Çerpja, me të cilin ka lidhje familjare, ishte krahu i tij i djathtë.

Madje, burimet për “Panorama” thonë se Jetmir Çerpja ka pasur një rol shumë aktiv në të dyja grabitjet e ndodhura më 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.

Mësohet se ai ka ndarë rolet e të gjithë pjesëtarëve të grupit, se kush do të informonte, kush do të vëzhgonte dhe kush do të realizonte sulmin me armë për të marrë paratë.

Gjatë gjithë kohës së përgatitjes së grabitjes, ai organizonte me detaje rrethanat kur do të realizohej ngjarja, orarin e përshtatshëm, si dhe ndante detyrat për personat që do mbanin nën vëzhgim patrullat më të afërta të Policisë, duke kronometruar të gjitha lëvizjet.

DEKLARATA E POLICISE

Kapet dhe arrestohet i shumëkërkuari, një nga organizatorët e grupit të grabitjeve të vlerave monetare në rrugën e Rinasit. Pas një operacioni disa ditor në qarkun Dibër ku u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Renea, Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH, u bë e mundur kapja e të shumëkërkuarit Admir Çerpja, një nga organizatorët e grabitjeve në aksin rrugor Qaf Kashar -Rinas.

Kapet në orët e mbrëmjes Admir (Gjuljano) Çerpja, 35 vjeç, banues në Bathore Tiranë. Në vijim të operacionit “Patriot” që po vijon nga strukturat e Policisë së Shtetit, për kapjen e të gjithë personave, organizatorë, pjestarë të grupit apo të përfshirë në grabitjet me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit, si rezultat i trysnisë policore të ushtruar në disa zona të rrethit Dibër për kapjen e Admir Çerpja, rezultoi se: Rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës forcat policore kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Admir Çerpja.

Ky shtetas po afrohej për tu futur në fshatin Zalldardhë në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim. Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke prangosur shtetasin e lartpërmendur.

Shtetasi Admir Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjsisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura