Grabitja në Rinas/ Kamerat ‘tradhtojnë’ Çalën, shfaqet në vilën e ‘kokës’ së bandës

Mar 20, 2017 | 18:28
SHPËRNDAJE

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë të instaluara në vilën luksoze të Admir Muratajt në Fushë-Pezë “tradhtojnë” të dyshuarin e radhës si bashkautor në grabitjen e blindit në Qafë Kashar-Rinas. Bëhet fjalë për Klement Çalën, i cili dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve me 9 shkurt 2017, shkruan ‘Balkanweb”.

klement cala

Burime të besuara pranë grupit hetimor thanë se Klement Çala shfaqet në pamjet filmike duke hyrë dhe dalë nga vila e Muratajt, i cili cilësohet si kreu i grupit kriminal që realizoi grabitjet e 3 dhjetorit 2015 dhe 9 shkurtit të këtij viti. Të njëjtat burime thanë se Çala ka patur takime të shpeshta me Muratajn dhe të dyshuarit e tjerë, të cilët gjithashtu shfaqen në pamje, pak ditë përpara ngjarjes. Pikërisht në këtë kohë, prokuroria dyshon se është hartuar plani për grabitjen e blindave që transportonin vlera monetare te bankës të nivelit të dytë.

Një tjetër provë që e “tradhton” Calën, janë edhe shenjat e gishtërinjve të tij, të zbuluara në ambientet e vilës. Prokuroria ende nuk i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase sigurie në mungesë për Çalën, por provat se ai është përfshirë në ngjarje, janë të forta dhe brenda pak ditësh do të bëhet një veprim i tillë procedurial. I çuditshëm është fakti sesi Klement Çala ka mundur të lëvizë lirshëm përgjatë gjithë kësaj kohe, kur ndaj tij ekziston një urdhër arresti në mungesë, shkruan “Balkanweb”.

Ai po gjykohet në gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e vrasjes së punonjësve të policisë, mbetur në tentativë, gjatë arratisjes nga burgu i Trikallasë në Greqi bashkë me Admir Muratajn, Ilir Kupën e disa të dënuar të tjerë. Ndërkohë, deri më tani për grabitjen e bankës, janë vënë në pranga 8 persona, ndërsa Admir Murataj vazhdon ende të jetë në arrati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura